Zbardhen shifrat/ Qeveria hap tenderin për superkoncesionin 4 miliardë euro, tarifa për rrugën Milot-Fier. Pagesa për kalimin në autostradë pritet të jetë…

Jul 10, 2020 | 16:07
SHPËRNDAJE

Në fund të kontratës, pas përdorimit për 35 vite të rrugës, kompania fituese do të ketë arkëtuar 4,087,155,385 euro.Milot-Fier

Dhe ky është parashikimi i qeverisë në dokumentet e koncesionit për rrugën e Milot-Fier. Shifra e mësipërme me shumë numra është 4 miliardë euro. Kjo është marrëveshja më e madhe që ka menduar ndonjë qeveri që nga 1990. Kush do t’i paguajë paratë?

Sigurisht, qytetarët. Kompania që do fitojë tenderin, sipas dokumenteve të qeverisë, do të investojë 1.188 miliardë euro për ndërtimin e një rruge 115 kilometra. (Në fakt, qeveria pranon se vetëm 53 kilometra janë rrugë e re, ndërsa pjesa tjetër, që habitshëm është më shumë se gjysma, është autostradë ekzistuese, por që do përmirësohet). Për të kaluar në këtë rrugë do të duhet të paguajmë, sipas parashikimit të qeverisë, 0.075 euro për kilometër. Qeveria parashikon mesatarisht 29,800 makina në ditë.

ÇFARË DO TË NDËRTOHET

Autostrada që kërkon të japë qeveria me koncesion është 115 kilometra e gjatë. Sipas dokumenteve të tenderit, të publikuara dje në faqen e Ministrisë së Transporteve, ajo do të ndahet në 6 seksione. Pjesa e parë nga Miloti në Thumanë, me gjatësi 13.5 kilometra, është aks ekzistues që do të rehabilitohet. Pjesa e dytë, nga Thumana në Kashar prej 20 kilometrash do të jetë një rrugë e re.rama-milot

Dy pjesët e tjera nga Kashari në Pezë-Helmëz prej 9 kilometrash dhe nga PezëHelmëz në Luz të Vogël prej 24 kilometrash do të jenë rrugë të reja. Kjo është edhe pjesa e pandërtuar e autostradës, një segment prej 53 kilometrash. Ndërsa pjesa tjetër e rrugës vazhdon nga Luzi i Vogël në Rrogozhinë, 8 kilometra dhe nga Rrogozhina në Fier, 38 kilometra. Por këto segmente janë vetëm rehabilitimit, se aty tashmë ka një autostradë me katër korsi. Me një llogari të thjeshtë, sipas shifrave të qeverisë, kostoja e ndërtimit të rrugës së re prej 1.188 miliardë eurosh për 115 kilometra është 10.3 milionë euro për kilometër. Duke qenë se më shumë se gjysma e saj është rrugë ekzistuese dhe vetëm 53 kilometra janë autostradë e re, atëherë kostoja mund të llogaritet edhe 20 milionë euro për kilometër, një tjetër rekord në historinë e rrugëve shqiptare.

SI DO PAGUHET

Duhet qartësuar që qeveria shqiptare, pra, nga taksat që mbledh buxheti, sipas koncesionit të publikuar dje, nuk do të angazhohen më shumë se 121.324.770 euro. Sipas dokumenteve, qeveria do të garantojë vetëm 7 për qind të vlerës së parashikuar të trafikut dhe vetëm deri në vitin 2040, pra, vetëm për 16 vitet e para të përdorimit të rrugës, rruga do të jetë me pagesë për përdoruesit. “Koncesionari (fituesi i procedurës se konkurrimit) mund të mbështetet nga shteti deri në shumën (e garancisë), përcaktuar në ofertën e tij. Koncesionari mund ta marrë këtë ‘shumë mbështetëse për garancinë’ përgjatë periudhës së koncesionit dhe mbulon nga viti i parë i operimit deri në 2040 – vjetore.milot fier

“‘Shuma totale për garancinë’ nuk mund të tejkalojë vlerën 121.324.770 euro”. Në tabelën që boton gazeta është parashikuar sa para do marrë në vit fituesi i koncesionit dhe sa para do të garantojë qeveria nga kjo shumë. Kështu, në vitin e parë parashikohet që nga tarifimi i rrugës me 0.075 euro për kilometër, koncesionari do të arkëtojë 60.119.404 euro dhe qeveria do të garantojë deri në 4.208.358 euro. Pra, qeveria nuk ka ndonjë angazhim të madh financiar për rrugën. Por sa më shumë numra të kenë shifrat që tenderohen, aq më i madh është “por”. Ka një problem me shifrat. Rrugët që jepen me koncesion, ose PPP-të, kanë tarifa ndërtimi shumë të larta në krahasim me rrugët që ndërtohen me tenderë apo edhe më shumë me tenderë të financuar nga institucionet ndërkombëtare.trafiku

Kështu, rruga e re Milot-Fier ka një kosto 3 deri 6 herë më të lartë sesa Bypass-i i Fierit, me të cilin ajo lidhet. Pse llogariten koston e fryra? Në mënyrë që të rritet pagesa për kalimin e rrugës. Dhe këtu qëndron edhe problemi i madh në shifrat që janë publikuar dje. Nga ana tjetër, lidhja e rrugës së re me rrugën ekzistuese nga Luzi afër Kavajës në Fier me rrugën ekzistuese, e bën përdorimin e autostradës “të detyrueshëm”. Dhe këtu problemi bëhet edhe më i madh, pasi do tarifohet një rrugë e ndërtuar nga buxheti i shtetit, pra, nga qytetarët. Në dokumente flitet për ndërtimin e një rruge dytësore.

Pra, për të shkuar nga Kavaja në Fier, ata që s’duan të paguajnë, do të mund të përdorin një rrugë dytësore. Sot kalojnë në autostradë. Në këto kushte, rritja e kostove të ndërtimit, si rrjedhojë rritja e tarifës së kalimit, dhe “detyrimi” për të përdorur rrugën, e bëjnë këtë koncesion një biznes shumë të mirë. Dhe për të vërtetuar se është shumë biznes i mirë, mjaftojnë sërish shifrat e qeverisë.

Sipas dokumentit të qeverisë, do të investohen 1.188 miliardë euro dhe në fund të 16 viteve të përdorimit të ardhurat e kompanisë do të jenë 1.714 miliardë euro. Ndërsa në fund të koncesionit do të jenë 4.087 miliardë euro. Pra, gati tri herë më të larta.

Skeda e rrugës

Gjatësia 115 kilometra
Rrugë e re 53 kilometra
Kosto e ndërtimit 1.188 miliardë euro
Garanci nga shteti 121.324.770 Euro
Kosto e kalimit 0.075 euro/kilometër
Pagesa për 1 kalim 8.62 euro (pa TVSH)
Trafiku mesatar 29800 mjete/ditë
Kohëzgjatja 35 vite

Ku do të kalojë rruga

MILOT-THUMANË

Ky seksion ekzistues është një karrexhatë me dy korsi dhe me dy sense lëvizjeje 2×2 (A1), me një trafikndarëse dhe korsi emergjence. Gjatësia totale është rreth 13.5 km dhe do të përmirësohet në një autostradë të plotë të Kategorisë A.

THUMANË – KASHAR

Ky seksion do të jetë një autostradë e plotë e Kategorisë A, me një karrexhatë me dy korsi dhe me dy sense lëvizjeje 2×2, me një trafikndarëse dhe korsi emergjence. Gjatësia totale do të jetë rreth 20 km. Ky seksion do të lidhë fshatin Thumanë me zonën e Kasharit.

KASHAR–PEZË HELMËS

Ky seksion do të jetë një autostradë e plotë e Kategorisë A, me një karrexhatë me dy korsi dhe me dy sense lëvizjeje 2×2, me një trafikndarëse dhe korsi emergjence. Gjatësia totale do të jetë rreth 9 km. Ai do të fillojë në Kashar dhe do të kryqëzohet me autostradën ekzistuese Tiranë-Durrës (Autostrada Kombëtare, SH2).

PEZË HELMËS – LUZI I VOGËL

Ky seksion do të jetë një autostradë e plotë e Kategorisë A, me një karrexhatë me dy korsi dhe me dy sense lëvizjeje 2×2, me një trafikndarëse dhe korsi emergjence. Gjatësia totale do të jetë rreth 24 km. Seksioni kalon përmes një sërë luginash të ngushta dhe kodrash të thikta, të përbëra nga formacione të buta gjeologjike. Ky seksion arrin në zonën Luzi i Vogël-Lekaj (Kavajë) në kryqëzimin me segmentin rrugor ekzistuese Durrës-Rrogozhinë (autostrada kombëtare SH4).

LUZI I VOGËL / LEKAJ – I/C RROGOZHINË

Ky seksion është pjesë e segmentit rrugor ekzistuese me një karrexhatë me dy korsi dhe me dy sense lëvizjeje 2×2 (SH4). Megjithëse është parashikuar trafikndarësja, nuk janë parashikuar korsi emergjence. Gjatësia totale është rreth 8 km. Seksioni do të përmirësohet në një segment rrugor të Kategorisë B, dhe propozohet një kryqëzim i tipit “trumpet” për të zëvendësuar rrethrrotullimin ekzistues ndërmjet autostradave kombëtare SH4 dhe SH7 (përkatësisht AIC dhe Korridori i 8-të).

RROGOZHINE – FILLIMI I BYPASS-IT TË FIERIT

Edhe ky seksion është pjesë e autostradës ekzistuese me një karrexhatë me dy korsi dhe me dy sense lëvizjeje 2×2 (SH4). Ashtu si edhe në seksionin 4, është parashikuar trafikndarësja, por nuk janë parashikuar korsi emergjence. Gjatësia totale është rreth 38 km. Përmirësime do të bëhen edhe në kryqëzimet ekzistuese, dhe do të ndërtohen pesë kryqëzime të reja me nivele të ndara për të zëvendësuar disa nga ato ekzistuese.

rruga milot-fier

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura