Zbardhen sharjet pa mikrofon në Parlament, çfarë i tha Rama Berishës pas shpine

Oct 13, 2017 | 8:21
SHPËRNDAJE

Punimet e Parlamentit janë bllokuar për të dytën javë radhazi. Dje Kuvendi ka ndërprerë punimet për shkak se deputeti i opozitës, Flamur Noka, ka bllokuar foltoren e Parlamentit në tentativë për të marrë fjalën, ndërkohë që Gramoz Ruçi nuk ka bërë asnjë tolerim. Zanafilla e përplasjes nisi që në momentin që Kryeministri Edi Rama ka ofenduar ish-kreun e PD-së, Sali Berisha, teksa ky i fundit po akuzonte ministrin e Jashtëm për projektligjin e ri “Për mbrojtjen e pakicave”.

kuvendi

“Ky ligj është burimi i rivalitetit të klaneve mafioze në qeveri”, tha Berisha, ndërkohë që në sallë u dëgjua teksa Rama tha pa mikrofon: “A ti ke rrjedhur komplet”.

Vetë Berisha nuk ka reaguar, por deputeti Flamur Noka është revoltuar dhe ka kërkuar që kryeministrit t’i tërhiqej vërejtje, pasi ofendoi Berishën. Por Ruçi ka refuzuar t’i japë fjalën Nokës, duke ia kaluar fjalën deputetit të LSI, Shezai Rrokaj.

Noka ka bllokuar foltoren e Kuvendit, duke kërkuar fjalën me këmbëngulje, duke e quajtur Ruçin “xhandar”, “kryetar kooperative” dhe Ramën “rrugaç”. Ruçi e ndërpreu seancën tri herë duke i tërhequr vërejtjen dhe më pas duke i dhënë masën e përjashtimit nga seanca.

Megjithatë, gjatë momentit që u ndërpre seanca, deputeti Noka i është drejtuar Edi Ramës duke i thënë: “Kush je ti ore, kush kujton se je? Ke b*th ti me i mbyll fjalën Sali Berishës ooo??!”.

Ndërkohë që Rama ia ka bërë me shenjë Nokës të dalë jashtë. Ish-kryeministri Sali Berisha i pyetur për fyerjen që i bëri Rama në Parlament, është përgjigjur me ironi. “Si ta thotë mendja që mund të më ofendojë mua Edi Rama?! Po ai të nderon çdo fjalë që të thotë. Edvin Shullazi! Problemi themelor është se kemi të bëjmë me mohimin e së drejtës së fjalës për procedurë”, tha Berisha.

SHERRI PA MIKROFON NË PARLAMENT

Vangjel Dule: Projektligji për minoritetet nuk sjell asnjë vlerë të shtuar, por me të rrahim ujin në hava për dy vjet e gjysmë. Përtej frustracioneve të ministrit të Jashtëm, që janë individuale ndaj vendeve të caktuara, por që fatkeqësisht i shndërron dhe në politikë të jashtme në dëm të interesave të vendit…

Edi Rama: Nëse nuk do të të njihja, do mendoja që e ke nga mendjeleshtësia, por duke të njohur si burrë të mençur, ti je i qëllimshëm sa herë që më vë mua në gojë gjëra që unë s’i kam thënë kurrë. Apo sa herë përpiqesh që të interpretosh ato që unë them. Ti je një minoritar, por ti nuk je minoriteti dhe je gjithmonë e më pak përfaqësues i denjë i atij minoriteti, i denjë për të gjithë respektin që ne i kemi dhënë dhe për respektin që i japim edhe me ligjin që kalojmë sot…

(Ramës i mbaron 2 minutëshi i replikës, Ruçi i pret fjalën)

Gramoz Ruçi: Zoti kryeministër, i mbaroi koha replikës.

Sali Berisha: Një ministri që është faktuar si dizastër, dështim i plotë dhe total në këto katër vitet e fundit dhe që tani i duhet një ligj për të thënë që unë kalova ligjin. Ky ligj është burimi i rivalitetit të klaneve mafioze në qeveri…

Edi Rama (pa mikrofon): A ti ke rrjedhur komplet…

(Berisha nuk reagon për ofendimin e Ramës)

Flamur Noka: Zoti kryetar, tërhiqi vëmendjen atij…

Gramoz Ruçi: Zoti Berisha, kaloi koha… Fjalën e ka zoti Rrokaj.

Flamur Noka: Tërhiqi vërejtje atij (Ramës), në rast se do të vazhdosh seancën. Më jep fjalën për procedurë.

Gramoz Ruçi: Nuk ka procedurë tani.

Flamur Noka: Nuk e vendos ti kur flasim për procedurë. E përcakton rregullorja, jo ti. Pse ça kujton se je, kryetar kooperative këtu?

Gramoz Ruçi: Fjalën e ka Shezai Rrokaj.

Flamur Noka: Je kryeparlamentar, nuk je xhandar aty…

Gramoz Ruçi: Zoti Noka, të tërheq vëmendjen… Ulu aty…

Flamur Noka: Më jep fjalën për procedurë, se nuk ka për të fol njeri këtu… Po qe se ky të ka caktuar për xhandar, këtu s’je xhandar. Harroje se do flasë njeri këtu.

(Noka bllokon foltoren)

Gramoz Ruçi: Zoti Flamur, je në kundërshtim me rregulloren. Po pengon deputetin të ushtrojë të drejtën e fjalës. Të tërheq vëmendjen për herë të tretë, zoti Noka.

Flamur Noka: Më jep fjalën për procedurë… Zbato rregulloren.

Gramoz Ruçi: Do detyrohem të marr masën për të të përjashtuar nga seanca. Edhe një herë po të them ulu.

Flamur Noka: Harroje se do më ulësh, më jep fjalën.

Bardh Spahia: Ore zbato rregulloren e Kuvendit, jepi fjalën.

Flamur Noka: Fshije nga mendja që të sillesh kështu me ne. Se të ka vënë ky (Rama) dhe ti kujton se të ka vënë për xhandar. Nuk të kemi frikë as ty, as këtë. O rrugaç.

Edi Rama: Kujt po i thua…?!

Flamur Noka: Ti je rrugaç, je rrugaç komplet… S’të vjen turp.

Gramoz Ruçi: Kur deputeti merr fjalën pa ia dhënë drejtuesi i seancës, pengon diskutantin për të shprehur diskutimet e tij. Pasi të kam dhënë vërejtjen tri herë, të njoftoj masën që përjashtohesh nga seanca.

Lulzim Basha: Ti po shkel rregulloren me sjelljen tënde. More vesh apo ajo?

Flamur Noka-Edi Ramës: Kush je ti ore, kush kujton se je? Ke b*th ti me i mbyll fjalën Sali Berishës ooo??! Ke b*th ti të merresh me Sali Berishën oooo?!!

(Pas ndërprerjes së seancës, Flamur Noka qëndron në sallë, nuk largohet nga Parlamenti. Pas rifillimit)

Gramoz Ruçi: Zoti Noka, duhet të lirosh sallën.

Flamur Noka: Zoti xhandar, më jep fjalën.

Gramoz Ruçi: Mos e shto zullumin se do thërras Byronë pastaj.

Flamur Noka: Zoti xhandar, më jep fjalën…

Lulzim Basha: Jepi fjalën deputetit.

Gramoz Ruçi: S’ka, lexo nenin 46. Lulzim Basha: Lexo 48-ën. Fjala jepet menjëherë.

Gramoz Ruçi: Lexo 66-ën. Deputeti Noka të lërë sallën.

(Seanca shtyhet në orën 17:00)

Gramoz Ruçi: Të lirojë sallën deputeti Noka.

Flamur Noka: Do ta lë sallën nëse ndëshkohet dhe lë sallën deputeti Rama.

Gramoz Ruçi: Seancën e deklaroj të mbyllur, seanca tjetër hapet të premten, në orën 8:30.

FATION BINJAKU/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura