Zbardhen rregullat e reja për shitjen e makinave. Si do veprohet me siguracionin

Jun 17, 2018 | 9:27
SHPËRNDAJE

DORINA AZO/ Rregullat e shitjes së makinave do të ndryshojnë. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka gati projektligjin e ri për sigurimin e detyrueshëm të mjeteve motorike, ku përfshin rregulla të reja për shitjen e makinave. Drafti i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare parashikon që në rast shitjeje të mjetit, kontrata e siguracionit nuk i kalon blerësit. Por nga ana tjetër, pronari i vjetër i makinës ka të drejtë të kërkojë kthimin e pjesës së mbetur të siguracionit.

Burime nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare thanë për gazetën se pronari i vjetër i makinës, në rast se nuk ka konsumuar të gjithë kontratën 1-vjeçare të siguracionit, ka të drejtë të kërkojë pranë kompanisë, ku ka nënshkruar kontratën, kthimin e primit. Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, pronarit të ri të automjetit, sipas rregullave të reja, i hiqet e drejta të mbajë kontratën e vjetër të siguracionit, pra, duhet të lidhë një kontratë të re.

makina-2

RREGULLAT E REJA TË SHITJES

Rregullat e reja për siguracionin e makinës në rast shitjeje parashtrohen në projektligjin e ri të siguracionit për mjetet motorike. Drafti është duke u konsultuar me grupet e interesit dhe ministritë e linjës dhe shumë shpejt pritet t’i kalojë për miratim Parlamentit. Ndryshimet janë përfshirë në nenin 25 të projektligjit ku parashikohet që, kur ndryshon pronësia e makinës gjatë periudhës së siguracionit, të drejtat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga kontrata e sigurimit nuk i kalojnë pronarit të ri. Pra, e thënë ndryshe, në rast se makina shitet, pronari i ri nuk mund të qarkullojë me siguracionin e vjetër. Me rregullat e reja, siguracioni digjet dhe pronari i ri i makinës duhet të lidhë një kontratë të re. Aktualisht, në rast se një makinë shitet dhe kontrata 1- vjeçare e siguracionit është konsumar për 6 muaj, blerësi mund të qarkullojë me siguracionin e vjetër për pjesën e mbetur të kontratës. Pas hyrjes në fuqi të projektligjit, rregullat për shitjen e makinës do të ndryshojnë. Siguracioni i vjetër do të digjet, pra, nuk mund të përdoret nga pronari i ri i makinës. Por pronari i vjetër ka të drejtë të kërkojë pranë kompanisë së siguracionit kthimin e parave për pjesën e mbetur të kontratës së siguracionit. “Pronari i ri i mjetit motorik duhet të lidhë kontratën e sigurimit, ndërsa pronari i vjetër ka të drejtë të kërkojë kthimin e pjesës proporcionale të primit, në rast se nga kjo kontratë nuk është paguar ndonjë dëm”, thuhet në projektligj.

TARIFAT E REJA

Edhe tarifat e siguracionit të makinave pritet të ndryshojnë. Në draftin e ri parashikohet zbatimi i sistemit bonus-malus për siguracionin e makinave. Sistemi parashikon që shoferët të ndahen në 18 kategori të ndryshme. Për çdo kategori, është vendosur edhe një koeficient. Ky koeficient është më i lartë për ata shoferë që bëjnë aksidente dhe më i ulët për ata që nuk bëjnë të tilla. Në varësi të historikut të aksidenteve të çdo shoferi do të ndryshojë edhe çmimi i siguracionit. Sipas këtij sistemi, parashikohet që të gjithë shoferët si dhe drejtuesit e rinj, pas hyrjes në fuqi të ligjit, të regjistrohen në klasën e 13-të, ose siç njihet ndryshe klasa hyrëse, e cila do të aplikohet mbi primin e rrezikut me koeficient me vlerë të barabartë me 1″. Për klasat nga 1 në 12, koeficienti do të zvogëlohet, ndërsa për klasat nga 14 deri në 18 do të rritet.

SHITJA E MAKINËS, SI DO VEPROHET ME SIGURACIONIN

NENI 25

Ndryshimi i pronësisë së mjetit

1. Në rast se ndryshon pronësia e mjetit gjatë periudhës së sigurimit, të drejtat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga kontrata e sigurimit nuk i kalojnë pronarit të ri.

2. Pronari i ri i mjetit motorik duhet të lidhë kontratën e sigurimit ndërsa pronari i vjetër ka të drejtë të kërkojë kthimin e pjesës proporcionale të primit, në rast se nga kjo kontratë nuk është paguar ndonjë dëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura