Zbardhen replikat/ Rektori Koni shfajëson Shullazin në gjyq, ja si i përgjigjet

Oct 20, 2017 | 16:00
SHPËRNDAJE

Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, u përball ditën e djeshme me Emiljano Shullazin në gjyq, në lidhje me kërcënimet që mori kur ishte kandidat në prill të vitit 2016. Emiljano Shullazi dhe Gilmando Dani në gjyq Koni, i thirrur në cilësinë e dëshmitarit, tha se kërcënuesi nuk i kishte përmendur asnjë emër dhe nuk i ishte prezantuar kur i kërkoi të tërhiqej nga gara.

Emiljano Shullazi
Emiljano Shullazi

Rektori tha se ai nuk i kishte përmendur as edhe një pasojë, nëse nuk do të tërhiqej, por se thjesht i kishte kërkuar që ta bënte një gjë të tillë. Gjatë momentit që ai dëshmonte, i pandehuri Emiljano Shullazi ndërhyri duke shprehur habi se përse dëshmitari ishte ndier i kërcënuar nga një kërkesë e tillë.

Shullazi tha se ai i kërkon dorëheqjen çdo ditë drejtorit të burgut dhe ai nuk ndihet kurrë i kërcënuar. Lidhur me emrat, Koni tha se nuk kishte folur për emra konkretë, as edhe në kallëzimin e Policisë. Ai nuk mundi ta identifikojë Shullazin si kërcënuesin e tij, duke shtuar se emrin ia kishte dëgjuar në Polici, kur po jepte kallëzimin.

Ai madje shtoi se në kohën kur u tërhoq nga gara përkohësisht nuk ndihej mirë dhe kishte probleme shëndetësore. Koni tregoi për takimin me Tahirin dhe Dhori Kulen, por pa e implikuar Shullazin në kërcënim.

DËSHMIA E KONIT

Prokurori: Çfarë detyre keni pasur në prill të vitit 2016, dhe a mbani mend ndonjë ngjarje? Mynyr Koni: Isha në garë për rektor të Universitetit të Tiranës. Mbaj mend që më 14 prill 2016 isha te Fakulteti i Shkencave të Natyrës, pasi ishte hapur gara për zgjedhjet në UT. Atë ditë, në mbrëmje, kur po kthehesha në shtëpi, rreth orës 20:30, sapo kalova një lokal, më ndalon një mjet pranë. Dëgjova dikë që më thërriti në emër: “Mynyr, hajde në makinë”. Hyra në makinë dhe pashë dy persona.

Njëri si shofer dhe tjetri si pasagjer që rrinte pas. Ai që ishte pas më kërkoi që të tërhiqesha nga gara. Unë u thashë se do të tërhiqesha. Biseda zgjati vetëm 10 sekonda. Pas asaj u largova menjëherë për në shtëpi. Isha i tronditur. Atë natë bisedova me familjen për sa më ndodhi dhe të nesërmen ndërpreva fushatën dhe si arsye dhashë ato shëndetësore.

Pas dy ditësh, i thashë Dhori Kules për ngjarjen dhe ai më erdhi në shtëpi ku edhe i dhashë më shumë detaje. Pas së premtes, dorëzova tërheqjen nga gara dhe mbylla telefonin. Të nesërmen më erdhën në shtëpi kancelari i UT-së dhe drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj.

Ky i fundit më tha se ministri i Brendshëm më kërkonte në një takim. Pranova dhe u takuam te Garda, ku ishin Tahiri, Nikolla, Hodaj, Kule, Çako etj. Më pyetën për ngjarjen dhe u thashë që nuk dija asgjë më shumë. Pastaj më thanë se duhet të bëja kallëzim.

Prokurori: Ishit vetëm kur u ndal mjeti?

Mynyr Koni: Po, po, isha vetëm.

Prokurori: Po emrat e të pandehurve, i kishit dëgjuar më parë?

Mynyr Koni: Jo, nuk i kisha dëgjuar asnjëherë deri sa u bënë publikë në media.

Prokurori: Po ndonjë karakteristikë të personit që ju kërcënoi, a mundët të evidentonit?

Mynyr Koni: Ishte shumë errësirë dhe nuk munda të shquaj gjë.

Avokati: Po emrat e të pandehurve, kur i dëgjuat për herë të parë?

Mynyr Koni: I dëgjova në media dhe portale, kur isha në Polici dhe po jepja kallëzimin.

Emiljano Shullazi: Pse u ndjeve i kërcënuar ti, se të tha ai tërhiqu nga gara?! Ai mund të ishte edhe student. Unë i them 100 herë në ditë drejtorit të burgut të dorëhiqet dhe ai nuk ndihet i kërcënuar…

Gjyqtari: Mos bëj komente, i pandehur…

Emiljano Shullazi: A t’u prezantua në emër?

Mynyr Koni: Jo, asnjëherë…

Emiljano Shullazi: A të përmendën ndonjë pasojë nëse nuk do të tërhiqeshe?

Mynyr Koni: Jo, nuk më thanë gjë.

Prokurori: Po pse u tronditët?

Mynyr Koni: Ishte një ditë e lodhshme, e ngjeshur me aktivitete dhe kisha tension. Edhe nga lodhja vlerësova të tërhiqesha.

Gjyqtari: Keni komunikuar me ndonjë person gjatë kësaj kohe?

Mynyr Koni: Jo, deri sa erdhi Dhori në shtëpi. Atij i thashë se kishte ndodhur diçka shqetësuese. Ai aty e mësoi. I thashë që jam sëmurë.

Gjyqtari: Për detaje apo emra, a folët me zotin Kule?

Mynyr Koni: Jo, nuk kam folur.

Gjyqtari: Po për mjetin, çfarë mundët të fiksonit?

Mynyr Koni: Isha në trotuar kur mjeti erdhi. Ishte “Benz” i zi. Nuk munda dot t’i shihja targën.

Gjyqtari: Në bisedë me ministrin, a folët gjë për emra konkretë?

Mynyr Koni: Nuk folëm për emra, u thashë vetëm që isha kërcënuar.

ERALD DELIU/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura