Zbardhen prapaskenat/ Si u arrit koalicioni “Aleanca për Ndryshim”! Çfarë ndodhi në selinë e PD dhe kush është aleati i Bashës që pati hatërmbetje

Feb 25, 2021 | 20:00
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ U deshën më shumë se 11 orë negociata intensive në mënyrë që Partia Demokratike të gjente dakordësinë me aleatët e saj për t’u bashkuar në një koalicion.

I pari që firmosi marrëveshjen në fakt ishte Fatmir Mediu i Partisë Republikane, i cili në ditët e mëparshme dukej se ishte larg marrëveshjes me PD-në. Në përfundim të takimit, në prani edhe të sekretarit të përgjithshëm të PR-së, Mediu tha se marrëveshja ishte firmosur pas shumë negociatash, ndërkohë që mbetet ende e hapur mënyra e përfaqësimit në listë.

“Është konsideruar çdo gjë që është e vlefshme për ta bërë sa më aktive çdo parti politike që të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ju do ta shikoni marrëveshjen dhe marrëveshja përcakton edhe raportin e partive politike si do të jenë.

Kjo është një marrëveshje që ka përmbledhur qëndrimet që i shërbejnë fitores. Marrëveshja i jep edhe autoritetin ligjor PD-së që të përcjellë në KQZ edhe raportet politike të çdo partie”, tha Mediu.

Ndërkohë, kreu i PR-së u rikthye sërish në darkën e djeshme për të kërkuar disa ndryshime në marrëveshjen sa u përket aspekteve teknike që në koalicion të mos jetë vetëm emri dhe logoja e PD-së, por edhe e partive të tjera në koalicion. Me radhë, pas Mediut, erdhi edhe z. Duka i PAA-së e më pas Dashamir Shehi i LZHK-së, i cili kishte dakordësuar për jo më shumë se 3 përfaqësues në të gjithë Shqipërinë, ndërkohë vetë do të jetë në listën e Tiranës.

Në orën 14:00 në selinë blu mbërriti kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi dhe sekretarja e përgjithshme Mesila Doda. Këta të fundit firmosën marrëveshjen dhe në dalje Idrizi tha se PDIU do t’i sjellë opozitës së bashkuar 40-50 mijë vota. “PDIU-ja do t’i afrojë aleancës mbi 40-50 mijë vota dhe padyshim që nuk është problemi i mandateve të PDIU-së, ne jemi për një sinergji të përbashkët që Shqipëria të fitojë”, u shpreh Idrizi.

HATËRMBETJET

Në mesin e aleatëve që iu bashkuan kreut të PD-së në vendimin për djegien e mandateve në 2019-ën pati edhe të pakënaqur. Nard Ndoka i demokristianëve refuzoi të firmoste marrëveshjen në fillim me PD-në. Pas një diskutimi në selinë blu me kreun e opozitës, ai u largua pa firmosur marrëveshjen.

Sipas burimeve të gazetës “Panorama.al”, mësohet se Ndoka nuk ka gjetur konsensusin me Bashën për të qëndruar në të njëjtin pozicion të listës siç ishte në vitin 2017, siç ishte dakordësuar po ashtu në marrëveshjen e firmosur në tetor të vitit 2019 pas disa muajsh kur ishin djegur mandatet.

Kreu i demokristianëve e ka konsideruar të papranueshme dhe është larguar. Më pas është dashur ndërhyrja edhe e aleatëve të tjerë si Mediu e Duka për të arritur një konsensus për të bërë të mundur siglimin e marrëveshjes nga ana e Ndokës.

Sakaq, mësohet se negociatat kanë mbetur ende të hapura për pozicionimin e Ndokës në Shkodër. Por vështirësi për të arritur marrëveshjen pati edhe mes PDsë dhe Frymës së Re Demokratike të Bamir Topit.

I dërguari i FRD-së, Sali Shehu, nuk pranoi të firmoste menjëherë, por ai u njoh me marrëveshjen dhe më pas u largua për t’u kthyer në limitet kohore të afatit. Marrëveshja mes tyre është firmosur pas orës 23:30 të mbrëmjes së djeshme.

Firmoset koalicioni i PD me Aleatet (4) Firmoset koalicioni i PD me Aleatet (2) Firmoset koalicioni i PD me Aleatet (1) Firmoset koalicioni i PD me Aleatet (3)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura