E PLOTË/ Panuçi-Mavraj, zbardhen prapaskenat në Kombëtare. Trajneri shfryn gjatë ndeshjes: Pse e futa…?

Nov 19, 2018 | 19:53
SHPËRNDAJE

Faji është i imi, nuk kanë faj lojtarët”, u shpreh Panuçi në media pas humbjes 0-4 nga Skocia. Pavarësisht të gjitha deklaratave dhe optimizmit që u mundua të japë apo edhe duke fajësuar mediat, Shqipëria u sakatua nga formacioni thuajse i dytë i Skocisë në “Loro Boriçi”.

E ndërsa pjesa e parë u vendos nga dy episode, në të dytën nuk u pa thuajse fare dora e trajnerit për të ndryshuar diçka, ose të paktën që skuadra të ruante nderin. Megjithatë, zgjedhjet e trajnerit duket se vendosen gjithnjë në momentin e fundit dhe se në jo pak raste ka ndodhur që ai të kryejë zëvendësime shpejt. Edhe kur nuk zëvendëson rreth mesit të pjesëve, shfaq “pendesë” për çfarë vendos të bëjë.

mavraj kartoni i kuq

PRAPASKENA – Gjatë të gjithë pjesës së dytë, trajneri Panuçi është parë shumë i heshtur. Italiani është vënë re nga kamerat se nuk ka komunikuar thuajse fare me futbollistët. Në fund të takimit ai tha ndër të tjera se çdo zgjedhje e tij ishte e gabuar dhe se merrte përsipër përgjegjësitë. “Panorama Sport” mëson një prapaskenë gjatë ndeshjes.

Trajneri përgjatë gjithë pjesës së parë ka “shfryrë” disa herë duke iu drejtuar ndihmësit të tij, Marko Kaseti: “Pse e futa Mavrajn? Pse ndërrova mendim dhe nuk nisa me Ismajlin”, ka qenë një pjesë e kritikave personale që italiani ka bërë, ndërkohë që ndeshja ka qenë në zhvillim e sipër. Sigurisht, nervat e momentit dhe  mërzia e mbetjes së ekipit me dhjetë vetë kanë bërë që të dalin ato fjalë dhe më tej, me të drejtë gjatë konferencave, italiani e pranoi se të gjithë janë të nxehtë pas takimit dhe se gjërat duhen vendosur me qetësi në një moment të dytë.

ANALIZA – Tone kritike, të bërtitura dhe gjestikulacionet e zakonshme. I nevrikosur dhe shumë i rreptë. I tillë është paraqitur trajneri Panuçi dje në seancën stërvitore, teksa në të paktën 20 minutat e para të saj ka mbledhur ekipin në një kënd të fushës sportive në “Tropikal”, për të qenë larg pozicionit të mediave. “Panorama Sport” mëson se i gjithë fjalimi i trajnerit Panuçi përpara futbollistëve, që kanë qëndruar të ulur ndryshe nga stafi teknik, ka qenë me tone të larta.

Trajneri ndër të tjera mësohet t’u ketë kërkuar llogari lojtarëve për mungesën e reagimit. Gjithashtu, për gabimet e shumta sidomos në startin e ndeshjes apo edhe për faktin se asgjë e përdorur gjatë stërvitjeve nuk vihet në zbatim në ndeshje. “Pse hidhni poshtë punën që bëjmë dhe nuk bëni gjatë ndeshjes asgjë që provojmë? Kaq shumë gabime në Kombëtare janë të papranueshme”, është shprehur ndër të tjera italiani me tone kritike përpara lojtarëve.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura