Zbardhen prapaskenat/ Nga Ina Rama, Majlinda Bregu e Neritan Ceka, zbulohen emrat që diskutohen në PD për postin e Presidentit!

May 19, 2022 | 11:11
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Pasi morën garancinë nga maxhoranca se do të kenë ekskluzivitetin për të propozuar kandidatë për President në dy raundet e mbetura ku kreu i shtetit zgjidhet me shumicë të cilësuar (me 84 vota), në kampin opozitar nisën diskutimet për emrat konkretë.

Capture

Gazeta “Panorama.al” ka zbardhur disa nga emrat që kanë qarkulluar gjatë këtyre ditëve në grupet opozitare. Mësohet se ish-ministri i Brendshëm i përkohshëm i qeverisë teknike të vitit 2017, Dritan Demiraj është personi i parë që është përfolur për t’u propozuar nga opozita si kryetar shteti.

EMRAT

Burime për gazetën “Panorama.al” konfirmuan se që nga ditët e para kur u hap debati për President, Dritan Demiraj u rikthye nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nisi menjëherë kontaktimin në mënyrë personale të deputetëve të opozitës për t’u kërkuar mbështetjen.

Megjithatë, Demiraj nuk është një nga kandidatët më të mundshëm për t’u vendosur para tryezës së socialisteve për t’u negociuar. Ndërkohë, një tjetër emër që është përfolur shumë nga grupi i deputetëve që kanë qenë larg Komisionit të Rithemelimit, ka qenë poeti dhe ishministri i Kulturës, Visar Zhiti. Poeti konsiderohet si një kandidat që plotëson kriteret e vendosura në draftin e Enkelejd Alibeajt. Visar Zhiti është shkrimtar, poet, gazetar dhe diplomat shqiptar. Ai ka lindur në Durrës, i rritur në Lushnjë, ku përfundoi shkollën e mesme në vitin 1970.

Visar Zhiti ka qenë i përndjekur nga sistemi komunist. Sakaq, një tjetër emër që duket se ka mbështetjen e shumë deputetëve brenda grupit të demokratëve është edhe ish-Kryeprokurorja Ina Rama. Duke qenë se aktualisht Rama mban një funksion të rëndësishëm në KPA, konsiderohet se plotëson kriteret e rëndësishme të kredibilitetit në profesion dhe nuk është subjekt i dekriminalizimit. Vlen të theksohet se ish-Kryeprokurorja nuk gëzon mbështetjen e ish-Kryeministrit Berisha. Sakaq, gazeta “Panorama.al” mëson se brenda Grupit të PD-së ka pasur zëra për të propozuar edhe ish-deputeten demokrate Majlinda Bregu për Presidente.

Megjithatë mësohet se emri i saj nuk ka marrë shumë mbështetje nga shumica e deputetëve. Ndërkohë që edhe publikisht deputeti i Elbasanit, njëkohësisht nënkryetari i Grupit Parlamentar, Luçiano Boçi, ka propozuar emrin e arkeologut Neritan Ceka si një kandidaturë të mirë për kryetar shteti. Nuk kanë mbetur pas as aleatët e vegjël të Partisë Demokratike. Agron Duka dhe Fatmir Mediu mbështesin kandidaturën e Dashamir Shehit për kryetar të shtetit. Edhe Shehi nuk shihet si një kandidaturë e favorshme brenda deputetëve të PD-së.

NEGOCIATAT DHE FORMULA E TYRE

Pas mbledhjes së zhvilluar në Kryesinë e Kuvendit me të mandatuarit e Partisë Socialiste për të negociuar për President, Enkelejd Alibeaj nisi të kontaktojë aleatët për t’i afruar në procesin e diskutimit brenda opozitës, për të shkuar në tryezën e negociatave me 4 emra të përbashkët. Ai ka diskutuar me kreun e PR-së, Fatmir Mediu dhe me znj. Mesila Doda, për ti bërë pjesë të negociatave.

Ndërkohë në orën 12:00 ka lajmëruar deputetët për mbledhje grupi në selinë e Partisë Demokratike. Për të propozuar formalisht një kandidat për President, duhen së paku 20 firma deputetësh. Por Partia Socialiste u tregua bashkëpunuese në këtë fazë dhe i la të hapur mundësinë opozitës që të vijnë me 4 kandidatura në tryezën e negociatave, nga ku do të përzgjidhet një për t’u votuar më 23 maj.

Në këtë kuptim, në mbledhjen që pritet të zhvillohet sot, do të pranohen propozime nga të gjithë deputetët. Nëse do të ketë më shumë se 4 emra që propozohen, atëherë do të kërkohet që secili prej emrave të hidhet në votim brenda grupit të deputetëve. 4 emrat që do të jenë më të votuarit, do të shkojnë në tryezën e negociatave me socialistët, nga ku do të zgjidhet njëri prej tyre dhe më pas do të mblidhen firmat mbështetëse për t’u votuar në Parlament. Ndërkohë, duket se jashtë procesit të negocimit për President mbetet grupi i deputetëve prej 17 ligjvënësish që mbështesin Berishën.

KANDIDATET E MUNDSHËM

  1. Visar Zhiti
  2. Ina Rama
  3. Dashamir Shehi
  4. Majlinda Bregu
  5. Dritan Demiraj
  6. Neritan Ceka

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura