Zbardhen prapaskenat e takimit në selinë blu/ “Bar do hamë e gjak do derdhim”, çfarë tha Ramiz Alia në 1990 dhe kuptimi historik i deklaratës së Yuri Kim për Sali Berishën e PD-në

Jul 31, 2021 | 12:55
SHPËRNDAJE

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rritur presionin ndaj Partisë Demokratike për t’u distancuar nga ish-lideri i saj, Sali Berisha, i cili është shpallur person non grata nga SHBA me akuzën se ka kryer korrupsion gjatë kohës që ka qenë në pushtet.

ramiz-alia-sali berisha-yuri kim

Një muaj nga vizita e ndihmëssekretarit të Shtetit në Detyrë për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, ambasadori Philip T. Reeker, kryediplomatja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, zhvilloi një takim në selinë blu me Lulzim Bashën në vijim të takimit që kishin pasur një muaj më parë, ku kryefjalë ishte çështja e ish-Presidentit të vendit, Sali Berisha.

Gazeta “Panorama” mëson se takimi i djeshëm, i cili zgjati 90 minuta, ishte kërkuar nga ambasadorja Kim dhe synonte të merrte një përgjigje në lidhje qëndrimin që do të mbajë PD ndaj Berishës në shtator. Protokolli i ambasadës amerikane erdhi në selinë blu me dy variante.

Një variant ishte që kryediplomatja Kim dhe kryedemokrati Basha të dilnin në një deklaratë të përbashkët, por nëse ky version do të pranohej nga lideri i PD-së. Ndërsa versioni tjetër ishte që ambasadorja do të bënte deklaratën e saj pas takimit, ashtu edhe sikurse ndodhi.

QENDRIMI PAS TAKIMIT

Në deklaratën e saj, ambasadorja e SHBA ishte e drejtpërdrejtë kur tha se do të ishte tragjike që Partia Demokratike, e cila rrëzoi komunizmin “do të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu”. Ndërkohë duket se kreut të selisë blu i ka lënë afat që të marrë vendim deri në shtator ku i kujton se duhet të zgjedhë të ardhmen kundrejt së kaluarës. Kujtojmë që gjatë fushatës zgjedhore për 25 prillin, akuzat kryesore të z. Basha ndaj kreut të PSD-së, Tom Doshi, i cili dha dorëheqjen pas zgjedhjeve, ishte fakti se Doshi ishte shpallur non grata nga SHBA dhe sipas PD-së, vendimi i DASH është njësoj si depërtimi, çka është subjekt i ligjit shqiptar të dekriminalizimit.

AMBASADORJA YURI KIM:

“Pata një diskutim shumë të mirë dhe të plotë me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, sot. Ishte në vijim të takimit që ai pati kur zv.ndihmëssekretari i Shtetit, Phil Reeker, ishte në Tiranë. Folëm për forcën e marrëdhënieve ShqipëriSHBA, rolin shumë të rëndësishëm që Partia Demokratike ka luajtur në vendosjen e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri si dhe rëndësinë që ka që Shqipëria të qëndrojë në rrugën e saj drejt Europës.

Nuk ka dyshim për rolin historik që Partia Demokratike ka luajtur, është i pazëvendësueshëm dhe i domosdoshëm dhe, në këtë kuptim, është lajm shumë i mirë që PD do të rikthehet në Parlament në shtator. Kuptoj që PD dhe të tjerë kanë shqetësime në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit dhe të gjithë e dimë që ato shqetësime janë pasqyruar në raportin përfundimtar të nxjerrë nga ODIHR. Do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme dhe e nevojshme që institucionet përkatëse t’i trajtojnë ato shqetësime në mënyrë kuptimplote dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin këto përpjekje për të përmirësuar në mënyrë konstante zgjedhjet dhe demokracinë në Shqipëri.

Teksa PD kthehet në Parlament, do të jetë shumë e rëndësishme që partia në pushtet, PS, të tregojë se është serioze për t’u ngritur mbi interesat partiake për hir të vendit. Do të doja të theksoja gjithashtu përgjegjësinë që kanë kryetarët e partive për t’u siguruar që kur të hyjnë në atë Parlament, të shoqërohen nga anëtarë që janë të denjë për të përfaqësuar Shqipërinë. Do të jetë veçanërisht e rëndësishme që edhe PD t’i mendojë këto çështje.

Siç e përmenda më parë, Partia Demokratike ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm, për ta nxjerrë këtë vend nga komunizmi, për ta çliruar nga diktatura. Do të ishte një ironi historike, por edhe një tragjedi për vendin, jo vetëm për partinë, nëse partia do të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu. Shpresa jonë është që partitë do të ecin përpara, që ky vend do të ecë përpara, që bashkëpunimi midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë të ecë përpara. E ardhmja po pret. Ka vendime të vështira përpara për të gjithë. Shpresoj që të gjithë të mund të pushojnë mirë gjatë gushtit, por shpresoj edhe që të kthehen të freskët dhe të ripërtërirë në vendosmërinë e tyre për të zgjedhur të ardhmen kundrejt të kaluarës. Faleminderit shumë”.

SALI BERISHA

“Unë dua t’i rikujtoj zonjës ambasadore se ke gabuar rëndë me barin që iu përmende demokrateve. Në këtë kontekst shprehja juaj se PD-ja nuk mund të hajë bar është një fyerje për çdo demokrat dhe për çdo shqiptar, të cilët citate të ngjashme i kanë dëgjuar vetëm në diktaturë apo nga racistë albanofobë. Së fundi, nuk e di nëse takimi i sotëm i znj. ambasadore Kim ka ndonjë nxitje nga denoncimi im i marrëveshjes së dyshimtë që u njoftua se u arrit në prani dhe me nxitjen tuaj midis kryetares së KLGJ-së, Llagami dhe institutit “East West” që sipas burimeve amerikane drejtohet nga Delina Fico. Duke ju kërkuar mundësisht të bëni transparente këtë marrëveshje, ju siguroj së sikundër deri sot do të denoncoj çdo aferë të dyshimet nga cilido dhe pa asnjë hezitim. Shqiptarët janë njerëz të lirë dhe më dinjitet që nuk meritojnë bar, por transparencë!”

“Bar do hamë e gjak do derdhim”, çfarë tha Ramiz Alia në 1990

Deklarata e ambasadores Yuri Kim dje nga selia blu “Do të ishte një ironi historike, por edhe një tragjedi për vendin, jo vetëm për partinë, nëse partia do të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu”, tërhoqi mjaft vëmendje. Por duket se mesazhi i kryediplomates ka qenë i qartë lidhur edhe me historinë e Shqipërisë.

Pas demonstratave të 25-26 marsit të vitit 1990, Partia Komuniste zhvilloi një mbledhje ku drejtuesi i saj në atë kohë, Ramiz Alia, u shpreh: “Duhet të jemi të ndërgjegjshëm që pa liri e pavarësi nuk ka socializëm, ashtu si pa socializëm nuk ka liri e pavarësi.

Prandaj duhet të qëndrojmë fort e të mos tundemi në mbrojtjen e parimeve themelore, siç janë çështja e lirisë dhe pavarësisë kombëtare, çështja e rolit udhëheqës të partisë, çështja e pushtetit popullor dhe e pronës shoqërore. Këto parime do t’i mbrojmë me konsekuencë pa bërë asnjë lëshim. Ne do hamë dhe bar, do të derdhim dhe gjak, po qe nevoja për lirinë e pavarësinë e vendit, ashtu siç do derdhim edhe për mbrojtjen e socializmit, të partisë e të pushtetit popullor”. Ndërkohë që mesazhi i kryesiplomates ka qenë i qartë që PD të mos bëhet si komunistët, të cilët sakrifikonin të ardhmen e vendit për socializmin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura