Zbardhen prapaskenat e Kuvendit të 11 dhjetorit/ Floriana Garo: Nuk do ketë më dy grupime! Do nisë në “Air Albania” e përfundojë në selinë e PD

Dec 9, 2021 | 10:19
SHPËRNDAJE

Drejtoresha e Komunikimit të “Foltores”, Floriana Garo, ka zbuluar disa nga prapaskenat dhe ato që pritet të ndodhin në Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit të thirrur nga ish-Kryeministri Sali Berisha.

florianagaro

Gjatë një interviste në “Ora News”, Garo ka deklaruar se Kuvendi do të nisë në orën 10 në stadiumin “Air Albania” dhe do të përfundojë në selinë e PD-së.

Sipas Garos, në stadium do të ketë një ndarje të delegatëve që kanë firmosur për mbajtjen e Kuvendit dhe anëtarësisë së thjeshtë me qëllim për të qenë sa më transparentë mbi këtë proces të rëndësishëm brenda PD-së.

“Do mbahet në ‘Air Albania’, do të nisë në orën 10. Janë mbledhur rreth 5200 firma të delegatëve. Delegatët që kanë firmosur do të jenë në një zonë krejtësisht të veçuar nga pjesa tjetër e simpatizantëve, anëtarëve dhe të gjithë atyre që duan të jenë prezentë. Kuvendi do të nisë në ‘Air Albania’ dhe do të përfundojë në selinë e PD-së. Duam t’i sigurojmë sa më shumë transparencë mediave dhe anëtarëve”, tha drejtoresha e Komunikimit të “Foltores”. 

Garo nuk dha detaje tjera se çfarë synohet me “do përfundojë në selinë e PDsë, por shtoi se deri në datën 11 nuk do të ketë “Foltore” tjetër.

E pyetur se sa ditë do zhvillohet Kuvendi dhe çfarë vendimesh do merren, Garo deklaroi se të gjitha vendimet për të ardhmen e PD-së do të merren në këtë Kuvend Kombëtar, duke theksuar se pas 11 dhjetorit nuk do jetë më dy grupime të Partisë Demokratike.

Zëdhënësja e “Foltores” shtoi se shpreson që Kuvendi do të nisë dhe përfundojë më 11 dhjetor me vendimet e duhura për të ardhmen e kësaj force politike në të mirë të opozitës së vendit. “Deri në datën 11, nuk do të ketë ‘Foltore’ tjetër.

Ne shpresojmë që Kuvendi do të nisë dhe përfundojë më 11 dhjetor. Të gjitha vendimet do të merren në Kuvend. Qëllimi ynë është të shkojmë në selinë e PDsë. Por, vendimet do të merren në Kuvend. Ky Kuvend do shprehë vullnetin e demokratëve, vullnetin e anëtarësisë. Anëtarësia që ka qenë deri më sot e nënvlerësuar, po merr në dorë fatin e partisë dhe besoj që ky vullnet do shprehet më së miri.

Pas 11 dhjetorit, nuk do ketë më dy grupime, por do ketë vetëm një Parti Demokratike, që shpreh vullnetin e demokratëve, që shpreh vullnetin e anëtarësisë. Nuk do ketë më dy grupime të Partisë Demokratike”, tha Garo. Kujtojmë që përplasja në PD erdhi pas vendimit për përjashtimin e përkohshëm nga grupi parlamentar demokrat i ishKryeministrit Sali Berisha pas shpalljes së tij “non grata” nga DASH-i.

Ky vendim i kryetarit Lulzim Basha nuk u prit mirë nga Berisha dhe mbështetësit e tij, të cilët nisën turin e takimeve me demokratët “Foltore”, për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar që do të mbahet këtë të shtunë.

Nga ana tjetër, edhe kryedemokrati Basha ka thirrur një Kuvend Kombëtar në datën 18 dhjetor, ndërsa të cilin e quan Kuvendi i bashkimit të demokratëve. Floriana Garo ishte rreshtuar në krah të Bashës para dhe pas zgjedhjeve, por prej disa ditësh ajo është rreshtuar me Berishën, drejtoresha e Komunikimit të “Foltores”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura