Zbardhen përgjimet/ “Më ka shkrujt çuni i Mondit, futi një 10 mijë lekësh”, si u kap grupi i basteve

Feb 26, 2020 | 10:17
SHPËRNDAJE

BLEONA METUSHI/ Një hetim 7-mujor i Prokurorisë së Tiranës që përmban përgjime, vëzhgime në terren dhe veprime stimuluese për blerje skedinash dhe vendosje bastesh çuan në pranga 115 persona dhe zbardhën skemën.AKSIONI

Gjatë seancës për vlerësimin e masës së sigurisë, Prokuroria ka paraqitur para Gjykatës si prova komunikimet e gjetura në celularët e personave të arrestuar, blloqe shënimesh, me mbishkrime “borxhe bastesh” dhe jo vetëm. Me urdhër të Prokurorisë, disa agjentë kanë shkuar nëpër lokale ku kishte dyshime se vendoseshin baste dhe kanë kërkuar nga kamerierët se si mund të vendosnin.

Sipas Prokurorisë, “janë kryer të njëjtat veprime në dhjetëra ambiente në kryeqytet, në të cilat janë mbajtur dhe aktet përkatëse mbi veprimtarinë e kundërligjshme”. Prokuroria konsideron Gramoz Muratajn personin kryesor, që është drejtuesi i lojërave të fatit, i cili ka qenë ortak i kompanisë së basteve sportive “ISTGA”.

Ndërkohë, në një rast, nga përgjimet ka rezultuar se një prej personave të implikuar dhe arrestuar është munduar të ndërhyjë për mosarrestimin e dy personave të njohur të tij dhe mossekuestrimin e telefonave, por është arrestuar me iniciativë nga oficerët e Policisë.

PJESË NGA KËRKESA E PROKURORISË AGJENTËT E INFILTRUAR

“Mbi bazën e autorizimit nga shërbimet e Policisë Gjyqësore në lidhje me këtë procedim, agjentët e infiltruar me numër kodik 328, në vendin e quajtur parku “Nshrak”-ut, në rrugën Sali Butka, Tiranë, pasi kanë konstatuar lokalin me shumë televizorë që jepnin ndeshje sportive, kanë pyetur kamerierin, të cilit i kanë kërkuar nëse mund të vendosnin bileta basti.

Ai u ka thënë prisni për një çast, më pas u ka thënë se si e kishin emrin dhe sa lekë donin të vendosnin që t’u hapte llogarinë online. Ndërsa kamerieri u ka thënë se mund të vendosnin sa të donin. Agjenti i kanë thënë t’i vendoste 2 mijë lekë të reja si fillim dhe se quhej Denis (emër i rremë). Kamerieri i thotë vendose www.linkundata1111.com ku kërkohej “username”.WhatsApp-Image-2020-02-21-at-12.01.55-1-772x579-1

 

Dhe nëse ishte fitues, lekët ai do t’i merrte më pas te banaku. Në përfundim të shërbimit, kamerieri për konsumin e pjesës së barit i ka ofruar faturën me Nipt, që i përket shtetases Rovena Dedej. Ku në të njëjtin lokal, në të njëjtën ditë, kanë vendosur edhe 1 mijë lekë të reja. Veprime këto të cilat janë përgjuar sipas autorizimit të prokurorit. Në datë 27.12.2019, nga agjenti i infiltruar me kodin “328”, i cili ka shkuar sërish në lokalin e mësipërm dhe ka bërë një blerje të simuluar në vlerën 2 mijë lekë në emrin Denis në ‘website data1111.com’ me fjalëkalimin 12345.

Në datën 27.12.2019, nga agjenti i infiltruar me kodin “Toni”, rreth orës 16:00 në rrugën e Qelqit Kombinat, lokal i cili shërbente për pije dhe qebaptore, është bërë një blerje skedine në një vlerë 5.150 lekë. ‘Account’ me kodin 3155 me emër ‘Reds.6nw.websitelux777.net’, si dhe numrin e kamerierit të lokalit. Rastet e paraqitura më sipër janë vetëm disa nga episodet e hetimit përmes stimulimit, ndërkohë që janë kryer të njëjtat veprime në dhjetëra ambiente në kryeqytet, në të cilat janë mbajtur dhe aktet përkatëse mbi veprimtarinë e kundërligjshme.

GRAMOZ MURATAJ

Gjatë kontrollit të ushtruar në datën 20.02.2020 në orën 22:00, pranë vendit të quajtur “Kompleksi Kika”, në ambientet e kompanisë “B-Servis”, ky person së bashku me 7 persona të tjerë, kanë qenë duke ushtruar aktivitetin e vënies dhe monitorimin e basteve online në një ambient të përshtatur enkas për ushtrimin e kësaj veprimtarie. Këtij personi i janë konstatuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: një sasi e konsiderueshme monetare në lekë dhe valutë e konkretisht në vlerat prej 6 900 000 lekë, 16 480 euro dhe shuma 15 000 dollarë. I është gjetur një aparat celular i markës “Iphone”, një njësi kompjuterike PC dhe disa mandate pagesash bankare. Ky shtetas dyshohet se është drejtuesi kryesor i lojërave të fatit dhe ka qenë ortak i kompanisë së basteve sportive “ISTGA”.

Arrestimi në flagrancë i tij është kryer për veprat penale të “Organizimi i lotarive të palejuara”, kryer në bashkëpunim. “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” e kryer në bashkëpunim, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Shtetas Fjorald Bega, Ermir Dimashi, Klaudio Xhufi, Ervin Hakani, Bajron Xhani, Dritan Forssan dhe Ervis Kalemaj janë arrestuar në flagrancë në të njëjtat kushte si Gramoz Murataj.

SOTION BUNEI

Gjatë kontrollit të kryer në datën 20.02.2020 në orën 22:40, në një lokal pranë shkollës së mesme “Partizani”, i është gjetur me vete dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: një aparat celular i markës “Iphone”, nga këqyrja e të cilit janë konstatuar komunikime dhe adresa bastesh sportive online, si dhe skedina me shuma të konsiderueshme. Nga këqyrja janë shkarkuar disa biseda, dy prej të cilave me tekst: “hape një llogari 5 milionë lekë dhe 5 mijë euro dhe ma nis në ‘WhatsApp’ si ta hap” dhe biseda tjetër “www.teb999.com ma ço kodin Tabaku33 123456 ok”. Ndaj këtij shtetasi janë transkriptuar një pjesë e përgjimeve dhe gjenden në proces një sërë syresh, si dhe janë administruar vëzhgime në lidhje me aktivitetin e tij kriminal në fushën e basteve sportive.

ELVIS MULAJ

I arrestuar në datën 21.02.2020 në orën 05.00, pasi gjatë kontrollit në ambientin e administruar nga ky shtetas, janë konstatuar dhe administruar në cilësinë e provës materiale: 14 kompjuterë PC së bashku me monitor të markave IBM, HP, DELL, Fujitsu etj. dhe një aparat celular. Rezulton se gjatë veprimeve stimuluese, këtij personi i janë bërë blerje nga agjentët e infiltruar. Arrestimi në flagrancë i tij është kryer për veprat penale të “Organizimi i lotarive të palejuara, kryer në bashkëpunim”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara, kryer në bashkëpunim”, “Fshehje e të ardhurave” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

RENATO SEITLLARI

Është ndaluar në datën 21.02.2020 nga ana e OPGJ-së në komunikim me Prokurorinë, pasi nga interceptimi i përgjimeve telefonike ka rezultuar se ky shtetas ka komunikuar me disa persona të tjerë, duke u interesuar për një person me emrin Mondi, i cili është shoqëruar në Komisariatin e Policisë nr. 2, për t’u proceduar për aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit. Komunikimet e Renato Seitllarit tregojnë se është organizator dhe interesi i tij nga komunikimet tregon se është insistues që Mondi dhe personi tjetër i shoqëruar të mos arrestohen. Për të mos u arrestuar, ai ka komunikuar me disa numra të ndryshëm telefoni. Ai ka komunikuar edhe me numrin e telefonit 0698495xxx, të cilit i drejtohet me emrin avokat “Ylli”. Ndër të tjera, Yllit i kërkohet që të mos arrestohen ditën e shoqërimit dhe më pas, nëse ai ka mundësi që t’ju marrë edhe telefonat celularë, në mënyrë që të mos iu sekuestrohen. Nga transkripti i deritanishëm, rezultojnë komunikimet e datës 27.10.2019, mbi interesin e tij për të mos u arrestuar dy persona të shoqëruar në Komisariatin nr. 2, ndërsa nga kontrolli i kryer është sekuestruar në cilësinë e provës materiale një aparat telefonik i markës “Iphone 11”, për të cilin nuk ka pranuar ta zhbllokojë, me qëllim këqyrjen e tij.

RELAND NURÇELLARI

I arrestuar në datën 21.02.2020 në bazë të vendimit të Gjykatës së Tiranës, pasi gjatë kontrollit në lokalin e tij janë konstatuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale aparati telefon “Samsung” ku nga këqyrja paraprake, konstatohet vendosje bastesh të ndryshme sportive, gjithashtu konstatohet një ‘sms’ në telefonin e tij nga shtetasi “Koli Kom” ku i kërkohet të bëjë kujdes, pasi nga nesër do të ketë lëvizje. Rezulton se historiku i basteve të jetë fshirë.

ENEA GJONI

I arrestuar në datë 21.02.2020, sepse në datë 20 janar në orën 22:00, gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e tij i janë sekuestruar: Një aparat i markës “Iphone”, dy njësi kompjuterike të markës Dell, një DVR me pamje filmike. Këtij shtetasi i janë gjetur komunikime në aparatin celular si: “Ergi futi i 10 mijë lekësh se më ka shkruar ky çuni i Mondit… t’i fusim 10 atij… e mo burr”. Në telefon janë gjetur dhe shumë biseda të tjera për marrje porosish dhe vendosje bastesh.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura