Zbardhen dy vrasje të mbetura në tentativë, kush janë autorët e dyshuar, mes tyre një femër. Nga pagesa 20 mijë euro tek dështimi për ekzekutimin e policit

Jan 27, 2022 | 12:16
SHPËRNDAJE

Policia e Tiranës ka zbardhur dy vrasje të mbetura në tentativë dhe emrat e autorëve të dyshuar të tyre.

Policia bën me dije se në datën 14 janar të këtij viti, në Fushe-Krujë, shtetasit Ibrahim Difaj, Shpetim Kraja dhe shtetasja E. V kanë tentuar të vrasin një efektiv policie gjatë një ndjekjeje si nëpër filma.

Ndërkohë që më datë 17.08.2021, në Fushë Kuqe, autorët e dyshuar, shtetasit Ibrahim Difaj, Ilirian Feçi kundrejt pagesës 20.000 euro, të bërë nga shtetasi Robert Laci, kanë tentuar të vrasin shtetasin A. Gj.

NJOFTIMI I POLICISE

Nga puna e bërë deri tani rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kohë dhe vende të ndryshme, janë autorë të dyshuar të ngjarjeve si më poshtë:

“Vrasja e mbetur në tentativë e punonjësve të Policisë” e kryer në bashkëpunim, “Armëmbajtja pa leje”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, ngjarje e ndodhur më datë 14.01.2022, në Fushë-Krujë, autor të dyshuar të të cilës janë shtetasit Ibrahim Difaj, Shpetim Kraja dhe shtetasja E. V.

Më datë 14.01.2022, në Qafë Kashar, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi një mjeti, drrejtuesi i të cilit nuk ka ndaluar dhe është larguar në drejtim të Fushë Krujës. Në tentativë për t’u larguar, mjeti është përplasur më një bordurë dhe personat që ndodheshin në mjet, kanë dalë duke qëlluar me armë zjarri në drejtim të punonjësve të Policisë dhe duke përfituar nga errësira janë larguar duke braktisur mjetin.

“Vrasja” e mbetur në tentativë e shtetasit A. Gj., ndodhur më datë 17.08.2021, në vendin e quajtur fshati Adriatik, Fushë Kuqe. Autorë të dyshuar të kësaj ngjarjeje janë shtetasit Ibrahim Difaj, Ilirian Feçi dhe Robert Laci.

Më datë 17.08.2021, shtetasit Ibrahim Difaj dhe Ilirian Feçi, kundrejt pagesës 20.000 euro, të bërë nga shtetasi Robert Laci, kanë tentuar të vrasin shtetasin A. Gj.

TE ARRESTUARIT

Si rezultat i këtij operacioni është bërë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasve:

– Ibrahim Difaj, 31 vjeç, banues në Kurbin;

– Damjan (Besmir ) Lleshaj (Prela), 34 vjeç, banues në Mamuras, Kurbin, i dënuar më parë për vjedhje;

– Robert Laci, 52 vjeç, banues në Fushë-Krujë;

– Ilirian Feçi, 47 vjeç, banues në Durrës, i dënuar në Itali, për grabitje të bankave dhe trafikim të lëndëve narkotike;

Është arrestuar në flagrancë shtetasi Erion Mulaj, 30 vjeç, banues në Durrës.

Janë proceduar në gjendje të lirë shtetasit: M. M., 67 vjeç, banues në Durrës dhe E. V., 30 vjeçe, banuesë në Kurbin.

Gjithashtu, është shpallur në kërkim shtetasi Shpetim Kraja, 35 vjeç, banues në Shkodër, i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura