Zbardhen dy draftet e opozitës së re për Kodin Zgjedhor. Hapje të listave me jo më pak se 2/3, ulje e pragut dhe…

Sep 25, 2020 | 19:56
SHPËRNDAJE

ARDIT HOXHA/ Pas draftit të Partisë Socialiste kanë marrë formë edhe dy draftet e opozitës parlamentare në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, si reflektim i ndryshimeve kushtetuese që u votuan në seancën e 30 korrikut.

Parlamenti-opozita-e-re1

Njëri i firmosur nga disa deputetë dhe me nismëtar Myslim Murrizin dhe tjetri i dorëzuar nga deputeti i Bindjes Demokratike, Andi Përmeti, në thelb të tyre janë të njëjtë, me vetëm disa ndryshime të vogla.

Në të dyja draftet e paraqitura dje në Kuvend kërkohet hapja e listave, si çështja kryesore e kërkesave të opozitës parlamentare në këta 18 muaj të ekzistencës së saj, pasi u larguan PD-ja dhe LSI-ja nga Kuvendi.

Duke filluar nga forma e hapjes së listave me të paktën 2/3, pragu zgjedhor, por edhe depolitizimi i administratës zgjedhore, ky draft i paraqitur dje nga opozita parlamentare i afrohet shumë propozimit që lakonte gjatë muajit korrik Kryeministri Rama, kur diskutoheshin ndryshimet kushtetuese. “I vetmi problem për ne për hapjen e listave 100% është mbajtja e kuotave. Nëse nuk ka një mekanizëm të besueshëm, mos prisni nga ne hapjen e listave 100%”, deklaronte Kryeministri në korrik.

DRAFTI I MURRIZIT

Në draftin e iniciuar nga Myslim Murrizi kërkohet që listat të jenë të hapura me të paktën 2/3 e tyre, por lihet e hapur mundësia për partitë që duan ta hapin listën në masën 100%.

“Shpërndarja e mandateve fillon me rirenditjen në rend zbritës të kandidatëve në bazë të votave parapëlqyese të secilit prej tyre. Në rastet kur numri i votave parapëlqyese është i barabartë, renditja caktohet me short. Nga rirenditja përjashtohen kandidatët që nuk i janë nënshtruar votimit parapëlqyes, nëse ka pasur të tillë, të cilët marrin pjesë të parët në shpërndarjen e mandateve”, thuhet në pikën 2 dhe 3 të draftit. Një tjetër pikë interesante në këtë draft është edhe ajo ku flitet për administratën zgjedhore. Në pikën 3 të nenit 95 në draftin e Myslim Murrizit thuhet:

“Anëtarët e grupeve të numërimit përzgjidhen me short nga KQZ-ja midis personave të trajnuar dhe certifikuar për komisionerë ose anëtarë GNV-je nga programet e trajnimit që KQZ-ja organizon për këtë qëllim. Anëtarët e zgjedhur duhet të jenë nga administrata zgjedhore dhe jo përfaqësues të subjekteve politike”.

Ky propozim ngjason me ato që thoshte Kryeministri pak muaj më parë: “Depolitizimi i administratës zgjedhore ka të bëjë me një gangrenë 30- vjeçare të nënvizuar për çdo zgjedhje nga ODIHR-i lidhur me politizimin e skajshëm të administratës zgjedhore dhe nevojës për depolitizim”. Gjithashtu, një pikë me rëndësi në draftin e Myslim Murrizit ka të bëjë edhe me mundësinë që i jepet kryetarit të një partie për të garuar në dy zona zgjedhore.

“Kandidati për deputet, i regjistruar në një listë shumemërore në një zonë zgjedhore, ose kandidati për kryetar bashkie apo për këshillin e bashkisë, përjashtuar kryetari i partisë, nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë zgjedhore tjetër, qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni tjetër dhe as si të propozuar nga një grup zgjedhësish”, thuhet në pikën 3 të nenit 67 sipas draftit të PS-së. Më tej, në këtë draft propozohet që pragu elektoral të jetë vetëm 1% në rang kombëtar, përkundër 3% që propozohet në draftin e PS-së.

DRAFTI I PËRMETIT

Ndërkohë, në draftin e dorëzuar në Kuvend nga deputeti Andi Përmeti nuk është e përfshirë pika ku i garantohet kryetarit të partisë garimi për mandatin e deputetit. Gjithashtu, edhe për pragun zgjedhor, në draftin e prezantuar nuk ka asnjë parashikim për sa dhe si duhet të jetë. Në draftin e deputetit Përmeti nuk ka asnjë parashikim për depolitizuar as për administratën zgjedhore. VOTIMI Vlen të theksohet se përtej debatit në seancën plenare, por edhe drafteve në Kuvend për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, opozita dje i është bashkuar sërish PS-së. Treguesi më i qartë i kësaj gjëje ishte votimi për ministren e re të Arsimit, ku u numëruan plot 104 vota pro Evis Kushit në postin e ri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura