Atentati i dështuar ndaj “Leksit të druve”/ Si i shpëtoi plumbave 42-vjeçari! Ja pista ku po hetohet ngjarja

Dec 2, 2020 | 9:19
SHPËRNDAJE

Qyteti i Lezhës nuk ka gjetur qetësi ditën e djeshme, pasi brenda disa orësh janë shënuar dy atentate, fatmirësisht pa viktima.

aleksander doda lezhe

Rreth orës 18:00, në aksin rrugor Lezhë-Milot Policia ka marrë njoftimin se është qëlluar me armë në drejtim të një personi. I plagosur ka mbetur shtetasi Aleksandër Deda, 42 vjeç, i njohur ndryshe edhe si “Leksi i druve”. Ky i fundit ka mbetur i plagosur rëndë me një plumb në gjoks, ndërsa është transportuar menjëherë për në Spitalin e Traumës në Tiranë, në mënyrë që të merrte një mjekim më të specializuar si pasojë e plagës së rëndë.

Sipas informacioneve të dhëna nga uniformat blu në Policinë e Lezhës, mësohet se autorët që tentuan të vrisnin 42-vjeçarin kanë qenë dy, ndërsa dështuan në ekzekutimin e objektivit të tyre.

Atentati ndaj “Leksit të druve” ka qenë i mirëorganizuar thanë burimet, pasi autorët kur kanë qëlluar ndaj Dedës janë larguar me shpejtësi duke djegur edhe makinën me të cilën udhëtonin. Brenda saj, kanë lënë edhe armën e krimit, në mënyrë që të humbasin gjurmët nga ngjarja e ndodhur pasditen e djeshme. Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, Policia e Lezhës po heton të shkuarën e 42-vjeçarit jashtë Shqipërisë, ku edhe ka jetuar për shumë vite.

NGJARJA

Autorët, sipas burimeve, e kanë mirëorganizuar atentatin ndaj 42-vjeçarit. Këtë të fundit, ata e kanë ndjekur hap pas hapi dhe në momentin kur qarkullonte në aksin e vjetër Lezhë-Milot, zonë jo shumë e banuar, ata kanë qëlluar ndaj Dedës nga makina tip “Audi”.

42-vjeçari ka manovruar dhe ka shtuar shpejtësinë duke i shpëtuar breshërisë vetëm me plagë, ndërsa ka shkuar vetë deri në afërsi të Spitalit të Lezhës me makinën e tij. Më pas duke parë gjendjen kritike, Spitali i Lezhës e ka transportuar në drejtim të Tiranës për mjekim më të specializuar. Pasi dështuan për ta ekzekutuar, autorët janë larguar me shpejtësi duke djegur makinën vetëm disa minuta më pas pranë rrugës kryesore në fshatin Zejmen.

Brenda “Audi”-it të autorëve u gjet edhe një armë zjarri, ndërsa targa ishte hequr. Aleksandër Deda është një emër i njohur në qytetin e Lezhës, ndërsa kohët e fundit po ndërtonte një lokal në shëtitoren e Drinit. Policia ende nuk ka një pistë konkrete, ndërsa pritet që të marrë dëshminë e vetë shënjestrës së këtij atentati. Shërbimet e Policisë Lezhë dhe FNSH-ja po krehin zonën si dhe ngritën pika kontrolli menjëherë pas ngjarjes me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Ndërkohë, në vendin ku ndodhi ngjarja burimet thanë se nuk ka pasur ndonjë person tjetër të pranishëm. Ata thanë se do të mblidhen të gjitha pamjet e sigurisë që mund të gjenden në bizneset që ndodhen në zonën e ngjarjes, çka mund të ndihmojnë në identifikimin e autorëve.

LEXO EDHE:

Të shtënat me armë/ Policia jep detaje për ngjarjen në aksin Lezhë-Milot, zbardhet identiteti i të plagosurit, që u nis me urgjencë të spitali i Traumës

Pas të shtënave me armë, gjendet një makinë e djegur pak metra larg ngjarjes/ Ja çfarë u gjet brenda mjetit dhe ç’bënë autorët para se ti vinin flakën

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura