Zbardhen batutat për veshjen e deputetëve. Xhafaj: Mos hajdeni me T-shirt, vishni këmishë e kollare

Jul 2, 2015 | 8:55
SHPËRNDAJE

Mënyra e veshjes së deputetëve në ambientet e Kryesisë së Kuvendit është bërë qendra e diskutimit të djeshëm në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. Kryetari i Komisionit, Fatmir Xhafaj, u ka tërhequr vërejtje kolegëve të tij parlamentarë për mënyrën e shkujdesur me të cilën paraqiten në Kuvend, duke kërkuar prej tyre që të respektojnë kodin e etikës dhe pozicionin e deputetit.

Komisioni i Ligjeve

Sipas Xhafajt, një pjesë e deputetëve paraqiten në komisionet parlamentare me Tshirt apo veshje të papërshtatshme, ndaj edhe kërkoi prej tyre të jenë më seriozë duke u veshur me këmishë dhe kollare, siç u ka hije ligjvënësve.

Pjesë e diskutimeve dhe batutave që deputetët e Komisionit të Ligjeve kanë shkëmbyer mes tyre ka qenë edhe bluza që Kryeministri Rama përdori përgjatë gjithë fushatës elektorale me numrin 23. Ishte deputeti Nard Ndoka që me humor ka pyetur kolegët e tij nëse mund të përdorej në komision bluza me numër 23 që Rama përdori në fushatë.

Pjesë e debatit është bërë edhe deputeti i qarkut të Tiranës, Dashamir Peza, i cili ka kërkuar nga kryetari Xhafaj që të mos kushtëzojë mënyrën e veshjes së kolegëve të tij, për aq kohë sa nuk ka një ligj që të rregullojë mënyrën e veshjes. Këtij reagimi, kryetari i Komisionit Fatmir Xhafaj i është përgjigjur duke u kujtuar kolegëve të tij deputetë se brenda dy javësh do të miratohet në Parlament kodi i sjelljes së deputetëve, i cili do t’u imponojë ligjvënësve mënyrën serioze të veshjes brenda institucioneve qeveritare.

“Të enjten tjetër vjen ligji për Kodin e Etikës. Po nuk besoj se ka nevojë t’ju mësojmë se si duhet të silleni. Vetëm shqiptarët duan t’i mësosh si të ecin në vijat e bardha…”, u shpreh Xhafaj. Shqetësimin lidhur me mënyrën e veshjes së deputetëve dhe përfaqësuesve të institucioneve qeveritare në Kuvend, Xhafaj e shprehu edhe dy ditë më parë kur kërkoi nga drejtorët e Ministrisë së Transporteve që në komision të paraqiteshin të veshur me xhaketë.

Në funksion të kësaj problematike, në Kuvend prej disa muajsh është paraqitur një kod që pritet të kalojë edhe në seancë plenare, i cili do të përcaktojë rregulla të qarta në lidhje me standardet e duhura të sjelljes së deputetëve gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre.

Në komision u miratua projektligji “Për eurobondin që do të emetohet nga ministri i Financave dhe marrëveshja e huas me afat, e cila sipas ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, nuk do të ndikojë në rritjen e borxhit. JUXHIN MUSTAFARAJ

DEBATET

Nard Ndoka: Shumë i lodhur më dukesh, kryetar.
Fatmir Xhafaj: I lodhur jo, por i mërzitur po. Se njëri më vjen në komision me krahë të shkurtra,
një tjetër me T-shirt… mendoj që një këmishë dhe një kollare duhet ta vini, se jeni deputetë.
Nard Ndoka: Jo po vijmë me bluzë me numër 23.
Pandeli Majko: Jo, jo, ajo bluzë ishte për në fushatë elektorale.
Fatmir Xhafaj: Po ç’është kjo, ky është institucion?! Më erdhi Ristani mbledhjen që kaloi me një bluzë me mëngë të shkurtra.
(Në komision vjen deputeti demokrat Mhill Fufi)
Bashkim Fino: Ja erdhi figura. Edhe ky me mëngë të shkurtra.
Fatmir Xhafaj: Mhillit i lejohet se është opozita. Dhe opozitës i lejohet edhe pa mëngë të shkurtra
të vijë.
Dashamir Peza: S’mund të vendosen kushte se si të vishemi, nëse s’ka ndonjë ligj që të na pengojë.
Fatmir Xhafaj: Të enjten tjetër vjen ligji për Kodin e Etikës. Po nuk besoj se ka nevojë t’ju mësojmë se si duhet të silleni. Vetëm shqiptarët duan t’i mësosh si të ecin në vijat e bardha…
Bashkim Fino: Ore, nuk të shoh mirë unë ty, vërtet s’të ka bërë mirë fitorja?
Fatmir Xhafaj: Mirë më ka bërë, por më ka futur në mendime…

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura