BISEDA E PËRGJUAR/ 8 minutat që fundosën mësuesin përdhunues: Pse u tregove prindërve, të çoja unë të abortoje. E mitura: Kisha frikë se mbeta shtatzënë

Jun 5, 2015 | 8:00
SHPËRNDAJE

Vetëm 8 minuta mjaftuan për të fundosur mësuesin pedofil. Përballë nxënëses që e kishte përdhunuar disa herë, 62-vjeçari pranoi çfarë kishte bërë në 6 muajt e fundit brenda klasave të shkollës 9-vjeçare.

Mesuesi i arrestuar

Deri në atë moment, Demir Hoxha mohoi me këmbëngulje se policët e Lushnjës e akuzonin kot se bënte seks me të miturën, por ra brenda me këmbët e veta, në një dhomë të komisariatit.

Derisa në dhomën me përgjues brenda, i shkujdesur i kërkoi llogari vajzës, vetëm 11 vjeçe e gjysmë, që e kishte çuar në polici.

Dialogu i përgjuar

Mësuesi: Pse i tregove prindërve çfarë ka ndodhur mes nesh?

E mitura: U tregova se kisha frikë se mos kam ngelur me barrë.

Mësuesi: Pse nuk më the mua? Do të të çoja në Lushnjë, në ndonjë klinikë ta abortoje. Aty njoh shumë mjekë dhe ata nuk flasin.

Këto ishin fjalët e fundit të Demir Hoxhës, para se brenda në qelinë ku ishin vënë mjetet përgjuese, të hynin forcat e policisë së komisariatit të Lushnjës, që i vunë me shpejtësi prangat.

***

Pasditen e së martës, mësuesi u shoqërua nga banesa e tij në Zharnec të Divjakës për në policinë e Lushnjës. Për disa orë ai u mor në pyetje, por pa pranuar kurrsesi se çfarë kishte ndodhur me nxënësen e mitur.

Mësuesi, me një përvojë të gjatë mbi supe dhe që për pak kohë do të dilte në pension, do ta kalojë një pjesë të mirë të viteve në qeli. Provat e mbledhura për të janë të pakundërshtueshme, thonë burime të grupit hetimor.

Ato nisin me deklarimet e të miturës nga Kryekuqi i Divjakës, të ekspertizës mjekoligjore, si dhe më e fundit, përgjimet ambientale, në ambientet e komisariatit, ku pedofilit iu ngrit “kurthi”.

Deri në atë kohë, Demir Hoxha ishte i qetë, pasi nuk e kishte menduar që, kur i shpëtoi për muaj me radhë zbulimit të skandalit seksual brenda klasës, do t’ia hidhte paq edhe tani.

I pyetur a ishin të vërteta thëniet e vajzës, nxënëses së shkollës “Hysen Malko” që kishte bërë denoncimin kundër mësuesit për marrëdhënie seksuale me dhunë, Demir Hoxha i ka mohuar kategorikisht.

Ai ka pretenduar se gjithçka ishte sajuar kundër figurës së tij, ndonëse e vërteta u zbulua më vonë. Mësuesi nga Zharneci i Divjakës, baba i 6 fëmijëve, e tradhtoi veten përballë vajzës së mitur, ndërsa i thoshte se edhe nëse do të kishte mbetur shtatzënë, ai do t’i jepte para për abortin dhe do t’i gjente mjekë.

Ndërsa ora shënonte 20:00, policia i vuri prangat mësuesit përdhunues, me akuzën e kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë, në mënyrë të përsëritur, me të mitur.

Elida Domi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura