“Zarfi sekret që erdhi nga Vjena”- Ish-shefi i Zbulimit me Jashtë rrëfen ‘pseudonimet’ e Mehmet Shehut dhe replikon me Nexhmijen: Shënimi i dyshimtë i anglezëve. Asnjë firmë në…

Feb 19, 2020 | 18:00
SHPËRNDAJE

Perlat Çaushi, ish-drejtor i Zbulimit me Jashtë, me zyrë në Ministrinë e Jashtme, tregon të vërtetat e tij mbi vrasjen, siç e cilëson ai, të Mehmet Shehut, ish-Kryeministrit më jetëgjatë në ekzekutiv gjatë periudhës së diktaturës.

Mehmeti+Perlat Caushi

Pas vrasjes së Mehmet Shehut dhe shpalljes armik, Çaushi largohet nga shërbimi. Në librin e tij “Kush e vrau Mehmet Shehun?, refleksione për një vrasje që i dëgjohen ende krismat..”, publikuar nga “UET Press”, Çaushi rrëfen se ndaj Mehmet Shehut u ngritën akuza të rënda nga Enver Hoxha, të pashpjegueshme për vetë raportin shumë të ngushtë mes tyre prej dekadash, që çoi në mënyrë të pashmangshme në vetëvrasjen e tij.

Ish-shefi i Zbulimit të Jashtëm gjatë kohës që u vra Mehmet Shehu, Çaushi tregon me detaje dhe në polemikë me Nexhmije Hoxhën se si u manipuluan të pavërtetat për ta cilësuar Mehmet Shehun agjent të disa agjenturave të huaja, të cilat i kishin kërkuar atij eliminimin e Enver Hoxhës.

Duke analizuar dhe dokumentet që kanë ardhur në Tiranë nga ambasadori ynë në Vjenë, që akuzonin Shehun si agjent të shërbimit anglez, Çaushi shprehet se letrat kanë qenë të sajuara nga KGB-ja sovjetike, ndërsa sipas tij nuk figurojnë dokumente normale të një agjenti të zakonshëm, i cili para së gjithash duhet të firmoste mbi kartelat apo faturat e pagesave të bëra për të.

mehmeti

PERLAT ÇAUSHI

DOKUMENTET SHPLUHUROSEN

Akuzat e ngritura në “Tablonë Sinoptike” ndahen në dy grupe: ato që u mblodhën nëpër arkiva dhe ato që dolën nga deponimet e para të Fiqiret Shehut. Akuza kryesore që iu bë Mehmetit ishte cilësimi si agjent i Intelegjent Servisit Anglez, me pseudonimin BAB008. Kjo akuzë mbështetej në disa dokumente të dorëzuara nga një i panjohur në vitet 1964-‘65 në ambasadën tonë në Vienë.

Këto dokumente, ambasadori ynë, Gaqo Nesho, ia dërgon Hysni Kapos me porosinë që ato t’i jepen Enver Hoxhës. Sipas Enver Hoxhës, këto dokumente ai ia dorëzoi përsëri Hysni Kapos për t’i përkthyer. Në fakt, ato ngelën për një kohë të gjatë në kasafortën e këtij të fundit. Çuditërisht, Enveri i harron ato për një periudhë shumë të gjatë kohore dhe i kujtohen mbas rreth njëzet e ca vjetësh, sapo Mehmeti vrau veten.

Një apo dy ditë pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, rreth orës 20, ndodhesha në zyrën time në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Më thirrën në Komitetin Qendror dhe më ngarkuan të përktheja gjatë gjithë natës dokumentet e lartpërmendura, të cilat ishin në gjuhën angleze. Ndenja në zyrën e Komitetit Qendror deri afër mëngjesit, për të qenë pastaj në punë në orën shtatë. Pjesët e përkthyera i merrte sekretari i Enverit që t’i daktilografonte, për t’ia dhënë të nesërmen në mëngjes shefit të tij. Më porositën rreptësisht se çfarëdo që do të lexoja, të mos e bëja fjalë me askënd.

Mehmet-Shehu-905x395

Sikurse e theksova diku më lart, pas vetëvrasjes së bujshme, Enver Hoxha pat pyetur Ramizin nëse ai kishte dijeni për këto dokumente. Ramizi kishte mohuar dhe shefi e kishte marrë për dore, duke e çuar te kasaforta e Hysni Kapos. Bile dhe kasafortën nuk e pati hapur Enveri, por Ramizi, për të përforcuar idenë se këto dokumente nuk i kish pasur vetë Enveri, por Hysniu. Logjika të nxit të mendosh se kur atij iu kujtuan këto dokumente, mund të shkonte t’i tërhiqte vetë dhe bashkë me Ramizin t’i hapnin në zyrën e tij.

Nuk besoj se është hamendësim i kotë, por ka të ngjarë që dokumentet të jenë ruajtur në kasafortën e Enverit dhe u çuan te kasaforta e Hysniut për të përforcuar shpjegimin se faji ishte i Hysnit që nuk i pat tërhequr vëmendjen Sekretarit të Parë. Por kjo nuk ka rëndësi. Në cilëndo kasafortë që të ishin, ato ishin në administrim të plotë dhe ekskluziv të Enver Hoxhës.

mehmet_shehu

Nexhmija, si rastësisht, në librin e saj “Miqësi e Tradhtuar” na nxjerr që në këtë dosje “të mbyllur”, – dhe ajo e di se të gjithë do ta besojnë dosjen të mbyllur nga Hysni Kapoja, – u gjetën edhe dokumente të tjera të shkruara nga Shehu. Ndër të tjera, vazhdon Nexhmija, gjendeshin edhe tri letra, ku Mehmeti ankohej për Hoxhën.

Letrat, për të cilat do të flitet më poshtë, i drejtoheshin ambasadorit sovjetik Ivanov, Dushan Mugoshës dhe Koçi Xoxes. Sipas Nexhmijes, këto letra Enverit i ranë në dorë për herë të parë dhe kjo e bëri që ai “të ndiejë neveri për hipokrizinë e Mehmet Shehut… dhe plotësisht i deziluzionuar qortoi veten për besimin që i kishte dhënë Mehmetit”.

E ritheksoj se për të gjitha këto dokumente, i pari i partisë ka pasur dijeni prej vitesh. Pra, s’ka asnjë arsye që ai të ndihej i habitur përpara këtyre të “papriturave”. Deri këtu logjika të thotë që Enveri i dinte këto dokumente dhe me paramendim i nxori atëherë kur i duheshin. Të tilla dokumente dhe akuza, (ka edhe të tjera), Enveri nuk ia kishte falur apo harruar. Këto janë hallka të një zinxhiri kontradiktash midis tyre.

Letrën që la Mehmeti, Enveri e mbylli në kasafortë dhe nuk foli më për të. Populli dhe partia, ashtu siç u njoh me hollësi me veprimtarinë “armiqësore” të Mehmet Shehut nëpërmjet “Tablosë Sinoptike”, kishte të drejtën legjitime të njihej edhe me arsyet që i akuzuari parashtronte në letrën që la, arsye të cilat e shtynë atë në vetëvrasje. Këtë të drejtë Enveri nuk e respektoi, sepse pavarësisht dashurisë që Mehmeti shpreh për Enverin në letër, atje ka dhe akuza direkte apo të nënkuptuara për vetë atë, kreun e partisë, sidomos shprehja “unë po lë jetën për Partinë pa hezitim dhe me gjakftohtësi, se s’më latë rrugë tjetër për të mbrojtur Partinë”. Që do të thotë: “Ti Enver po më vret”.

nexhmije

MBI ZARFIN QË ERDHI NGA VJENA

Ndër dokumentet që dy ditë pas vetëvrasjes së Shehut m’u dhanë për përkthim, nuk përfshihej natyrisht letra që ai i dërgonte Ivanovit. Është thënë që Mehmeti e kishte shkruar atë në italisht. Këtë letër e kishin vetëm sovjetikët. Nëse është kështu siç e ka konfirmuar ambasadori Nesho para E. Hoxhës, atëherë është e fare e qartë se personi i panjohur që dorëzoi dokumentet ishte i dërguar nga rusët, ose më saktë nga KGB-ja.

Në rast se nuk do ishte letra e Ivanovit bashkë me dokumentet e tjera, atëherë analiza e tyre do të merrte drejtime të tjera. Një organi apo një personi të specializuar në shërbimet sekrete, këto lloj dokumentesh nuk i bëjnë ndonjë përshtypje të madhe, ngaqë në shumë raste ato falsifikohen për të arritur qëllime të caktuara. Për këto trukime, pranë çdo shërbimi sekret funksionojnë departamente të tëra që merren me prodhimin e tyre.

Mashtrimi apo dezinformacioni, që në mënyra dhe kanale të ndryshme i përcillet objektit që synohet të mashtrohet, mbështetet në parimin që gënjeshtra të endet edhe midis ca të vërtetave, në mënyrë që objekti bashkë me të vërtetat të gëlltisë edhe gënjeshtrën, duke e marrë atë si të vërtetë. Është njëri nga truket e dezinformacionit kjo servirje e kundërshtarit me të dhëna dezinformuese, për të ofruar dyshimet dhe për të vënë nën goditje personalitete të ndryshme.

Pra, në rastin konkret, nga pala shqiptare dhe sidomos nga Enver Hoxha, të besohej se njeriu i tij më i afërt ishte në shërbim të angloamerikanëve. Kjo bindje krijohet nga një analizë dhe shqyrtim i hollësishëm i përmbajtjes së dokumenteve në fjalë. Për këtë po tentoj të hedh sadopak dritë, duke analizuar përmbajtjen e materialeve të ardhura nga Vjena. Është e vërtetë se gjuha, jo nga pikëpamja linguistike, por nga ajo profesionale, është identike me gjuhën që ka përdorur në atë kohë Inteligjens Servisi anglez. Dhe këtë gjuhë, çdo shërbim sekret ka mundësi t’ia vjedhë kundërshtarit, bile ato shpesh i gjen edhe në literaturën legale.

Kështu, në këto dokumente përmenden sektorë, tashmë të njohur botërisht, si R5, sektori antisovjetik i MI6 ose e ashtuquajtura, “zemra e botës së sekreteve”. Aty përdoren pseudonime kuadrosh të zbulimit anglez, si 05/H, zbuluesi, që sipas dokumenteve del se ka bërë rekrutimin e Mehmet Shehut, apo një mori pseudonimesh të tjera të kuadrove dhe agjentëve të Inteligjens Servisit, që operonin në Shqipëri, si BAB 53, BAB 81 A, BAB 021 A, 25 126, 25132, BAB 089/B, 2500, 25811 etj.

Vetë Shehu, gjithmonë sipas dokumenteve, fillimisht paska mbajtur pseudonimin 27837 dhe më vonë ka marrë pseudonimin BAB 008. Pra, përdorimi i një gjuhe të tillë synon që dokumentet të besohen se janë autentike. Servirja e një mori pseudonimesh të kuadrove dhe të zbuluesve anglezë, mendoj se nuk i përgjigjet realitetit. Kjo është bërë kryesisht për të shkaktuar një çoroditje te kundërshtari, pra te Shërbimi Sekret Shqiptar.

Në të gjitha dokumentet nuk gjen asnjë firmë apo gjurmë që të identifikojë personin për të cilin është çelur dosja. Edhe fleta e fundit që përmban “shpërblimet”, pa specifikuar llojin e valutës(!), nuk ka asnjë firmë të Shehut. Marrja e firmës, të paktën në rastet kur shpërblehet, është një nga format komprometuese të agjentit, që bëhet efikase për ta mbajtur atë të lidhur me padronin.

Në librin e Nexhmije Hoxhës “Miqësi e Tradhtuar” ka mjaft pasaktësira dhe deformime të qëllimshme, që po të tentosh t’i analizosh dhe komentosh, do të të duhet të shkruash disa herë më shumë se ç’ka shkruar ajo vetë. Kështu, për problemin në fjalë ajo shkruan: “Në këto dokumente që u bënë të njohura dhe u përkthyen vetëm pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, kur u hap dosja e tij sekrete, e mbetur në kasafortën e Hysni Kapos, njihesh me pseudonimin e tij BAB-008. Mes këtyre ka kartela të firmosura, që dëshmojnë se atij i janë dhënë të holla nga qendra e spiunazhit”.

Pyetja e parë që i vjen një njeriu të paanshëm është: Ku janë këto dokumente të firmosura, që vërtetojnë shpërblimet që paska marrë M.Shehu nga anglezët, zonja Nexhmije?! Në këto dokumente nuk ka asnjë firmë të hedhur nga Mehmet Shehu!

Por kjo pyetje nuk i është bërë dhe në vazhdim ajo shkruan: “Aty gjendet edhe shënimi i nxjerrë nga informacione të oficerëve anglezë, që kishin qenë në Shqipëri gjatë luftës dhe kishin mbajtur lidhje me M. Shehun deri në vitin 1953. Pas këtij viti, jepej udhëzimi që: “Tani që Shehu u bë Kryeministër, të lihej i qetë, të mos ngacmohej më tej”.

Dokumenti ku vihej ky shënim nuk u përket oficerëve anglezë, as vitit 1953, kur Mehmet Shehu u bë Kryeministër, por vitit 1958! Kjo nuk ka ndonjë rëndësi, por duke lexuar librin, bie qartë në sy që Nexhmije Hoxha, në komentin e këtyre dokumenteve qep “mballoma” të marra, ku nga deponimet e Fiqiret Shehut apo të arrestuarve të tjerë, ashtu të thyer nën presionet fizike dhe psikike, me synim që me paterica të mbajë sadopak në këmbë “Tablonë Sinoptike” të hartuar nga bashkëshorti i saj.

Shënimi i lartpërmendur ekziston, por dalin shumë pikëpyetje dhe më kryesorja – përse Kryeministri duhej të lihej i qetë?! Ku ta gjenin anglezët të kishin një agjent të tillë potencial, i cili pa një pa dy kishte mundësinë ta eliminonte fare lehtë Enver Hoxhën! Mos harrojmë që në atë kohë ishin dhe vitet e operacioneve intensive të anglo-amerikanëve për të përmbysur regjimin komunist në Shqipëri.

E pra, të qenurit e Shehut ministër i Brendshëm dhe Kryeministër ishte si të thuash “qershia mbi tortë”, apo “thelë mbi bisht”! Ishte pra, momenti që Mehmeti të vepronte dhe jo të lihej i qetë!

DOKUMENTET E VJENËS

Më poshtë do të vijojë teksti i plotë i këtyre dokumenteve, por si një hyrje për to, le të njihemi më parë me shpjegimet që i jep Enver Hoxhës ish-ambasadori ynë në Vjenë, Gaqo Nesho, dy ditë pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut.

Gaqo Nesho: Kur isha ambasador në Vjenë në vitet 1964- ‘65, një person i panjohur ngulte këmbë të takohej me mua, duke deklaruar se kishte çështje të rëndësishme shtetërore për të më vënë në dukje. Meqenëse nguli këmbë të takohej me mua, ngarkova ta takonte një nga funksionarët e ambasadës, këshilltarin tregtar, dhe në fakt ai e priti. I panjohuri i dorëzoi atij disa dokumente të mbyllura në një zarf për mua, të cilat ia dërgova menjëherë shokut Hysni, duke iu lutur që t’ju njoftonte ju.

Shoku Hysni më ktheu një përgjigje të shkurtër me radiogram, me të cilën njoftonte shkurtimisht:

“Dokumentet i mora dhe shokun e informova”. Personi i panjohur i kishte thënë shokut të ambasadës që e priti, që këto materiale të mbyllura t’i dorëzohen ambasadorit dhe më pas unë do të vij përsëri të takohem me të. Shoku Hysni më porositi të mos ngatërrohesha me këtë njeri, prandaj nuk bëra asgjë më tej. Dokumentet ai i dorëzoi të mbështjella me një zarf.perlat-caushu

Shoku Enver Hoxha: Kur shoku ynë e mori zarfin, nuk e pyeti kush ishte ai?

Shoku Gaqo Nesho: Jo, megjithatë ai dukej goxha burrë, linte përshtypjen sikur ishte ndonjë personalitet.

Shoku Enver Hoxha: Ç’gjuhë fliste?

Shoku Gaqo Nesho: Gjermanisht fliste pak, pra dukej që nuk ishte gjerman.

Shoku Enver Hoxha: Po si mendon ti, çfarë kombësie mund të kishte ky person që solli këto dokumente?

Shoku Gaqo Nesho: Nuk e di. Në zarf kishte një letër që shoku Mehmet ia drejtonte Ivanovit, ambasadorit sovjetik në Tiranë. Nga sa më kujtohet dhe sa munda të merrja vesh nga përmbajtja, kjo ishte një letër e përzëmërt. Pjesët e tjera ishin nja tri-katër copë dokumente në anglisht, nga të kampeve të përqëndrimit, ku ka qenë mbyllur shoku Mehmet, prandaj nuk mora vesh ç’shkruhej në to, se anglisht nuk di, dhe pastaj, shokëve të tjerë të ambasadës nuk ua jepja dot t’i përkthenin meqenëse kishin të bënin me një person si shoku Mehmet, prandaj ia dërgova drejtpërdrejt shokut Hysni. Dokumentet përbëheshin nga disa copa të vogla letre si ato që keni ju përpara tani (çerek formati), të firmosura nga ky. Deklarata a çfarë materialesh ishin, nuk e di, por kuptohej që ishin nga të kampeve të përqëndrimit të Francës. Si letra drejtuar Ivanovit, edhe ato të kampeve të përqëndrimit më bënë përshtypje se kishin të bënin me materiale që i përkisnin një zbulimi të huaj ose sovjetik, ose ndonjë vendi perëndimor. Ato mund të ishin bërë edhe me ndonjë qëllim provokimi nga të dyja anët, për futjen e përçarjes në udhëheqjen e Partisë, prandaj nuk u ndjeva. Këtë çështje nuk ia kam pas thënë asnjeriu tjetër deri tani, përveç shokut Hysni, të cilit ia dërgova dhe i pata kërkuar t’ju informonte ju shoku Enver. Me kaq i dhashë fund kësaj çështjeje dhe nuk e di se ç’është bërë më tutje me to. Këtë ngjarje unë e lidha me qëndrimet e këtyre të dyve, shokut Mehmet dhe Fiqiretit, si dhe me fejesën e djalit të tyre, e cila mund të jetë…

Shoku Enver: Kanë qenë shumë këto letra?

Shoku Gaqo Nesho: Nja tri a katër më duket, megjithëse nuk e mbaj mend me saktësi. Nga madhësia ato ishin sa kartat e regjistrimit dhe dukej që kishin të bënin me kampet franceze të përqëndrimit, megjithëse nuk e mora vesh ç’përmbajtje kishin, se qenë shkruar anglisht. Ndërmjet tekstit, vetëm ndonjë fjalë kishte që e merrja vesh.

Shoku Enver Hoxha: Tok me to ishte dhe letra drejtuar Ivanovit?

Shoku Gaqo Nesho: Po, me to ishte dhe letra drejtuar Ivanovit. Të dyja këto ia pata dërguar shokut Hysni, prandaj ato duhet të jenë në Komitetin Qendror.

Shoku Enver Hoxha: Duhet të jenë patjetër këto në materialet e Hysniut.

Dhe Nexhmije Hoxha në librin e saj shkruan imtësisht për zbulimin e këtyre materialeve për të cilat flet Neshua. Enveri i ka treguar asaj se pati pyetur Ramiz Alinë nëse Hysniu i kishte folur ndonjëherë për një zarf, që dikush në vitet ’60 dorëzoi në ambasadën tonë në Vjenë, ku në disa kartela të firmosura nga ai binte në sy që Mehmeti ishte i rekrutuar si agjent i Inteligjens Servisitë Ramizi nuk dinte gjë. Enveri tok me të kish shkuar në dhomën ku ishte kasaforta e Hysniut, ia dha Ramiz Alisë çelësat dhe kur e hapën, vërtet gjetën aty zarfin në fjalë dhe u kthyen përsëri në zyrë.

Aty e hapën dhe i lexuan letrat, me aq sa e njihnin të dy anglishten. Ide më të qarta ata krijuan kur dokumentet u dhanë për përkthim dhe të dy udhëheqësit u thelluan në to. “Veçanërisht kur Enveri lexoi letrën e Mehmetit, – shkruan e shoqja, – atë që ia dërgonte shefit të Misionit Ushtarak Sovjetik në Shqipëri gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, majorit Ivanov, pastaj letrën drejtuar jugosllavit Dushan Mugosha dhe atë që i shkruante Koçi Xoxes, të cilat u gjetën në dosjen e mbyllur të këtij, ku Mehmeti fliste me aq dekonsiderata dhe për Partinë tonë, ndjeu neveri për hipokrizinë e Memet Shehut.

Kujtoi fjalimet e tij publike me shprehje patetike, me superlativa të ekzagjeruara, apo dedikimi që Mehmeti i kishte shkruar në maj të 1981, me rastin e botimit të vëllimit të parë të veprave të tij të zgjedhura dhe që ngjante si dy pika uji me përbetimet që bënte në hyrje të letrës që la para vetëvrasjes.

Plotësisht i deziluzionuar, Enveri qortoi veten për besimin që i kishte dhënë Mehmetit dhe letrën që ky la para vetëvrasjes e futi në kasafortë dhe nuk foli më për të. Çdo gjë në këtë letër ishte false dhe e shkruar me ligësi”.

 

 

/ Panorama.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura