Zana Çela: Në pritje të ‘Marie Kraja’ .. eksploron veriun e Shqipërisë

Sep 17, 2012 | 14:53
SHPËRNDAJE

Nëse jeni mësuar ta shihni gjithnjë të jetë pjesë e aktiviteteve muzikore, mos kujtoni se ky nuk është! Zana Çela qëndron gjithnjë, në një mënyrë apo një tjetër, brenda territorit të këngës. Ndërsa fazat përgatitore për koncertin ‘Marije Kraja’ nuk ndalen, një tjetër aktivitet është në kulm të tij. “Rrënjët e përbashkëta dhe bashkëpunimi kulturor” nis prej ditës së nesërme koncertet në zonën veriore të Shqipërisë, për të vijuar më tej në Mal të Zi. Në thelb të këtij shkëmbimi kulturor mes dy vendeve qëndron natyrisht muzika, sepse jashtë saj, drejtuesja e këtij projekti, nuk gjendet në terrenin e vet.

“Nuk po e menaxhoj dot më adresën time të e-mailit”. Sepse adresa e postës elektronike të Zana Çelës është e tejmbushur tashmë. Përveç koncertit të përvitshëm “Marie Kraja”, i cili aktualisht është në fazën e përzgjedhjes së artistëve, është shtuar një tjetër projekt në angazhimet e ditës së saj, që kërkon po aq vëmendje e punë sa dhe i pari. Promovimi i trashëgimisë, vlerave të përbashkëta kulturore e lidhjet historike të së shkuarës e të tashmes janë synimi i projektit “Rrënjët e përbashkëta dhe bashkëpunimi kulturor” që do të mbledhë tok artistët shqiptarë me ata të Malit të Zi në një turne koncertesh artistike e panairesh. Destinacionet turistike ku do të zhvillohen aktivitetet (në Shqipëri në zonën e veriut, Kukës Tropojë, e në Mal të Zi në Cetinjë e Podgoricë), janë një promovim më vete. Këshilli i Qarkut të Kukësit, Akademia e Cetinjës dhe shoqata “Kulturë, Media, Art”, janë organizatorët e këtyre aktiviteteve që do të hapin nesër turin e koncerteve treditore në pjesën veriore të Shqipërisë, për të vazhduar sërish në fillim të tetorit me rrugëtimin Mal të Zi. Por si ka nisur ky projekt dhe si po ia del drejtuesja e tij t’i bëjë të gjitha, na i tregon vetë.
Duket një projekt ndryshe nga ato që jemi mësuar t’ju shohim deri sot. Si nisi ideja për të promovuar vlerat e përbashkëta kulturore të dy vendeve fqinje?
Nuk është një projekt i ideuar aty për aty, sepse në fakt u bënë vite që kam menduar të merrem me diçka të tillë, por për ta realizuar, më duhej një partner i huaj. Gjetja e tij është e lidhur me koncertin e përvitshëm “Marie Kraja”, i cili pesë vite më parë u anëtarësua në “Opera Europa”. Me këtë rast, erdhi në Shqipëri, i ftuar si kryetar jurie i koncertit, presidenti i saj. Në biseda me të, mësova se në objekt të veprimtarisë së tyre ishin edhe projektet mbi trashëgiminë kulturore.
Kjo mund të ketë qenë një nxitje, por nga ana tjetër ky projekt me aktivitete të tjera që jeni marrë, bëhen bashkë përmes muzikës…
Po patjetër, njohuritë mbi muzikën tradicionale që unë njihja qysh nga koha e Radio Tiranës, më dhanë guximin që të merrja përsipër një angazhim të tillë. Sepse përveç të tjerave, trashëgimia kulturore është e fokusuar te muzika. Kështu, dy vite më parë, aplikova për këtë projekt dhe, siç po flasim sot, gjithçka është konkretizuar.
Synimi i vetëm i aktiviteteve është shkëmbimi i vlerave kulturore?
Jo, ne do përpiqemi që përmes tyre ta zhvendosim vëmendjen në nivele drejtuese mes vendeve pjesëmarrëse. Ky do të ishte qëllimi përfundimtar.
Si është të kalosh nga drejtimi i një aktiviteti në rang ndërkombëtar artistësh, në rrugëtimet e shpeshta drejt Kukësit apo Malit të ZI?
Nuk është aq e lehtë sa e mendova në fillim. Projekti ka filluar muaj më parë, që në prill, dhe në gjithë këtë kohë duhet të organizohesh për gjithçka, por gjetja e njerëzve të duhur në staf e bën punën më të lehtë. Ajo që nuk kisha hasur përpara kësaj përvoje, ishte puna me administratën. Siç është ajo e Qarkut të Kukësit, që ndiej ta them se ka njerëz të përkushtuar që duan të punojnë. Pak ditë më parë ndoqa provat gjenerale të koncerteve dhe pashë që gjërat ishin bërë ashtu siç duhet.
Që po merreni me këtë projekt, s’do të thotë që për “Marie Krajën” punët po bëhen vetë…
Jo, madje edhe ai është në një fazë shumë të rëndësishme, në atë të selektimit të artistëve. Pak ditë më parë ishte audicioni për artistët e huaj, ndërsa në datën 27 të këtij muaji do të jetë audicioni për artistët shqiptarë. Pra, dita ime është e ndarë mes këtyre dy punëve. Aq sa adresa ime elektronike është e tejmbushur sepse, përveç materialeve që më dërgojnë përmes saj artistët e huaj për koncertin “Marie Kraja”, i janë shtuar edhe ato të projektit rreth trashëgimisë kulturore. Nuk po di më ta menaxhoj.
Në një farë mënyre, ka qenë koncerti i përvitshëm iniciator edhe për projektin aktual…
Po, sepse duke qenë pjesë e tij arrita të gjej njerëzit e duhur, por kjo nuk është e vetmja lidhje mes të dyve. Tek e fundit, në thelb, secili prej tyre nxjerr në pah vlerat e trashëgimisë. Njëri e bën përmes muzikës operistike, me aktorë më bashkëkohorë, por që gjithsesi shpërfaq pasurinë e trashëguar në breza.
Si është programi i aktiviteteve?
Do të fillojmë nesër me koncertin e parë në Pallatin e Kulturës në Kukës e më pas do të vijojmë po me koncerte e panaire edhe në datat 18 shtator në Qendrën e Informimit të Turizmit në Valbonë e një ditë më pas, pra më 19 shtator në Pallatin e Kulturës së Bajram Currit. Gjatë muajit tetor ky tur koncertesh do të zhvendoset në Mal të Zi, në qytetet Tuz, Podgoricë e Cetinjë. Gjatë punës për këtë projekt janë zbuluar një sërë materialesh folklorike që ngjasojnë shumë mes dy vendesh, ndaj është menduar që gjatë koncerteve dy ansamblet të interpretojnë pikat ku bashkohen folkoret e dy vendeve, duke risjellë edhe një herë kështu rrënjët e përbashkëta. Këto koncerte do të paraprihen nga panaire të artizanatit e gastronomisë, ku veç traditës, një vend të rëndësishëm do të zënë dhe stilet, prodhimet e reja artizanale, çka do të shërbejë si një nxitje për hapjen e tregut të ri për të tilla punime e vlera.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura