Zall-Bastari me rrugë të re, Veliaj: Përtej partive është Tirona, të bashkëpunojmë që qyteti të ecë përpara”

Jan 19, 2020 | 18:16
SHPËRNDAJE

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi sot punimet në rrugën e re nëZall-Bastar, ndërsa tha se ajo dhe rruga e Arbrit, që po ndërtohet nga qeveria, krijojnë një perspektivë të re per Zall-Bastarin.

“E kisha me shumë kënaqësi që festimet për 100 vjetorin e Tiranës Kryeqytet t’i fillonim nga Zall-Bastari, këtu ku kemi bërë edhe punë, e cila i ka rritur vlerën pronës dhe sot nga Pazari i Ri deri pazarin e Zall-Bastarit vjen për 25 minuta. Falë punës që po bën qeveria me rrugën e Arbrit dhe falë lotit të dytë, i cili na lidh me rrugën e Arbrit në Zall-Dajt, më vjen mirë që do takohemi sërish këtu në verë, për ta bërë ardhjen deri në Zall-Bastar si të jetë një ndër lagjet e tjera të Tiranës”, tha Veliaj.

f0dded55-4205-48a4-b484-bea2c7d03bef

Sipas Veliaj, falë këtij investimi, nga sot Zall-Bastari është një pjesë e urbanizuar e Tiranës së madhe.

“Mezi pres që, tani që nuk kemi më justifikimin e rrugës, jo vetëm t’i kthehemi më fort punës, bujqësisë, agro-turizmit, por bashkë me deputetin dhe administratorin, t’i kthehemi më fort komunikimit në Tiranë, pse njerëzit duhet të vijnë këtu për një fundjavë. Me llucën deri në fyt, ky ishte një vend ideal vetëm për gara të sporteve ekstreme, por më vjen mirë që më në fund ata të garave ekstreme do të duhet të gjejnë një rrugë tjetër të largët, se Zall-Bastari sot është pjesë e urbanizuar e Tiranës së madhe”, tha kryebashkiaku.

Duke falenderuar banorët për bashkëpunimin e treguar në ndërtimin e rrugës dhe të qendrës së njësisë, Veliaj deklaroi se ky është treguesi më i mirë se aty ku nuk vendosen pengesa artificiale, puna ecën me shpejtësi dhe përfitues është i gjithë komuniteti.

“Pa bashkëpunim nuk bëhet asgjë. Ju e keni parë, aty ku s’ka bashkëpunim projektet vonohen. Astiri filloi një vit e gjysmë me vonesë sepse s’kishte bashkëpunim, kishte një grup, një parti, që gjithmonë thotë: blloko, blloko, blloko! Këtu ku s’pati bllokime, as nga kundërshtarët tanë, puna eci për bukuri. Dua të falenderoj jo vetëm shumicën dërrmuese që voton ne, por edhe miqtë tanë të djathtë për bashkëpunimin, sepse në këtë rrugë kalojnë edhe fëmijët e tyre. Aty ku të djathtët kanë mend, si në Zall-Bastar, nuk bllokojnë, nuk pengojnë, nuk vënë stërkëmbësha”, tha Veliaj.

Veliaj bëri thirrje për bashkëpunim në mënyrë që Tirana të jetë histori suksesi e një kryeqyteti europian. “Nëse duam që 100 vitet e ardhshme të Tiranës të jenë vetëm histori suksesi dhe pune, të një Tirane që ecën përpara, duhet të jemi motra e vëllezër që bashkëpunojmë për Tiranën tonë. Përtej partive është Tirona, përtej ndasive është Tirona, përtej ndryshimeve dhe diferencave, është Tirona. Duhet përtej së majtës, përtej së djathtës, socialistë, demokratë, të fshatit dhe të qytetit, të bashkëpunojmë që Tirana të jetë histori suksesi dhe një kryeqytet realisht europian nga sheshi “Skënderbej” deri këtu në sheshin e Zall-Bastarit”, beri thirrje kryebashkiaku.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura