Yllka Mujo: “Të pamundurat në jetë, i realizoj në skenë”

Oct 27, 2014 | 14:51
SHPËRNDAJE

Yllka Mujo gjatë shfaqjes “Vanja, Sonja, Masha dhe të tjerë”
Masha është një divë, një yll i skenës. Yllka Mujo është Masha vetëm në skenë. Jashtë saj thotë se fama nuk ka shumë rëndësi, madje sipas saj, dëshira për të qenë i famshëm e dëmton një artist. Teksa bën grimin për rolin e radhës në komedinë “Vanja, Sonja, Masha dhe të tjerë”, aktorja rrëfen për skenën, dashurinë për teatrin dhe marrëdhënien me fëmijët e saj…

Që është një nga aktoret më të pëlqyera për publikun dhe ndër më të veçantat që skena jonë ka, kjo nuk është diçka e re. “E reja” është që Yllka Mujo vjen si Masha në shfaqjen më të re të Teatrit Kombëtar, “Vanja, Sonja, Masha dhe të tjerë”. Komedia, një vepër e dramaturgut amerikan Christopher Ferdinand Durang, me regji të Driada Dervishit, e cila ka filluar të shfaqet këtë fundjavë (vazhdon të jepet edhe sot), sjell Yllka Mujon në një tjetër “veshje”, ndërsa interpreton krah: Neritan Liçajt, Olta Dakut, Besmir Bitrakut, Adelina Muçës dhe Valina Muçollit. Si përherë, Mujo ka bërë për vete publikun, ashtu si dhe kolegët e saj, duke shkaktuar nota humori, e njëkohësisht dhe reflektim e meditim për publikun, i cili ka duartrokitur gjatë në sallën e Teatrit Kombëtar.

Skenë nga shfaqja “Vanja, Sonja, Masha dhe të tjerë”
Ajo (Masha) është motra e madhe e familjes, që i ka ndihmuar financiarisht, por që nuk është marrë asnjëherë me prindërit dhe shtëpinë, por është një superaktore mjaft e paguar dhe e njohur… Një aktore, ashtu si dhe Yllka Mujo, por që duket se ka pak ngjashmëri me të në jetën reale, gjë të cilën Mujo e rrëfen përmes kësaj bisede.

Riktheheni në skenën e Teatrit me rolin e Mashës. Ç’mund të thoni për këtë shfaqje dhe bashkëpunimin me Driada Dervishin?
Është hera e dytë që bashkëpunoj me Driadën. Kemi punuar para disa vitesh një pjesë që titullohej “Nënë” e një autori italian dhe kam pasur një eksperiencë jashtëzakonisht të mirë me Driadën, sepse në njëfarë mënyre kemi afërsi këndvështrimesh për sa i përket teatrit dhe mënyrës se si mund të punohet në teatër. Kështu që jam shumë e lumtur, që më jepet mundësia për herë të dytë të punoj me të dhe besoj të gjitha kanë shkuar tepër mbarë.
Çfarë provoni kësaj here nën lëkurën e Mashës?

Yllka Mujo me të birin, Amos Zaharia
Roli i Mashës përmban energjinë e shfaqjes. Nëse Vanja dhe Sonja janë ato personazhe që rrinë, rrinë dhe vetëm rrinë dhe përtojnë të bëjnë çdo gjë, përveçse të shikojnë një pulëbardhë që fluturon mbi një pellg, Masha vjen me një energji nga qyteti. Është një aktore e famshme e dashuruar me një djalë të ri, siç ndoshta ndodh ndonjëherë në jetën e artistëve të famshëm. Është një divë që është më tepër një aktore filmi sesa teatri, por ëndrra, pengu i saj, është që nuk ka arritur të bëjë të njëjtin rol me emrin e vet në teatër. Sigurisht që kjo ka dhe reflekset e veta. Nga ai fluturim dhe vetëkënaqësi, e dashuruar me veten, duke menduar se është mbi të tjerët, mënyra se si zhvillohen ngjarjet në pjesë tregojnë që në fund fare njeriu duhet të zbresë me këmbë në tokë dhe ta shikojë realitetin, moshën, jetën, të shikojë të tëra në bebe të syrit dhe për të qenë në harmoni me të tërën. Duke menduar se është diçka ndryshe nga të tjerët, ky është ngërçi që ka në raport me botën, me jetën.
E shikoni diku veten te Masha?
Me thënë të drejtën jo. Por kjo më ka bërë jashtëzakonisht mirë. Sepse më ka bërë të provoj gjëra të reja. Janë shumë gjëra që nuk i provon në jetë, sepse mund të jenë gjëra që ndoshta nuk i shkojnë për shtat karakterit të personit, kurse në skenë mund t’i provosh. Në skenë ka tjetër dimension, është tjetër frymë dhe të jep shumë energji, shumë ngazëllim që të provosh diçka që nuk ka të bëjë me ty, por që gjithsesi në fund prapë buron prej teje.
Çfarë i shton Masha galerisë së roleve tuaj?
Sigurisht është rol që nuk e kam interpretuar asnjëherë dhe më vjen mirë që Driada ma besoi mua, sepse vërtet kënaqem gjithë kohën që interpretoj. Por nuk ka të bëjë me asnjë nga rolet që kam luajtur dhe në fund fare kjo është dhe dëshira ime e vërtetë në teatër, që rolet të mos përsëriten dhe të njohësh veten përmes kësaj gjëje. Është shumë mirë, sepse aktori eksploron veten me këtë rast. Unë jam në eksplorim.
Mes gjithë këtyre viteve punë në teatër, çfarë keni zbuluar, diçka që mendoni se nuk do ta kishit “zbuluar” nëse do të kishit tjetër profesion?
Kësaj pyetjeje nuk mund t’i jap përgjigje, sepse unë jam rritur në skenë. Kam hipur në skenë që në moshën tetë vjeçe, kështu që nuk mund ta kuptoj dot jetën pa skenën, jo në kuptimin e famës, por pa pasur mundësinë që të shfaqja gjithë mundësitë e mia, qoftë për të kënduar, qoftë për të kërcyer, qoftë për të recituar, aktruar. Janë dhurata që po të kisha bërë profesion tjetër, që s’ka gjasa të ndodhte, nuk do të kisha mundur t’i nxirrja ose nuk do të kisha mundur t’ia njihja vetes. Por për faktin që kam hipur shumë e vogël në skenë, nuk e kam pasur këtë fatkeqësi që të kem gjëra të ndrydhura. Sepse dhe ato gjëra që njeriu nuk i realizon në jetë, i realizon në skenë, sepse jeta jo gjithmonë të jep mundësinë për t’u përshfaqur deri në fund. Jeta nganjëherë dhe të frenon, kurse skena të çliron. Është edhe një lloj meditimi skena, sepse ndizet një llambë, një vatër tjetër dominante dhe njeriu harron gjithë problemet e tjera që mund të ketë gjatë ditës. Domethënë është një relaks, ilaç shumë i mirë për aktorët. Prandaj aktorët kur hipin në skenë e kanë teatrin si një gjë të shenjtë, sepse e ndiejnë që aty mund të çlirohen gjithë energjitë e tyre, edhe ato negativet madje.
E cilësuat teatrin si të shenjtë për aktorët. Por si e sheh sot teatrin shqiptar Yllka Mujo? Cilat janë problemet e tij dhe çfarë kërkohet për të?
Çdo njeri që vjen në teatër, hyn si në një lloj magjie. Të gjithë ne që punojmë këtu e shohim pjesën “pas”. Po të kalosh në prapaskenë, është një godinë gati-gati e rrënuar dhe them që jo vetëm për vetë aktorët. Është si puna e shtëpisë, që në çdo shtëpi të rrënuar, çdo njeri e ka të vështirë të menaxhojë veten dhe të jetë i kthjellët dhe i qetë. Kështu që, kjo nuk është detyrë e institucionit, por e shtetit që të mendojë për të bërë një teatër, ashtu siç e meriton shteti që të ketë një teatër. Për hir të së vërtetës, sado që përpiqemi bashkë të hedhim një vel para syve, të mos shohim këto gjëra, nuk mund të mos shohim këtë shkatërrim që çdo ditë e më tepër po bëhet më i dukshëm, më i frikshëm. Madje përpiqemi ta mbajmë me dashuri të madhe këtë profesion. Është dashuria ajo që e mban.
Mendoni se ka ardhur koha për një godinë të re të teatrit?
Po, ka kohë që ka ardhur koha, dhe në fund të fundit teatri është një vend ku njerëzit, përveç kënaqësisë që marrin, edukohen. Dhe edukata fillon që kur hyn në teatër. Mua më vjen keq për këtë gjendje ku është. Lajm i mirë është që njerëzit do të ngrohen në dimër dhe kjo është goxha, sepse publiku nuk sheh çfarë është prapa skene. Atë e shohim ne. Publiku po të jetë ngrohtë dhe po të jenë shfaqje të mira, besoj është i kënaqur, sepse në fund të fundit, salla nuk mund të thuash që është një rrënim, por është e kuruar për aq sa është. Pretendimet nuk mbarojnë ndonjëherë, por të themi në këto kushte që janë.
Jeni e angazhuar në teatër, por nuk ju kemi parë me ndonjë rol të ri në kinema. A do të kemi ndonjë mundësi së shpejti?
Nuk mund të them dot, sepse filma bëhen më pak. Role për mosha të mëdha nuk kanë qenë aq të shpeshta. Regjisorët siç kanë në teatër, ashtu kanë dhe në film preferencat e tyre dhe kjo është një gjë më tepër se normale. Por them që, nuk kanë kaluar shumë vite që kur kam bërë “Honeymoons” me Goran Paskaljevic, me të cilin kemi qenë dhe në Venecia. Është një film që është pritur jashtëzakonisht mirë dhe për mua e Bujar Lakon, gazetat kanë shkruar që kanë qenë dy aktorët më të mirë të filmit. Unë nuk jam aktore që dua të bëj shumë, por atë që të bëj dua ta kem cilësore. Më pëlqen që të vë gjithë mundësitë e mia për të arritur diçka. Edhe në filma dua të jem ndryshe.
Keni ndonjë rol që nuk keni mundur ta realizoni, por që e doni dhe e prisni?
Nuk mund të them që pres, sepse nuk jam unë ajo që mund të propozoj, t’i them regjisorit: pse nuk e vë këtë pjesë për mua! Kjo mund të ndodhë në botë, por këtu nuk e di a ka ndodhur me të tjerë aktorë, por me mua nuk ka ndodhur. Nuk më ka ndodhur t’i propozoj dikujt: vëre këtë shfaqje, sepse kam qejf të luaj këtë rol. Ndërkohë që ka akoma shumë role përpara te të cilat do të doja që të isha, por nuk mund të përcaktoj dot vetëm një.
Sipas jush cila është “formula” për sukses e një aktori apo artisti, nëse ka një të tillë?
Mua më mban dashuria për punën. Nuk e kam fare problem të qenit e famshme. Absolutisht nuk e kam pasur asnjëherë. Ndoshta mendoj thellësisht brenda vetes që kjo i prish punë një artisti: tendenca për të qenë i famshëm. Kurse për të bërë shumë seriozisht punën tënde, i fut shumë dashuri brenda. Unë akoma e kam këtë dashuri si ditën e parë kur jam futur në teatër. Nuk është fjala për emocionet e fillimit, sepse eksperienca bën punën e vet dhe ato emocione në njëfarë mënyre mund të të pengojnë. Tani kam vetëm emocione pozitive, por them që vetëm dashuria është ajo “gjëja” që me të vërtetë më mban. Sado të përpiqen ta fshehin këtë gjë, ajo del pa dashje. Mua më del dashuria për punën pa dashje. Kjo është ajo që më ka mbajtur të lidhur me teatrin dhe teatrin të lidhur me mua, sepse marrëdhënia është reciproke. Kur ka dashuri, ajo marrëdhënie merr dhe jetë. Përveç miqve dhe fëmijëve të mi, dashuria për teatrin dhe dashuria e teatrit për mua, më ka dhuruar kënaqësi të jashtëzakonshme. Dhe me publikun kam marrëdhënie dashurie të jashtëzakonshme. Edhe kur nuk arrij majat, e ndiej që publikun e kam afër, më do, sepse e dua.
Jeni aktore, por njëkohësisht edhe dy fëmijët tuaj kanë ecur në po të njëjtën rrugë. Si ndjeheni për këtë fakt, duke qenë se në një pjesë të mirë të rasteve artistët nuk duan që fëmijët të ecin në gjurmët e tyre?
Për hir të së vërtetës, do t’ju them që asnjëherë nuk kam ndërhyrë në zgjedhjet e tyre. Ndoshta Elia është influencuar pasi që e vogël ka ardhur në teatër. Vazhdimisht e merrja me vete dhe vërtet është ushqyer me këtë gjë, në turnetë që shkonim etj. Ajo njihte artistët dhe kjo duket si një botë e bukur që është ndryshe nga realiteti dhe mund të ketë influencuar. Por unë  personalisht asnjëherë nuk i kam shtyrë fëmijët që të marrim këtë rrugë, sepse kjo duhet të jetë një thirrje e brendshme. Asnjëherë nuk vjen nga jashtë kjo gjë. Nëse kjo nuk është thirrje e brendshme, është e kotë të tentosh artificialisht nga jashtë. Ka pasur dhe raste që fëmijë artistësh kanë ndjekur këtë rrugë dhe ndoshta nuk kanë qenë aq të suksesshëm sa prindërit e tyre. Ndërsa kur është thirrje e brendshme, është ndryshe. Unë sot, në këtë moment, do të isha shumë e lumtur që fëmijët e mi të më kapërcenin shumë mua, sepse jeta ecën shumë para, mentaliteti bëhet më i hapur. Ne vërtet kemi punuar shumë seriozisht dhe me shumë dashuri, por mos të harrojmë që kemi pasur dritaret e mbyllura dhe ajo çfarë përfitonim nga jeta ishin vetëm leximet, romanet. Kurse tani teknologjia ka krijuar kushtet që çdo gjë, të gjitha dritaret, të jenë të hapura dhe njerëzit të marrin informacione, të shohin gjëra, të kenë mundësi të edukohen, kështu që në këtë sens është tjetër mentalitet. Por, them që thirrja e brendshme është ajo që të bën të shkosh drejt një rruge, nga e cila nuk mund të devijosh. Mund të ngatërrohesh në fillim, por në fund fare jo. Dhe në moshën 18 vjeç, në momentin që shkon e konkurron apo kandidon për t’u bërë aktor ose diçka tjetër, kam idenë që thirrja ka kohë që ka ardhur. Përderisa është zgjedhja e tyre, jam shumë e qetë. Edhe nëse në jetë mund të ketë ndonjë dështim, siç mund të ndodhë, sepse njeriu nuk mund të jetë gjithë kohën, në të gjitha rolet, i përkryer. Megjithatë për mua është shumë e rëndësishme që ata të bëhen njerëz.
Çfarë u keni treguar ju për këtë rrugë artistike e njerëzore?
Nuk kam pasur fare nevojë t’u flas, sepse ata i kam pasur afër përditë, nuk jam ndarë kurrë prej tyre. Ata kanë qenë dy yjet e mi fatsjellës. Edhe pse me sakrifica, unë asnjëherë nuk jam lodhur nga sakrificat. Përkundrazi. Kur kam parë që nga një sakrificë lind një lule e bukur, atëherë gjithë lodhja është çlodhje në të vërtetë. Por nuk kam pasur nevojë t’u flas, sepse jeta jonë kështu është. Ne atë energji që marrim në punë, në njëfarë mënyre ose në një tjetër, patjetër që do ta çojmë në shtëpi. Nuk kam pasur nevojë t’u them, më ndodhi kjo apo ajo, ose ishte situatë e tillë. Ata duke të parë kuptojnë që ka diçka që s’shkon e që sigurisht lidhet me punën. Kështu që, nuk ka qenë e nevojshme. Unë nuk kam dashur absolutisht që t’i ngarkoja me energji negative.
Pra, mundet që të jesh mik dhe shok me fëmijët?
Jo mundet, por unë kam qenë me ta që kur kanë lindur. Unë kam pasur shumë raste, kur ata kanë qenë të vegjël, që u kam thënë: Më ndihmoni, sepse nuk po e zgjidh dot këtë. Ju lutem! Më ndihmoni!
Kështu që ua kam dhënë këtë kënaqësi duke u kënaqur edhe unë vetë. Dhe them madje se, nëse ata kanë arritur tani që të jenë koshientë në jetën e tyre, ndoshta ka influencuar që për mua vazhdojnë të jenë miqtë më të mirë në këtë jetë.
Ka gjëra për të cilat mund të jeni penduar, apo që mund të keni ‘pishmane’?
Unë në mënyrë të pavetëdijshme kam pasur një parim, të jem vetvetja.

Gruaja sot…
Kur flet për gruan, nuk mund të mos flasë për dashurinë. Për Yllka Mujon, duket se njerëzit sot janë ndërgjegjësuar për raportet mes gruas dhe dashurisë. “Nëse në një periudhë të shkuar njerëzit nuk e njihnin termin: ti duhet ta duash veten, sot e shoh të realizuar këtë gjë dhe shoh shumë femra që e duan veten. Kjo është një gjë shumë pozitive. Nuk them të jesh e dashuruar me veten. Ky është një term krejt tjetër, i dëmshëm. Kurse të duash veten, të njohësh vlerat e tua, të kesh, të luftosh pozitivisht për të nxjerrë në pah ato vlera, pozitivitetin kryesisht, është diçka që e ka ndryshuar shumë femrën dhe mentalitetin e femrës për femrën”, vëren Mujo. Aktorja mendon se “ka ndryshuar edhe te meshkujt mendimi për femrën”. “Por them që misionin po e bën femra në Shqipëri dhe ky është një ogur i mirë.”

BLERINA GOCE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura