Ylljet Aliçka: “Zhiti në Vatikan, jo si shpërblim, por për vlerat që ka”

Feb 23, 2015 | 9:13
SHPËRNDAJE

Rasti në fjalë fton për reflektime mbi “autenticitetin e vlerave” në shoqërinë e sotme shqiptare, pra për një rishqyrtim vlerash institucionale, politike e fetare, dilema këto që ende rrinë pezull apo në gjendje latente mbi ndërgjegjen shqiptare”, kështu shprehet shkrimtari dhe diplomati Ylljet Aliçka në lidhje me debatin e ndezur mes qeverisë dhe institucionit të Presidentit mbi kandidimin e Visar Zhitit si ambasador në Vatikan, pranë Selisë së Shenjtë.

Ylljet Aliçka

Një debat që nisi si fillim si një përplasje institucionale, thjesht e vetëm për çështje “konsultimesh”, për të marrë më tej nuanca fetare, e më pas një hedhje-pritje mes palëve. Nisur nga përvoja e tij prej diplomati, por edhe ajo çka na servir historia, Aliçka thotë se “historia ka raste suksesi nga të katër komunitetet fetare”. Në rastin e Visar Zhitit ai thotë se “rrallë përkon që vlera e një talenti të rrallë letrar, ‘të martohet’ me vlerat humane”, çka e bën atë një kandidat të denjë për të përfaqësuar Shqipërinë pranë Selisë së Shenjtë.

Besoj se e keni ndjekur debatin rreth kandidimit të Visar Zhitit për ambasador në Vatikan… Në të vërtetë, a është i vlefshëm ky debat, a duhej të shkonte deri këtu? Tani që çështja mori një rrugëzgjidhje, është e thjeshtë të mund të thuhet nuk ia vlente të shkonte deri këtu. Veçse, përballë atij përshkallëzimi institucional, politik dhe emocional, si dhe atij tallazi betejash të opinionit publik, ky rast dëshmoi dhe një herë nivelin e maturitetit të funksionimit të shtetit ligjor dhe pavarësisë së tij nga politika. Të mësuar me perceptimet stereotipe të mbuluara nga tisi i ideologjisë politike majtas/djathtas (më saktë sipas modelit shqiptar të së djathtës dhe të së majtës) opinioni publik u kap në befasi, i papërgatitur për shumë nga problematikat që buruan nga ky ngërç. Në këndvështrimin teknik dhe atë politik, historia e shkurtër e tranzicionit ka pasur raste të ngjashme, veçse jo të tilla përmasa dhe veçori, ku dinamika e konsolidimit të institucioneve të ndeshej kaq ashpër me kërkimin e ethshëm të “pronësisë” së identitetit pozitiv të një institucioni ndaj institucionit tjetër. Shto këtu debatet antropologjike të konceptit origjinë dhe përkatësi fetare, bashkëjetesa e realiteteve kundërshtuese në kohë-hapësirë, ndërhyrja e fesë mbi shtetin.…. Krahas të tjerave, rasti në fjalë fton për reflektime mbi “autenticitetin e vlerave” në shoqërinë e sotme shqiptare, pra për një rishqyrtim vlerash institucionale, politike e fetare, dilema këto që ende rrinë pezull apo në gjendje latente mbi ndërgjegjen shqiptare.

A mund të thuhet se figura e Visar Zhitit po përdoret politikisht nga të dyja palët për t’i rënë njëra-tjetrës?
Ashtu duket, dukuri kjo jo e panjohur në realitetin tonë dhe jo vetëm. Kjo edhe sepse personaliteti, vepra dhe jeta e Zhitit nuk ka lënë indiferente asnjë forcë politike.

Presidenti i Republikës duhet të qëndrojë mbi palët, mendoni se po e bën këtë?
Në çdo shtet ligjor zgjidhja gjendet duke iu referuar dokumenteve të ftohta institucionale e juridike të funksionimit të shtetit (e vërteta është se askush nuk e lexon Kushtetutën në kohë e tij të lirë), kam mendimin se Presidenti i Republikës nuk është thjesht një ekzekutues i vullnetit të Qeverisë, pra që ai duhej të ishte konsultuar paraprakisht. Pavarësisht nga kjo arsye, që do ta konsideroja objektive, paradoksalisht motivet e refuzimit u “pasuruan” më vonë me argumente shtesë (deklaratat e Zhitit në media, konferenca ipeshkvnore, origjina myslimane e kandidatit, paaftësia e tij për të bërë kryqin në një liturgji kishtare…) Presidenti duhej ta kishte dekretuar Visar Zhitin ambasador, jo si shpërblim ndaj kalvarit të jetës së tij, por për atë që ai ka bërë, është dhe mundet të bëjë për Shqipërinë. Përveçse mbrojtje e interesave strategjike apo aksioni tregtar, diplomacia është dhe një vektor i përfaqësimit të vetes, i një sistemi vlerash dhe i një imazhi, që pa e tepruar, them se Visar Zhiti është simboli më efikas.

Nuk duket pak absurde që Zhiti po “tradhtohet” prej të tijve (PD)?
Me sa di unë jo. Gjykuar nga jeta dhe vepra, Zhiti i ankorohet natyrshëm së djathtës shqiptare, por personalisht do e kualifikoja më shumë si adept kurajoz (pavarësisht nga pamja e tij e butë) i lirisë dhe drejtësisë shoqërore. Nga ana tjetër, rasti në fjalë mund të shërbente si një shembull ideal ku përkatësia te “tanët” apo tek “ata”, pra kundërshtari, nuk do nënkuptonte ankorimin gjenetik ndaj një grupimi politik, përjashtues ndaj grupit tjetër kundërshtar, por formë identifikimi ndaj një strukture dhe organizimi hierarkik vlerash.

A duhet që kisha ta thotë të vetën në këtë histori?
Është në të drejtën e saj për të shprehur opinionin e saj, jo domosdoshmërisht detyrues për institucionet laike të shtetit shqiptar.

A duhej marrë parasysh edhe përkatësia fetare?
Në traktatet diplomatike nuk ekziston ndonjë status zyrtar i prejardhjes fetare të diplomatit. Nga një vëzhgim empirik i historisë së shkurtër të shtetit shqiptar, pra pyetjeve se çfarë përfaqëson rasti shqiptar, si është kuptuar interferimi i kulturës politike me përkatësinë fetare nën prizmin e regjimeve të ndryshme politike në Shqipëri: gjatë monarkisë (përparësia e çështjes kombëtare), në komunizëm (mendimi uniform, monolitik e totalitarist), sot, republikë parlamentare (ndarja e diplomacisë nga propaganda etj.) rezulton se përvoja shqiptare nuk mbetet pas traditës europiane apo asaj botërore. Kjo pasi dhe vetë tipologjia e diplomatit është e gjerë, pra nuk ekziston një portret unik. Më tepër kemi të bëjmë me silueta dalë nga personalitete me prejardhje dhe përkatësi të shumëllojtë fetare. Historia ka raste suksesi nga të katrta komunitetet fetare (nisur nga Faik Konica, profeti i diplomacisë; Jusuf Vrioni, Misto Treska, Javer Malo, Halim Budo, Behar Shtylla, Teodor Laço…

Ju personalisht, si diplomat edhe si shkrimtar, mendoni se Visar Zhiti është njeriu i dukur për këtë pozicion?
Edhe pse jo e konsoliduar si një traditë institucionale, diplomacia shqiptare nuk e ka kushtëzuar suksesin apo dështimin e negociatave diplomatike nga përkatësia fetare. Për pasojë, ashtu si kudo, në kohë dhe vende të ndryshme kjo tendencë është përcaktuar nga përparësitë specifike të Shqipërisë, pra nëse imazhi i saj mbështetet mbi kulturën, fenë apo mbi politikën, Personalisht bëj pjesë te “fansat” e letërsisë së Visar Zhitit. Tek lexoj aty-këtu se po ngrihen panagjirizëm ndaj tij, pa e tepruar them se rrallë përkon që vlera e një talenti të rrallë letrar, e përsëris e një talenti gati gjenetik. “të martohet” me vlerat humane, të një mbrojtësi të përjetshëm të asaj shtrese të persekutuarish, që sipas meje, nuk është shpërblyer as shpirtërisht, as materialisht dhe që besoj se ende nuk e ka thënë fjalën e saj të fundit.

Kandidimi i Visar Zhitit për në Vatikan u përkthye edhe si një gjest simbolik kundrejt një njeriu, që jo shumë larg, ka pësuar një humbje tragjike, do të kishte qenë kjo një arsye më shumë për ta pranuar kandidaturën e tij?
Ka një cak në dhembjen njerëzore, ku nuk mund të pyetet më, kur nuk mund të flitet më dhe ku perceptimi ynë nuk ka fuqi të kapërcejë cakun e të pakapërcyeshmes. Atë cak ku dhembja gërryen tërë qenien e brendshme, dhe kur vetë qenia njerëzore gati harron krejtësisht vetveten, apo ta perceptojë atë realisht. Duke pasur fatin të jem mik me të, më shumë sesa karriera e tij diplomatike, për mua aktualisht ka më tepër rëndësi cila do të jetë “zgjedhja” që ai do bëjë për t’i dhënë kuptim jetë së tij, arsyen e re për të jetuar, pas asaj humbjeje tragjike. Them kështu pasi dhembja është ndjenjë, dhe ndryshe nga prononcimet mediatike të rastit në fjalë, si çdo ndjenjë, ajo është e vështirë për t’u shprehur. ALMA MILE

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura