“Tryeza e planit të vrasjes”, pronari i lokalit përmes tunelit të sigurisë së lartë në prokurori: S’kam lidhje me akuzat e Doshit, personat në foto i njoh vetëm si klientë (FOTO)

Mar 11, 2015 | 11:49
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Ylli Xhaxhollari, pronari i lokalit “Viva”, ku Tom Doshi pretendon se janë bërë takimet dhe bisedimet për organizimin e eleminimit të tij dhe deputetit demokrat Mhill Fufi, ka dëshmuar sot në Prokurorinë e Krimeve të Rënda duke thënë se s’ka lidhje me akuzat që bën deputeti i Shkodrës.

Ylli Xhaxhollari duke u larguar nga prokuroria

“Panorama Online” mësoi nga burime nga prokuroria se Xhaxhollari, i cili ishte thirrur dje për të dëshmuar, por është paraqitur sot pranë organit të akuzës, ka deklaruar se personat në tavolinën e fotografive që ka postuar Doshi, i njeh vetëm si klientë të lokalit. Ai ka mohuar çdo lidhje me çështjen “Doshi”.

[portfolio_slideshow] 

Xhaxhollari është futur në prokurori përmes tunelit të sigurisë së lartë. Burime i thanë “Panorama Online” se arsyeja përse ai hyri dhe doli nga prokuroria përmes këtij tuneli, ishte për të mos u kapur nga kamerat e mediave. Kjo ishte një kërkesë e pronarit të lokalit “Viva”, që mesa duket është pranuar nga prokuroria. 

Pas dëshmisë, Xhaxhollari është larguar prej ambientëve të organit të akuzës me një automjet të bardhë, që drejtohej nga shoferi i tij. 

Foto e publikuar në Facebook nga Tom Doshi

Personat që shfaqen në të njëjtën tavolinë me ish-kreun e Prokurorisë për Krimet e Rënda, Eugen Beçi, në fotot e publikuara në Facebook nga deputeti Tom Doshi, janë Ylli Xhaxhollari, pronar i lokalit “Viva” dhe Fatjon Skënderi.

Fotoja në fjalë është shkrepur në një nga baret e zonës së ish- Bllokut dhe referuar veshjeve të personave në foto, është bërë gjatë verës.

“Ky është organi i akuzës në Shqipëri”, ishte diçitura me të cilën u publikuan tri fotot në profilin zyrtar të Doshit në rrjetin social në internet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura