Ylli Pepo, një sy vëzhgues në familjen shqiptare

Jan 26, 2016 | 15:16
SHPËRNDAJE

Çdo familje jeton çdo ditë dramat e veta të vogla, momente gëzimi e trishtimi; çdokush ka pengjet e veta, mosrealizimet.

ylli pepo1Jo rrallë herë na ndodh të bëhemi qesharakë në atë që kërkojmë, që mendojmë se jemi, por nuk jemi…

Familja e Mimit dhe e Xhimit është një nga ato qindra familje shqiptare, që jeton çdo ditë brengën e të qenët “të parealizuar”. Nëse nuk do të ishin martuar aq herët, mund të kishte qenë ndryshe; po sikur Mimi të ishte martuar me një burrë tjetër dhe jo me Xhimin dështak?!

Me skenar të Koloreto Cukalit e regji të Ylli Pepos dhe Edmond Mandros, vjen në ekranin e Televizionit Publik Shqiptar filmi serial “Familja”. Siç e dëfton edhe titulli, filmi është një “hulumtim” në jetën e një familjeje, duke iu drejtuar kështu një publiku të gjerë, që përfshin të gjitha moshat.

Nuk është hera e parë që regjisori Ylli Pepo i ofron publikut një film të këtij zhanri, madje ka njohur edhe sukses në të. Mjaft të kujtojmë serialin “Njerëz dhe fate”, i cili mbërtheu të gjithë shqiptarët përpara ekranit.

Por ndryshe nga “Njerëz dhe fate”, “Familja” trajton problemet me të cilat përballet familja shqiptare në këtë periudhë të gjatë tranzicioni, përmes humorit. “‘Familja’ është një film i gjatë serial që i ka munguar publikut tonë.

Me të jo vetëm qesh dhe argëtohesh, por, pas mbarimit të çdo episodi, të bën të mendohesh dhe të gjykosh ku po shkon familja sot, sepse është një serial familjar që mund të shihet e të shijohet nga e gjithë familja. Në qendër është një familje tipike shqiptare, në të cilën ndodhin situata të përditshme për të gjithë, por që tek ata kthehen në komike, apo edhe në dramatike”, thotë regjisori Pepo.

Filmi, i cili tashmë ka arritur në pjesën e pestë, ka për producent Anton Grishajn, drejtor fotografie Denald Grepck- ën, mjeshtër zëri Kristaq Kriston, në ndriçim Sokol Këndella, postproduksioni Gjergji Pano, muzika Edmond Mancaku.

Momentalisht janë përfunduar 6 pjesë të serialit dhe sipas Pepos, ai është i hapur për të vijuar në të ardhmen me të tjera pjesë. Ky film tenton “të konkurrojë” telenovelat depresive turke apo indiane që kanë pushtuar ekranet tona televizive, duke i bërë shqiptarët të mendojnë për problemet e tyre.

Duke shprehur keqardhjen se rruga e suksesshme që hapi “Njerëz dhe fate” nuk vijoi më tej, Pepo thotë se “është detyrë e kohës, por veçanërisht e Këshillit të ri Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar, që sa më shpejt të vendosë në udhë profesionale dhe programore prodhimin e të paktën 4-5 serialeve të rinj çdo vit. Këtë e bëjnë të gjitha televizionet serioze të botës. Edhe te ne mundësitë organizative e financiare nuk mungojnë. Këtë kërkojnë edhe taksapaguesit shqiptarë”.

KARAKTERET

Në sytë e njëri-tjetrit, ata janë “dështakë”. Interesa të kundërta, karaktere të kundërt, përplasja e të cilëve krijon situata humori. Mimi, interpretuar nga Diana Proko, mendon që martesa me Xhimin në një moshë të re i ka prerë karrierën. Familja e saj është familje e ngritur intelektuale, ajo vetëm ka bërë të mesmen te Liceu, ndërsa i shoqi është shofer. Ajo përpiqet të ndihet si grua e realizuar, dhe forma e vetme që gjen është të hapë një floktore, ku e vetmja kliente është Leta, fqinja e saj.

Ajo është vazhdimisht xheloze për Xhimin dhe dy gjëra ndë- rhyjnë vazhdimisht në jetën e saj: mamaja dhe dëshira për të shfaqur cilësitë si këngëtare opere. Ndërkaq, fëmijët rriten vetë… Ndërsa Xhimi, interpretuar nga Gjergji Trola, është një shofer ministrie, me ëndrra në sirtar për t’u bërë sportist. Ai është figura tipike e një punonjësi administrate, me ankesën e vazhdueshme: “Bobo, kush shkon në punë!”.

Madje të njëjtën ankesë ka edhe kur kthehet në shtëpi. Ola, luajtur nga Markela Dede, është adoleshentja e ditëve tona, që do të dëshironte t’i kishte prindërit të pasur, por fakti që nuk i ka, i shton padurimin për t’u bërë vetë e tillë. Ndryshe nga ajo, Armando (Florindo Dori), është një para adoleshent i zgjuar e studioz, por që nuk është aspak i suksesshëm në shoqërinë e shokëve.

Prindërit, dikur nxënës të dobët dhe vetë, duket sikur nuk e vlerësojnë shumë faktin që ai merr nota të mira. Është i vetmi i zgjuar në familje, por i injoruar nga pjesa tjetër e familjarëve. Leo (Kledmir Abip), është një fëmijë që po rritet vetë. Babai e thërret “Plumb Qorr”. Madje, ai i bezdis të tërë me pyetjet e tij dhe askush s’ia ka ngenë, të zënë siç janë, me veten e tyre.

Nganjëherë harrojnë që e kanë në familje, ndonjëherë harrojnë ta marrin nga kopshti. Leta, interpretuar nga Natasha Sela, është fqinja beqare, që hyn pa trokitur e që shpesh bëhet pjesë e situatave në familje. Kastit të aktorëve iu bashkohet edhe Aishe Stari, Ermal Bardhi, Soni Mula, Odeta Mandro, Xhevahir Zeneli etj.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura