Ylli i “keqkuptuar” i Xhamisë së Et’hem Beut, i Davidit apo Sulejmanit? Historia e një xhamie, që “krijoi” qytetin përreth

Dec 21, 2020 | 9:33
SHPËRNDAJE

Specialistët e dinin që ai ndodhej aty, ndërsa besimtarët dhe vizitorët që e shijojnë atë objekt thjesht si një monument kulture, pjesë e trashëgimisë sonë kombëtare, me shumë gjasë nuk e dinin.

xhamia-e-ethem-beut

I mbuluar me një bojë të gjelbër, ylli 6-cepësh fshihej bash në Xhaminë e Et’hem Beut, në qendër të Tiranës. Punimet restauruese, të cilat kanë nisur dy vjet më parë, me mbështetjen financiare të Agjencisë Turke për Zhvillim-TIKA, me supervizimin e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, nxori në dritë edhe elementë të fshehur për dekada të tëra. Një ndër ta ishte edhe ylli 6- këndor, por edhe afreske të tjera të mbuluara me bojë nga përdoruesit e xhamisë.

Një pjesë e mirë e tyre ishin mbuluar me një bojë të trashë, për të mbuluar dëmtimet e shumta që kanë pësuar gjatë shekujve; disa të tjera janë mbuluar për shkak se janë keqlexuar apo keqinterpretuar nga besimtarët me njohuri të pakta teologjike. Xhamia e Et’hem Beut, ndërtimi i së cilës nis në shek. XVIII e përfundon në shek. XIX, nuk është thjesht një objekt kulti me rëndësi për besimtarët myslimanë. Ajo është një monument kulture i kategorisë I, shpallur që prej vitit 1948 dhe që prej kohësh priste t’i nënshtrohej restaurimit. Restaurimi është tërësor: në strukturën murale, në çati, dysheme dhe po i kushtohet një vëmendje e veçantë për ta rikthyer atë monument ashtu si ai ka qenë.

Një nga proceset më të ndërlikuara dhe delikate ishte restaurimi i pikturave murale, që veshin gjithë pjesën e brendshme të xhamisë, por edhe hajatin. Për restaurimin e këtyre afreskeve kanë punuar restauratorët: Adrian Çene, Andi Spahia dhe Fatmir Carkanji (ndihmës). Po bëhen dy vjet tashmë. Ishte një proces i vështirë, i cili pati edhe pengesa të tjera të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. “Po punojmë prej dy vjetësh, por nuk ka qenë e thjeshtë. Kemi pasur edhe pengesa gjatë punës.

Tërmeti i 26 nëntorit na detyroi t’u riktheheshim edhe një herë restaurimeve të bëra më herët, pasi lëkundjet sizmike shkaktuan dëmtime, jo të rënda, edhe në afreske. Ndërkohë që na është dashur të përshtatemi edhe me ritmin e punimeve të tjera që janë bërë në xhami, si rregullimi i çatisë”, thotë restauratori Adrian Çene. Bëhet fjalë për më shumë se 500 metra katrorë afreske të restauruar e rizbuluara.

Tanimë puna është drejt fundit dhe viti 2021 do ta gjejë Xhaminë e Et’hem Beut me afreske të restauruara, të cilat kanë zbuluar një bukuri të rrallë për nga teknikat e përdorura, motivet floreale, skenat që përshkruhen aty dhe ngjyrat e ndezura, që janë rigjallëruar pas kësaj pune voluminoze.

RIZBULIMI I YLLIT

Restaurimi i afreskeve të xhamisë, përveçse tepër delikate, ishte e mbushur edhe me kënaqësi të shumta. Ridalja në dritë e pikturave floreale, që mbushnin muret, rizbulimi i ngjyrave, të venitura nga koha përbënin një emocion më vete dhe njëkohësisht nxirrnin në pah vlerat e mëdha të këtij objekti. E, pa dyshim, kishte edhe të papritura të bukura.

Një nga to ishte rizbulimi i yllit 6-këndor, që më së shumti njihet si “Ylli i Davidit”, një simbol i njohur hebre. Me shumë gjasë kjo ka qenë arsyeja që ky simbol ishte i mbuluar nga besimtarët me bojë jeshile. “Sigurisht që specialistët ishin në dijeni të ekzistencës së këtij elementi të afreskut. Ai thjesht ishte i mbuluar me bojë jeshile, por gjithsesi dallohej nga incizionet, në sipërfaqen e murales, e cila shërbente si vizatim për piktorin”, thotë Çene.

Por, në të vërtetë, ai që besimtarët e kanë konsideruar si “Ylli i Davidit” dhe kanë tentuar ta mbulojnë, është një simbol i përhapur në disa religjione, por në rastin konkret, sipas restauratorit Çene, duket se bëhet fjalë për një simbol të profetit Suljeman. Madje, sipas tij, ai gjendet i gdhendur edhe nëpër teqe, një prej të cilave është edhe ajo e Helvetive, në Berat, e cila po ashtu është në mbyllje të kantierit të restaurim it. Do të duhet që specialistët e simboleve të thonë fjalën e tyre në lidhje me këtë element të pikturës murale. E megjithatë, duket se dilema është e madhe, përderisa lajmi i rizbulimit të këtij ylli dhe restaurimi i tij jo vetëm që nuk ka kaluar pa u vënë re, por ka ngjallur edhe debate, madje ka pasur edhe nga ata që kanë hedhur dyshimin se mos ai do të zhdukej.

Një ndër ta edhe Auron Tare, i cili duke shfrytëzuar një postim të ministres së Kulturës, Elva Margariti, në rrjetet sociale të një fotoje nga afresket e Xhamisë së Et’hem Beut, hodhi dyshimin për ekzistencën ose jo të këtij ylli, pas procesit të restaurimit. Dhe ishte sërish restauratori Çene, që pasi postoi një fotografi të pjesës së murales, ku paraqitet ylli i restauruar, siguroi se jo vetëm që nuk është zhdukur, por janë respektuar Kartat e Restaurimit.

Duke i konsideruar dashakeqësi e shpifje çdo insinuatë mbi mundësinë e “zhdukjes” së simbolit ai shprehet se “Nuk ekziston asnjë mundësi që dikush të na blejë me para apo me forma të tjera, që ne të mund të heqim po ndryshojmë simbolet nga muralet e Xhamisë së Et’hem Beut”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura