Ylli Bufi rrëfen takimin kokë më kokë: Sherri Berisha-Pashko për Qeverinë e Stabilitetit

Jun 9, 2016 | 20:32
SHPËRNDAJE

Shqipëria po dilte nga 50 vjet diktaturë. Një vend i varfër, i shkatërruar, që edhe konceptin e lirisë e kishte ende të paqartë. Këtë atmosferë të amullt, ku përtej luftës për të dalë nga kaosi nisi të bëhej edhe më e dukshme ajo për pushtet, na e risjell në vëmendje ish-kryeministri e Qeverisë së Stabilitetit 1991, Ylli Bufi.

Berisha dhe Pashko
Berisha dhe Pashko

Bëhet fjalë për librin “Në fillimet e tranzicionit (Qeveria e Stabilitetit, një marrëveshje politike apo një kompromis i përkohshëm)”, botimi më i ri i shtëpisë botuese “UET-Press”. Ky botim, pjesë e kolanës Scripta Manent, vjen në kuadër të botimeve mbi tranzicionin shqiptar, ku janë përfshirë libra studimorë, me kujtime dhe publicistikë nga studiues ose aktorë të drejtpërdrejtë të kësaj periudhe, si Preç Zogaj, Servet Pëllumbi, Spartak Ngjela, Adrian Civici etj.

Përmes kujtimeve të tij, Bufi sjell disa nga momentet më thelbësore pas rrëzimit të diktaturës, zgjedhjet e para, krijimin e Qeverisë së Stabilitetit, krizën ekonomike, vizitat e disa figurave të rëndësishme politike, si De Mikelis, Gensher, Kushner, Micotaqis etj. Ylli Bufi do të bëhej dëshmitar edhe i përplasjeve brenda partive. Nga libri “Në fillimet e tranzicionit” kemi shkëputur një nga momentet më të rëndësishme, atë të rënies së Qeverisë së Stabilitetit.

Bufi sjell një takim kokë më kokë mes politikanëve Fatos Nano, Sali Berisha, Gramoz Ruçi, Skënder Gjinushi etj., në lidhje me datën e zgjedhjeve. Ndërsa Berisha kërkonte afrimin e datës së zgjedhjeve, do të kundërshtohej nga ministri i tij, Gramoz Pashko.

YLLI BUFI

RËNIA E QEVERISË SË STABILITETIT

Kërkesa e PD për shpejtimin e zgjedhjeve të parakohshme ka qenë pothuaj e vazhdueshme gjatë gjithë kohës së funksionimit të Qeverisë së Stabilitetit. Në marrëveshjen e partive për formimin e qeverisë së koalicionit thuhej që “zgjedhjet e reja të zhvillohen në një datë të përshtatshme në periudhën maj-qershor 1992”. Kurse tani kërkohej që zgjedhjet të bëheshin në shkurt të 1992.

Ndonjëherë përmendej edhe dhjetori si afat ultimativ. Partia Socialiste ishte që të respektohej afati i caktuar në marrëveshjen politike. Megjithëse partitë politike kishin rënë dakord në Marrëveshje që ato do t’i propozonin presidentit të Republikës datën e zgjedhjeve, PD dhe PS nuk u takuan drejtpërsëdrejti asnjëherë për të diskutuar rreth datës së zgjedhjeve, por çështja trajtohej vetëm në tavolinat e organizuara nga Qeveria me partitë politike. Për herë të parë kërkesa për shpejtimin e zgjedhjeve të parakohshme u formulua në rezolutën e Kuvendit të PD, mbajtur në fund të shtatorit, dhe paskëtaj ka qenë një nga parullat kryesore të protestave të organizuara nga PD gjatë periudhës shtator-nëntor kundër komunizmit.

libri

Kërkesa nuk harrohej të përmendej as nga deputetët në diskutimet e tyre gjatë debateve parlamentare, sa herë që këto ashpërsoheshin. Duhet të theksoj këtu faktin se në Kuvendin e PD ministrat e saj nuk gjetën një mjedis të ngrohtë prej pjesëmarrësve, madje, shiheshin gati si kundërshtarë politikë, ngaqë bashkëqeverisnin, sipas tyre, me komunistët. Shumë prej tyre kishin filluar t’i shihnin me xhelozi ministrat, pasi këta, sipas tyre, shihnin vetëm interesat e tyre personale.

Pas kësaj ministrat e PD e kuptuan se nuk duhej të vazhdonin më “ngrirjen” e tyre, por duhej të afroheshin më shumë në parti. Kjo ndikoi në njëfarë mase edhe tek entuziazmi i punës së tyre, që nuk ishte më ai i pari. Pas Kuvendit të PD “qeveria e Stabilitetit filloi të zverdhej si gjethet në vjeshtë.” Dukej që sëmundja e etjes për pushtet kishte filluar të mbërthente militantët e PD, megjithëse ajo nuk e kishte mbushur ende vitin nga krijimi i saj. Kronika e rënies së Qeverisë së Stabilitetit ka qenë shumë dramatike për mënyrën sesi ndodhi dhe sidomos sesi u përjetua nga shqiptarët.

Ajo nisi me kërkesën për shpejtimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme dhe përfundoi me tërheqjen e ministrave të saj nga ana e PD. Përshkrimi me realizëm në librin “Fillimet”, të Preç Zogajt, të veprimeve dhe të përplasjeve të brendshme në gjirin e PD midis grupimeve liberal-demokrate dhe radikalëve të prirur drejt veprimeve të rrugës, por edhe midis individëve të ndryshëm, tregon më së miri se kjo ishte një krizë e thellë, që kishte lindur në partinë kryesore të opozitës dhe që do të çonte më vonë në shkëputjen prej saj të grupimit liberal-demokrat.

Qeveria e koalicionit ishte viktima e parë e kësaj krize. Me rrëzimin e qeverisë, Sali Berisha fitoi edhe betejën politike brenda partisë së tij. Dominimi i PD prej grupimit dhe frymës radikale, të kryesuar nga Sali Berisha, do të kishte një ndikim të madh negativ në ashpërsimin e konfliktualitetit politik gjatë gjithë tranzicionit shqiptar.

DEBATET PËR SHPEJTIMIN E DATËS SË ZGJEDHJEVE

Më 27 tetor, disa ditë pas miratimit në Kuvendin Popullor të programit të reformës ekonomike dhe marrjen e votëbesimit për fillimin e zbatimit të reformës ekonomike, organizova një tavolinë të rrumbullaktë me pjesëmarrjen e qeverisë dhe të kryetarëve të partive politike.

Qëllimi i takimit ishte diskutimi për datën e zgjedhjeve dhe për mandatin e qeverisë. Në këtë takim morën pjesë Fatos Nano, Sali Berisha, Skënder Gjinushi, Sabri Godo dhe Meno Osmëni.

Debati qe i nxehtë. Megjithëse çështja kryesore ishte të gjenim një qëndrim të përbashkët për datën e zgjedhjeve, argumentet dhe kundërargumentet ishin temat që lidheshin me rendin publik, me reformën ekonomike, me pranimin e forcave ushtarake italiane, me gjendjen në fshat dhe shpërndarjen e tokës bujqësore në përputhje me ligjin e miratuar, me reformimin e dikastereve, sidomos të Shërbimit Informativ Kombëtar, të Rendit Publik etj. Situata u acarua sidomos kur ministrat e PD kundërshtuan Sali Berishën për përpjekjet e tij për shpejtimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme dhe përfundoi me tërheqjen e ministrave të saj nga ana e PD.

Përshkrimi me realizëm në librin “Fillimet”, të Preç Zogajt, të veprimeve dhe të përplasjeve të brendshme në gjirin e PD midis grupimeve liberal-demokrate dhe radikalëve të prirur drejt veprimeve të rrugës, por edhe midis individëve të ndryshëm, tregon më së miri se kjo ishte një krizë e thellë, që kishte lindur në partinë kryesore të opozitës dhe që do të çonte më vonë në shkëputjen prej saj të grupimit liberal-demokrat. Qeveria e koalicionit ishte viktima e parë e kësaj krize.

Me rrëzimin e qeverisë, Sali Berisha fitoi edhe betejën politike brenda partisë së tij. Dominimi i PD prej grupimit dhe frymës radikale, të kryesuar nga Sali Berisha, do të kishte një ndikim të madh negativ në ashpërsimin e konfliktualitetit politik gjatë gjithë tranzicionit shqiptar.

DEBATET PËR SHPEJTIMIN E DATËS SË ZGJEDHJEVE

Më 27 tetor, disa ditë pas miratimit në Kuvendin Popullor të programit të reformës ekonomike dhe marrjen e votëbesimit për fillimin e zbatimit të reformës ekonomike, organizova një tavolinë të rrumbullaktë me pjesëmarrjen e qeverisë dhe të kryetarëve të partive politike. Qëllimi i takimit ishte diskutimi për datën e zgjedhjeve dhe për mandatin e qeverisë. Në këtë takim morën pjesë Fatos Nano, Sali Berisha, Skënder Gjinushi, Sabri Godo dhe Meno Osmëni. Debati qe i nxehtë.

Megjithëse çështja kryesore ishte të gjenim një qëndrim të përbashkët për datën e zgjedhjeve, argumentet dhe kundërargumentet ishin temat që lidheshin me rendin publik, me reformën ekonomike, me pranimin e forcave ushtarake italiane, me gjendjen në fshat dhe shpërndarjen e tokës bujqësore në përputhje me ligjin e miratuar, me reformimin e dikastereve, sidomos të Shërbimit Informativ Kombëtar, të Rendit Publik etj. Situata u acarua sidomos kur ministrat e PD kundërshtuan Sali Berishën për përpjekjet e tij për shpejtimin e datës së zgjedhjeve.

Po sjell këtu një pjesë të shkurtër e këtij debati, sipas procesverbalit të stenografuar të mbledhjes:

Ylli Bufi: Po ju a themi me sinqeritet të madh. Në qoftë se kërkohet zgjidhje e re politike, urdhëroni, vëllezër, drejtues të partive, jepini zgjidhje të re politike këtij vendi. Kështu, ky vend po shkon… në humnerë. Skënder Gjinushi: Unë pikërisht këtë po them, që të merremi vesh. E dimë që barra kryesore i bie qeverisë, sado që partitë nuk janë jashtë këtyre, por, sidoqoftë, këtu rrahin. Është më lehtë të kritikosh, sesa ta kesh në kurriz, megjithatë, gjërat t’i çojmë drejt konvergimit.  Ju thoni që nuk na keni mbështetur për ligjin për fshatin. Asnjë nuk ka dalë dhe nuk e ka kundërshtuar reformën ekonomike. Për Rendin ka disa divergjenca, por, në esencë, unë nuk jam dakord që janë sulmuar forcat e rendit. Forca e rendit më shumë janë sulmuar, sepse nuk vënë rendin. Këtu kemi një rreth të mbyllur. Në çfarë kuptimi? Që rendi thotë ‘më mbështet, që të vendos rendin’. Ne, duke përfituar nga shtypi apo njerëz të ndryshëm botërisht, e kritikojmë, sepse mendojmë që ka hilera, ka…

Bajram Yzeiri: Nuk është kritikë kjo, se kritika mirëpritet. Ajo është një sulm për të shkatërruar. Skënder Gjinushi: Më vjen keq, të mos marrim ekstremet. Tani ne duhet të konvergojmë. Do ta mbështesim rendin, dakord, por ama, te rendi janë disa, por…

Ne kërkojmë të jemi të informuar, të jemi më të sqaruar për SHIK-un. Unë, po nuk u sqarova, nuk e mbështes rendin, ose do ta shoh me dyshim që ka mbajtur 500 oficerë të Sigurimit … Kjo duhet të kuptohet qartë, që për sa kohë partitë qëndrojnë në qeveri, do të thotë se e mbështesin këtë qeveri. Po të qe se do të ishim bërë pishman, unë nuk e di, por çdo parti tërhiqet, në qoftë se do zgjidhje tjetër.

Fatos Nano: Kryeministri shtroi që në fillim që, nëse është nevoja e një zgjidhjeje të re politike, ta themi hapur dhe të mos e fshehim kokën si struci. Keni shtruar zyrtarisht, edhe në shtyp, nevojën e afrimit të zgjedhjeve. Çfarë mandati i japim kësaj qeverie dhe deri kur? Ta dimë dhe të marrim përsipër deri atëherë detyra.

Sali Berisha: Zoti Fatos, ajo duhet të jetë objekti i një diskutimi publik. Fatos Nano: Ne qëndrimin publik e kemi dhe i qëndrojmë formulës politike të qershorit. Ju keni shtruar nevojën për një zgjidhje të re politike, të cilën po e përpunoni. Nuk e di a keni arritur ta vendosni apo jo. Por unë besoj se e vendosin partitë këtë. Ju lutem, çfarë mandati jepni, si tri parti në koalicion qeveritar, kësaj qeverie?

Skënder Gjinushi: Është e njëjta zgjidhje politike, sepse zgjidhja politike ka qenë krijimi i kësaj qeverie, së cilës do t’i lihej koha për realizimin e programit të saj. Pra, kjo qeveri do të mbështetet për aq kohë sa realizon programin që ka marrë përsipër.

Fatos Nano: Kjo qeveri ka një mandat deri në maj-qershor 1992. Ky është mandati legal i miratuar nga parlamenti.

Sali Berisha: Zoti Nano, zhvillimet tregojnë se ai mandat është absolutisht i pamundur për t’u realizuar.

Fatos Nano: Po atëherë, këtë thoni!

Emin Mysliu: Atëherë unë mendoj që ne duhet ta mbyllim këtë mbledhje dhe nuk duhet të vazhdojmë më. Unë i pari jam i mendimit që ne duhet të japim dorëheqje. Zoti Sali Berisha, Kuvendi ka vendosur. Po të afrohen zgjedhjet në Shqipëri, do të thotë që të shkatërrohet Shqipëria, zoti Sali Berisha.

Sali Berisha: Ashtu, në rregull, dakord…

Emin Mysliu: Është katastrofë për Shqipërinë. Dhe kush është për këtë punë, është që t’i vësh zjarrin Shqipërisë.

Sali Berisha: Është mendimi juaj!

Emin Mysliu: Jo, Partia Demokratike ka vendosur në Parlament që kësaj qeverie t’i jepet votëbesim dhe zgjedhjet të bëhen në majqershor.

Sali Berisha: Jo, zoti Mysliu, më duket jeni keqkuptuar.

Fatos Nano: Kjo është një çështje kardinale. Ju lutem shumë, e kam fare pa paragjykime. Hajde, të mos e fshehim kokën si struci. E vendosim dhe i themi njëri-tjetrit ballas: cili është mandati i kësaj qeverie. Ne i qëndrojmë formulës politike të miratuar në Parlament, që mandati i saj përfundon në maj-qershor 1992, me zgjedhjet. Përndryshe, kjo qeveri nuk ka asnjë qëndrueshmëri. T’ua themi në mënyrë të ndershme dhe luajale që, zotërinj qeveritarë, mandati nuk është ai që ju kemi dhënë, por është tjetër. Unë po përsëris qëndrimin e partisë sime, ne i qëndrojmë mandatit të miratuar në Parlament, ju keni vendosur diçka tjetër.

Ylli Bufi: Në qoftë se diskutohet që të bëjmë zgjedhje në dhjetor, të bëjmë zgjedhje në janar, nuk fillohet reforma. Është marrëzi të fillosh reformën tani. E dini ç’do të thotë të fillosh reformën tani dhe pastaj në dhjetor të fillosh reformën elektorale?

Gramoz Pashko: Këta kanë një të drejtë shumë të madhe që ne nuk i kemi informuar si duhet dhe nuk po informojmë publikun shqiptar, që të mos mbjellim disfatizëm, sepse kjo është kriminale për këtë komb. Nuk do të na e falë historia neve këtu, që jemi në tavolinë, të gjithëve, pas disa vjetësh, pasi të jetë bërë katrahura dhe, kur njerëzit të dalin në rrugë të thyejnë dyqanet dhe të vjedhin ushqimet dhe ato pak që do të kenë mbetur. Prandaj është kriminale që t’i përhapim disfatizëm këtij populli. Po përpiqemi ta mbajmë me pak shpresë. Zotërinjtë partiakë, mbase nuk janë të informuar për të dhënat. Ne të shkretët nuk kemi mundësi ku t’i ekspozojmë, por vetëm një llogaritje të thjeshtë të bëjmë. Agimi tha që 30 për qind e sasive ushqimore kanë ardhur deri tani, ato janë shpërndarë dhe nëpër depo nuk ka asgjë. Ne jemi gati ta lëmë punën në mes që sot, por dijeni që e keni popullin pa bukë, e kemi popullin pa ushqime, futeni në fushatë elektorale pa ushqime. Ka edhe 30 për qind të ngrohjes, të druve, mezi po përpiqemi të gjejmë pak qymyr. Kjo është gjendja e Shqipërisë. Fusni një popull të uritur në fushatë zgjedhjesh. Shtojini inateve politike dhe urinë. Asnjëri nga ne që jemi këtu nuk e ka provuar urinë. Shkoni, zotërinj partiakë, shihni pak fshatrat si jetojnë, se ne kemi qenë fshat më fshat dhe i kemi parë.

Emin Mysliu: Unë për mendimin tim dua që kjo çështje të jetë e qartë, të jetë e pastër, e sinqertë, të jetë e drejtë, pa keqkuptime, dhe nuk e di, edhe në interes të popullit.

Sali Berisha: Zotërinj ministra, përgjegjësi për Shqipërinë nuk keni vetëm ju.

Emin Mysliu: E kemi shumë të madhe përgjegjësinë, zoti Sali. Është në katastrofë ky vend.

Sali Berisha: Të lutem shumë, mos bërtit.

Emin Mysliu: Po ta kuptojmë drejt këtë punë.

Sali Berisha: Zotëri, mendimet politike shprehen lirshëm, por jo në këtë mënyrë. Po ti po më çudit, se ti sado që pak, por si deputet i Partisë Demokratike, ti, rezolucionin e Kuvendit të parë të Partisë Demokratike duhej ta lexoje se kur shkohet për afrimin e zgjedhjeve.

Gramoz Pashko: Po Partia Demokratike nuk e ka përcaktuar datën e zgjedhjeve, zoti Berisha. E them këtë, se jam edhe unë në Kryesinë e Partisë Demokratike.

Sali Berisha: Unë nuk dhashë datë këtu, zoti Pashko.

Emin Mysliu: Po insinuatat u thanë për këtë punë.

Gramoz Pashko: As Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike nuk e precizoi datën.

Sali Berisha: Këtu unë nuk dhashë asnjë datë. Edhe deklaratën, në qoftë se ju jeni njerëz politikë, dhe jeni njerëz politikë, dëgjoni dhe deklaratën e grupit të deputetëve. Grupi i deputetëve kushtëzoi i japim votëbesimin qeverisë kështu e kështu dhe, në rast të kundërt, do të synojë zgjedhjet politike. Ju me të vërtetë nuk keni gazetë tuajën, por lexoni gazetat tona. Duket që ju lexoni vetëm kritikat që i bëhen qeverisë, nuk lexoni të tjera.

Zyhdi Pepa: Kjo është shkelje e marrëveshjes. Ne për këtë qeveri bëmë një marrëveshje politike dhe me partitë.

Sali Berisha: Nuk ke realizuar një seri objektivash, zoti zëvendëskryeministër.

Zyhdi Pepa: Hajde, na i thoni. Pse nuk e thoni atëherë që ta fillojmë zgjidhjen politike? Pse nuk e thoni tani? Deri tani thatë që qeveria ka punuar mirë, do ta përkrahim këtu, këtu. Çfarë rezerva keni, na i thoni. Ne nuk kemi ardhur për lutje, kemi ardhur për të bërë një detyrë dhe largohemi që nesër.

Sali Berisha: Ne paraqitëm kushtet tona. Ne e thamë shqip, ne mbështetje pa kushte nuk japim.

Zyhdi Pepa: Ne të largohemi nga kjo qeveri, të paktën, të ndershëm para popullit. Partitë politike të mbajnë përgjegjësinë e vet. Ti je kryetar partie dhe më the mos zbato ligjin për tokën, këtej bën propagandë për shtet ligjor. Shkoni në parlament, partitë politike e bëjnë luftën në parlament. Në qeveri nuk e bëni luftën. Në parlament formuloni ligjet ashtu si ju i doni dhe unë zbatoj ligjet. Ju bëni deklarata dhe e çoroditni qeverinë, nuk e mbështetni qeverinë.

Gramoz Pashko: Jo, unë thashë një gjë tjetër, të bëjmë një deklaratë publike dhe të themi sa rezerva ushqimore kemi, sa rezerva në ilaçe kemi, sa rezerva në dru zjarri kemi, deri ku mbajnë. Ne po bëjmë këtë punë, për të sjellë dhe të tjerat. Si të doni. Në daç i themi popullit të na e presë litarin, në daç të na lërë të vazhdojmë punën.

Fatos Nano: Të jemi realistë deri në fund me njëri-tjetrin. Nga kjo mbledhje mund të dilet vetëm me konkluzionin që kjo qeveri a e ka mandatin që i dhanë Parlamenti dhe tavolina partiake apo nuk e ka? E dyta, unë kam besim se kjo qeveri, në emër të Kombit shqiptar, të popullit shqiptar, që po vlerësohet brenda dhe jashtë, ka gjetur partnerët e domosdoshëm në botë. Por ai shqetësim që ngriti Meti (Kapllani), ne po tregojmë që ne nuk kemi gjetur partnerin brenda, me njëri-tjetrin. Prandaj, hajde t’i vëmë kapak kësaj pune. Është kjo qeveri që na përfaqëson? Deri kur? Është kjo qeveri, që na përfaqëson deri në mandatin e fiksuar, maj-qershor 1992 dhe që detyrimisht duhet t’i hyjë reformës, pavarësisht se kush e vazhdon më pas? Sepse t’i hysh reformës, krahas ekuilibrave të brishta ose kaosit të tanishëm, është t’i shtosh edhe të tjera. Dhe në momentin më të parë që të fillojë reforma, cilado nga partitë do ta gjente komode të thoshte që e ka fajin qeveria. Prandaj, unë jam dakord të fiksojmë se çfarë mandati ka kjo qeveri, ta fillojë reformën apo jo dhe të mbështetet ose jo.

Gramoz Pashko: Atë do ta caktoni ju si parti. Ne marrim rrogën për këtë punë që bëjmë, paguhemi. Në qoftë se do të ikim nga kjo punë, do të ikim dhe do të gjejmë një punë tjetër për të marrë rrogë. Zgjidhje politike, do të jepni mandatin, nuk do të jepni mandatin, mblidhuni ju atje, zgjidheni këtë punë. Keni Parlamentin ku të shkoni dhe ta thoni. Shkoni atje në Parlament dhe të thoni…

Fatos Nano: Gramoz, me të njëjtën gjuhë kam folur unë në maj, me të njëjtin shqetësim, nuk të paragjykoj fare. Ka një rrugë ligjore. Paraqitni mandat mosbesimi atje në Parlament. Është krejt normale. … Për herë të parë kryetarët e partive nuk ranë dakord që nga mbledhja të dilej me një deklaratë të përbashkët. Veçanërisht ministrat e PD ishin të nervozuar me S. Berishën, për faktin se ai çështjen e largimit nga qeveria nuk e kishte trajtuar asnjëherë me ta. Dukej se ai kishte dëshirë që ministrat të kundërshtonin vijën e partisë, për të gjetur një arsye të fortë për largimin e tyre nga forumet drejtuese të saj. Ata kishin të njëjtën parandjenjë, si edhe 6 muaj më parë, kur Berisha i propozoi të ishin ministra të kësaj qeverie.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura