Ylli Bodinaku, njeriu që rrëzoi “murin gjerman”: Si vajza e Petro Markos më futi në Spaç!

Jul 9, 2018 | 22:21
SHPËRNDAJE

Në 2 korrik 1990 me mijëra shqiptarë u dyndën në ambasadën gjermane, me shpresën për tu larguar nga vendi. Ishte pikërisht kjo ambasada e cila u bë nisja e asaj që u quajt “ngjarjet e ambasadave”. Ku mbi 5200 shqiptarë u larguan nga Shqipëria.

Por, simboli i asaj dite, ishte një kamion i cili çau në mes murin e ambasadës gjermane. Ishte një djalë rebel, trim, i cili vendosi që të ndërmerrte këtë hap. Duke rrezikuar jetën e vetë dhe të familjes së tij. Ai ishte Ylli Bodinaku, i riu nga Tirana, i quajtur nga ambasada gjermane, ‘hero’. Në kamionin Skoda, Bodinaku shoqërohej nga gruaja, dy djemtë, njëri 11 vjeç dhe tjetri foshnjë dy muajsh, si edhe nga 36 vetë të tjerë.

“Ajo ishte periudha ku sapo kishte filluar të ndjehej tensioni dhe dëshira për tu larguar, të gjithë thoshin ‘aman, hajde të ikim’, veçse nuk e dinim ku të iknim. Ishte një miku im që ma propozoi hyrjen për në ambasadë, si tip moskokëçarës që isha, i thashë që do ta bëja unë. Shkova në shtëpi, mora gruan, dy djemtë, qengj, verë, rakinë çfarë kisha në shtëpi. Dhe u nisa, rrugës për te ambasada vinin njerëz dhe kërkonin të hipnin, deri sa u bëmë më shumë se 35 veta. U futa në kthesë dhe i rashë murit nga mbrapa dhe makina hyri afro 1 metër.

Pasi u hap muri, ndër të parët që hynë ishte një djalë që quhej Labi i Kinostudios, me 30 vetë të tjerë , të cilët hynë me vrap. Aty ndodhi dhe një vrasje, ku u vra një djalë nga Kombinati, ishte 17 vjeç. Unë sigurisht që pësova dëmtime, në momentin që u përplasa. Ishte një infermiere aty në ambasadë, e cila ma qepi krahun 16 herë. Unë pata një kujdes shumë të madh prej ambasadës gjatë gjithë 2 javorshit që qëndrova atje. Bashkë me familjen na futën në dhomën e ambasadorit, ndërkohë që rreth 3200 vetë qëndronin në oborrin e ambasadës. Shtuar këtu gjënë më të keqe që bëri Ramiz Alia, futi në ambasadë gjithë xhepistët që i nxori nga birucat, si edhe prostitutat e internuara. Ai prishi imazhin e Shqipërisë, me këto lloj njerëzish.”

Që kur ishte fëmijë, Ylli e përçmonte sistemin. Ndaj, e ka pasur dëshirën për tu larguar, në një kohë kur shumë as nuk guxonin. Madje edhe kur ishte i burgosur në Spaç, prej spiunimit nga vajza e Petro Markos.

“Aranita Marko kishte vëllain dhe babain në burg, në atë kohë ne ishim një grup miq. Duke diskutuar dhe bërë shaka, unë shpreh një fantazi, sikur të fusnim makinën me dinamit brenda Kuvendit Popullor. Ajo shkoi dhe spiunoi, ndaj mua më akuzuan se isha në bashkëpunim me Aleksandër Meksin, pasi në atë kohë ne punonim bashkë. Por, sigurisht që ne i hodhëm poshtë këto akuza.


Petro dhe Aranita Marko.

Me Meksin kisha të njëjtat ide dhe na ngjasonin shumë mendimet, ndaj kur ai u bë kryetar i Kuvendit Popullor, thashë që Shqipëria ka gjetur një njeri tamam. Por, këtu nuk ka tamam. Po të kishin qenë të mirë të parët, Shqipëria do të kishte ecur. Por, këto vazhdojnë të jenë me librin e Enver Hoxhës poshtë kokës.”

Edhe pse jeta në Gjermani ishte më premtuese, Ylli kthehet në Shqipëri, ku hap një servis makinash. Sepse ‘Guri i rëndë, peshon në vend të vet’.

“Shqipërinë do ta bëjnë shqiptarët dhe Gjermanin, gjermanët. Kjo ka qenë dhe është motoja ime. Ndaj edhe unë për tre vite u ktheva. Sepse ndryshe kush do ta bëjë dhe çfarë do të ndodhë me vendin tonë?! Ne, shqiptarët, por me kushtet e demokracisë. Ky vend ka marr fund, por megjithatë nuk e kam problem, kur kam mbijetuar në Spaç, mbijetoj edhe këtu. Por, lirinë mund ta kërkosh duke punuar dhe jo duke ikur.” TIRANA TODAY

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura