Yield-et e bonove të thesarit rriten lehtë

Jan 19, 2022 | 19:35
SHPËRNDAJE

Yield-et e bonove të thesarit shënuan një rritje të lehtë në ankandin e ditës së martë. Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, bonot me maturim 12-mujor u emetuan me një yield mesatar të ponderuar prej 1.59%, nga 1.57% që kishte qenë ky tregues në ankandin e mëparshëm. Në ankand u emetua e gjithë vlera e parashikuar prej 9.2 miliardë lekësh, ndërsa vlera totale e kërkesave të paraqitura në ankand arriti në pak më shumë se 10 miliardë lekë.

burs

Ashtu siç pritej, yield-et e bonove të thesarit po japin sinjalet e para të një korrektimi në rritje, megjithëse me përmasa shumë të kufizuara dhe pa luhatje shumë domethënëse.

Një rritje graduale e yield-eve në tremujorin e parë të këtij viti është e pritshme dhe lidhet në radhë të parë me shtimin e pritshmërive të përgjithshme për një rritje graduale të normave të interesit në tregjet financiare. Në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka dërguar sinjale të qarta se, në një skenar bazë, normalizimi i politikës monetare do të nisë gjatë këtij viti. Kjo nënkupton një tërheqje të stimulit monetar dhe rritjes graduale të normës bazë të interesit.

Sipas Instat, për muajin dhjetor inflacioni vjetor u rrit në 3.7%, duke arritur nivelet më të larta në 11 vitet e fundit. Projeksionet e Bankës së Shqipërisë e vendosin inflacionin në rritje të mëtejshme gjatë muajve të ardhshëm, ndërsa normalizimi pritet të fillojë duke filluar nga mesi i këtij viti.

Një faktor tjetër, me ndikim më të drejtpërdrejtë, është kërkesa e qeverisë për hua në tregun e brendshëm financiar. Huamarrja në tregun e brendshëm financiar do të rritet në tremujorin e parë të vitit 2022 dhe pritet të ketë vlerën e 116.7 miliardë lekëve (përfshirë këtu edhe rifinancimet), në rritje me 71% krahasuar me tremujorin e fundit 2021 dhe me rreth 21% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo luhatje do të jetë gjithsesi e përkohshme dhe për vitin kalendarik kërkesa e qeverisë për borxh të ri në tregun financiar nuk do të ndryshojë shumë.

Për vitin 2022, shuma e deficitit të ri, e parashikuar për t’u financuar në tregun e brendshëm është rreth 50 miliardë lekë, afërsisht po aq sa në vitin 2021. Emetimi i Eurobondeve në shuma të konsiderueshme gjatë dy viteve të fundit e ka ulur ndjeshëm trysninë mbi tregun e brendshëm financiar, duke krijuar më shumë likuiditete të lira dhe duke ndikuar kësisoj në uljen e yield-eve të instrumenteve të borxhit të qeverisë./Monitor

Burimi: Banka e Shqipërisë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura