Xhubleta ilire dhe gjyshja e Kelmendit

Feb 15, 2018 | 8:00
SHPËRNDAJE

ndue dedajNDUE DEDAJ

Vjeshtën e shkuar pyetëm në Vermosh nëse punohej më xhubleta nga gratë artizane të trevës së Malësisë së Madhe dhe na thanë se jo, edhe pse zhvillohet çdo vit “Mis Malësia” në Qafë të Perdolecit, me shpalimin si në legjenda të bukurisë së grave e vajzave malësore shtathedhura, që shndrisin nën kostumet e tyre “hyjnore”, edhe pse turistët e kërkojnë veshjen tradicionale të zonës. Në këtë mënyrë, xhubleta rrezikon të zhduket më sot e më nesër. Vetëm në qoftë ruajtur në rekuizitën e teatrit “Migjeni” në Shkodër apo në ndonjë muze të etnografisë.

Gratë e moshuara po i marrin me vete në varr xhubletat e fundit. Ndiqnim një dokumentar televiziv dhe njëra nga gjyshet sojnike të Kelmendit, 90 e ca vjeçe, po i thoshte gazetares se xhubletën e kishte sjellë me pajën e saj të nusërisë, shtatëdhjetë vite më parë dhe do ta merrte me vete veshur, ditën që do të përcillej për te të shumtit. Po na ikën pa e kuptuar një thesar me origjinë ilire dhe nuk e ndalojmë dot. Sa nga ngarkesa emotive e psikologjike e bartëseve të këtyre veshjeve, sa nga indiferenca e institucioneve të shtetit për ta ndaluar “groposjen” e kësaj pasurie unikale, duke ua blerë ato, gjysheve me çmimin e shtrenjtë të kostumeve firmato, me të cilat janë të veshur zyrtarët e këtij vendi.

Sipas specialistëve të fushës, xhubleta përfaqëson veshjen me të hershme në Shqipëri, por njëherësh edhe tipologjinë e veshjes më të vjetër në botë, ende e gjallë në kullën malësore shqiptare. Ajo sjell mesazhet e qytetërimit ilir, që përmes saj mbërrin deri në ditët tona. Xhubleta, “me fundin në formë kambane të valëzuar”, e thurur me fije ari, është një veshje princërore, në një botë alpine ekzotike e baritore. Në ngjyrën e saj të zezë, sikur është ngurtësuar lashtësia epike e kreshtave, ndërthur me motive plot ngjyra e simbole të veçanta, në harmoni me kostumin e kësulën e bardhë të burrit.

Por, xhubleta që vjen nga prehistoria, është në fundin e saj ekzistencial. Në Malësinë e Madhe, njerëzit kanë ikur në emigracion gjer në Amerikë dhe nuk janë më artizanet e dikurshme, që e kishin këtë zanat shtëpi për shtëpi e as veglat e nevojshme për punimin e saj. Vajzat dhe gratë e reja nuk e njohin teknikën e endjes, qëndisjes e stolisjes së xhubletës, si një copë “bjeshkë” e hedhur mbi trupin e tyre.

Të njëjtin merak shprehnin dhe dy vëllezër lahutarë kelmendas të zbritur në fshatrat e Lezhës, se rrezikohet të zhduket edhe lahuta, ata i punonin vetë ato, ngaqë nuk janë më zejtarët e dikurshëm. Ngjet kështu dhe me shumë vegla muzikore të tjera të traditës, si fyelli, sharkia, zumaret etj. Mjeshtrit e shquar të punimit të filigranit në Prizren, nga e ka marrë përhapjen kjo zeje dhe në Gjakovë, Pejë, Prishtinë etj., njëherësh e zhvilluar dhe në Shkodër e Ulqin, e mbartur prej shqiptarëve gjer në Kroaci e më tej në Europë, shprehen me shqetësim se po shuhet kjo traditë e çmuar e punimit të stolive dhe sendeve të arit, me gjasë e lashtë qysh prej kohës së Pirustëve.

Zhdukja e së vjetrës ndodh si pa e kuptuar nga ritmet e shpejta moderne të zhvillimit, por dhe nga interesi i paktë që tregohet për trashëgiminë. Kur nisi të ndërtohej Velera në Durrës pati shumë reagim qytetar dhe specialistësh të monumenteve, se ajo po ngrihej mbi një pjesë të vjetër nëntokësore (arkeologjike) të qytetit të lashtë të Dyrrahut. Mirë- po, sa objekte të tjera, të një rëndësie më të madhe apo më të vogël, janë sakrifikuar e mbuluar nën tokë për hir të së resë.

Para dhjetë vitesh është shkruar me shqetësim se autostrada Durrës – Morinë po rrafshonte disa nga kullat e zonës së Mirditës, brigjeve të lumit Fani i Madh, ndër të tjera dy kulla monumentale disashekullore në fshatin Mashtërkor dhe një kullë më e vogël e “ngulur” në gur në fshatin Bisakë, si një eshtër e zgjatur nga shkëmbi i bardhë dekorativ. Të gjitha mundësitë kanë qenë që të shmangej prishja e tyre, duke e devijuar aksin e rrugës. Dikush mund të thotë, po çfarë u bë për tri kulla, kur ka treqind të tjera?

Diku tjetër dhe mund të rrafshohen, por jo në një fshat nga më të bukurit e Veriut, i identifikuar si fshat i kullave, të cilat ishin ngrehina të skalitura në gur, si Kulla e Skanës, e përmendur si punishte armësh dhe baruti qysh në kohën e Skënderbeut. Nëse nuk do të ishte ecur në “vrap”, në emër të ndërtimit një orë e më parë të Rrugës së Kombit, ndoshta sot, ato kulla do t’i kishte marrë në mbrojtje UNESCO apo do të ishte zbatuar ndonjë projekt i BE-së për zhvillimin e turizmit kulturor.

Me shfytyrimin e këtij fshati nga autostrada, Oroshit i është hequr “oborri” piktoresk, ku do të mblidheshin turistët për t’u ngjitur pastaj me teleferik apo fuoristrada, në Malin e Shenjtë në bjeshkë. E kemi ngritur zërin dhe asokohe, drejtpërdrejt, por kush ua ka ngenë mediave nga ata që marrin vendimet lart për rrugët, hidrocentralet, hotelet etj. Shqipëria ka një përvojë të hidhur më shumë se njëshekullore të grabitjes së relikteve të rralla arkeologjike, etnografike, religjioze etj.

Asaj i është grabitur dhe ari më së njëherë, por duhet thënë se nëse ari i vjedhur të lë të varfër si vend e si popull, këto thesare të trashëgimisë kulturore të lënë pa histori. Nga lart vazhdohet ende me shkresa, duke kërkuar informacion në bazë, se cilët janë monumentet e kulturës të regjistruar dhe cilët duhet të shpallen të rinj?! Sikur monumentet të ishin diçka që shtohen çdo vit! Për mendimin tonë, është koha për një qasje të specializuar ndaj monumenteve të harruara, që kanë ardhur deri tani pa u përfshirë në databezin kombëtar, me identifikimin në vend të tyre nga specialistë të mirëfilltë të trashëgimisë, që zor se mund t’i kenë vetë bashki si Puka, Tropoja, Skrapari, Erseka, Delvina etj.

Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me donatorët e huaj, i ka bërë në parametra europiane sinjalistikat në terren dhe guidat shqip-anglisht të disa qytezave antike apo kalave kryesore, çka do të thotë se përvoja tashmë është, mjafton pak më shumë përkushtim dhe sidomos një buxhet i përcaktuar për hartografimin dhe mbrojtjen e monumenteve, lë të themi të vogla, nëpër kreshtat e maleve, pa harruar dhe gjeomonumentet, të cilat mund të skedohen në bashkëpunim me gjeografët, specialistët e Agjencisë së Zonave të Mbrojtura etj.

Edhe për të shmangur ndërtimet e hidrocentraleve etj., por dhe se turistët i “gjuajnë” ato për të veçantën që paraqesin. Nëse qeveria, bashkitë, Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve dhe drejtoritë rajonale të trashëgimisë kulturore nuk veprojnë shpejt, me përgjegjësi dhe një strategji kombëtare më të frytshme, sosja dhe bjerrja e trashëgimisë ende të pambrojtur është e pashmangshme. S’mund të rrimë pa i kthyer kryet dhe njëherë nga ajo gjyshja që ka vendosur ta marrë me vete xhubletën e vjetër, duke e bërë të “vdekur” që tani, bile qysh se e ka sjellë në kullë bashkë me “fishekun në pajë”.

Pyetja është e hapur për të gjithë, kulturologët, zyrtarët, familjarët: çfarë mund të bëjmë që të mos na ikin nën tokë xhubletat e fundit? Kullat e fundit? Lahutat e fundit?… Post scriptum: Kur mësuesi iu dha detyrë nxënësve që të shihnin në arkat e gjysheve për t’u njohur me sendet e vjetra të granisë, njëri nga nxënësit nxitoi të thoshte se do të shihte në internet!? Apo nuk është kthyer kjo në modë për detyrat e shtëpisë?! Por mësuesi ngulmoi që nxënësit t’i gjurmonin në terren reliktet e vjetra dhe jo në rrugën më të shkurtër, që është ajo e “Google”-s, jo gjithnjë më e këshillueshmja, sidomos në këso rastesh. Mesazhi ishte përtej një detyre shkollore…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura