Xhoni Athanas, një Skënderbe i rrallë i operës shqiptare

Nov 5, 2018 | 11:05
SHPËRNDAJE

ANXHELO XHAÇKA/ Kujtesa na kthen 50 vite pas. Pikërisht në atë kohë, kur në mbarë vendin kishin filluar përgatitjet për festimin e 500-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar.

xhon athanas

Prapa nuk mbetej edhe Teatri i Operës, ku ndërsa jepeshin mendime profesionale për një vepër të re, në gjirin e kompozitorëve vihej re mungesa e guximit. Kjo edhe justifikohej, sepse të përfshije në art një figurë aq komplekse sa ajo e Skënderbeut, nuk ishte e lehtë. Midis vetë artistëve mendohej se një opera për Heroin tonë Kombëtar mund ta shkruante Çesk Zadeja. Ky personalitet i shquar në fushën e artit e njihte mirë anën orkestrale dhe ndërkohë ishte bashkautor i romancave, të cilat shoqëruan muzikën e filmit “Skënderbeu”. Por ata kishin “harruar” kompozitorin Prenk Jakova…

…Pas suksesit të arritur me vënien në skenë të operës së parë shqiptare, “Mrika”, i “kyçur” brenda Shtëpisë së Kulturës, ai i ishte përveshur punës prej muajsh, derisa një ditë, me fletët e pentagrameve në dosje, i hipi linjës së autobusit ShkodërTiranë për të zbritur në kryeqytet, ku do të konsultohej me kolegët e Teatrit të Operës. Këshilli artistik i këtij institucioni ende nuk ishte njohur me muzikën që po kompozonte Prenka, por kishte në duar libretin e Llazar Siliqit, i cili i ndërthurte ngjarjet dhe e trajtonte figurën e Skënderbeut në moshën e tij të re.

opera skenderbeu

Të përfshirë në debatin profesional se kujt i duhej besuar roli kryesor, ata vetë ishin ndarë në dy grupe të kundërta. Një pjesë mbronte tezën se veprat madhore si ajo e natyrës së Skënderbeut, ishin shkruar për zëra basë ose baritonë dhe të influencuar nga muzika ruse u referoheshin operave Boris Godunov apo Ivan Suzan. Disa të tjerë, të zhveshur nga ky ndikim, sillnin si shembull muzikën e Verdit dhe nënvizonin faktin se Otello ishte tenor. Por debati nuk vazhdoi gjatë. Ai u “shua” me mbërritjen e Prenkës. – Unë po e shkruaj veprën time muzikore, duke u bazuar në profilin artistik të Xhoni Athanas, – u shpreh para kolegëve. – Skënderbeu im do të jetë tenor. Kam hedhur në pentagram ariet kryesore dhe opera është në prag të përfundimit. Tani ju e keni në dorë të gjykoni e të vendosni. Këshilli artistik nuk i vazhdoi më tej diskutimet për rolin kryesor. Bazuar te muzika, por pa harruar edhe cilësitë shumëplanëshe të Xhoni Athanas, përmasat trupore, aftësitë mjeshtërore për t’u ngritur te zëri i një tenori dramatik të plotë e imponues, aftësitë e tij aktoreske e vullnetin për një punë këmbëngulëse, i besuan interpretimin e Skënderbeut

Pa humbur kohë, Xhoni nisi nga përgatitjet. E ndjente brenda vetes që ky vlerësim i lartë kërkonte mjaft punë për të realizuar figurën e heroit, ashtu siç e imagjinonte edhe publiku. Vetë kompozitori shkodran vinte shpesh në Tiranë për të ndjekur nga afër provat dhe në ndonjë rast i ndërhynte Mustafa Krantjes: – Më lër mua ta dirigjoj vetë Xhonin, – dhe tretej i tëri shpirtërisht në botën e tij muzikore.

opera_skenderbeu9

Gjatë përgatitjes së shfaqjes, Prenkës iu desh të përballej edhe me kritikën zyrtare mediokre. Me qëllime keqdashëse, personat e ngarkuar për kontrollin e saj i kërkonin të shkurtonte disa pjesë dhe të ripunonte disa të tjera. Por ai refuzonte në mënyrë kategorike. I vetmi që i doli në mbrojtje në atë kohë ishte Fadil Paçrami, i cili përballej me metodat konservatore. Sidoqoftë, opera u përgatit në kohë dhe premiera u dha me shumë sukses më 17 janar të vitit 1968, në prani edhe të përfaqësuesve nga mbarë bota që nderonin me pjesëmarrjen e tyre në festimet e 500-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar. Interesi i artdashësve për të parë këtë spektakël madhështor ishte i jashtëzakonshëm. Njerëzit zinin radhën te shkallët e Pallatit të madh të Kulturës herët në mëngjes dhe biletat e mbrëmjes shiteshin brenda orës. Shumë prej tyre nuk donin ta shihnin shfaqjen vetëm një herë, sepse Skënderbeun, sa më shumë ta shikoje, aq më mirë e kuptoje dhe aq më tepër e pëlqeje. Kjo opera shqiptare qëndronte mbi të tjerat. Me disa arie në lajtmotive të ndryshme, me personazhe të zgjedhur e zëra të spikatur, ajo përbënte një arritje madhore në skenën e muzikës operistike.

Në kompozimin e Prenk Jakovës u përfshi e tërë trupa e solistëve të Operës, aq sa mjaft role gjatë ndarjes nuk patën mundësi të dubloheshin. Në realizimin e shfaqjes mori pjesë edhe trupa e baletit koreografik, duke mbushur skenën kur Skënderbeu mbërrin në Krujë si luftëtar fitimtar dhe kur ai shfaqet jashtë bedenave të kalasë si një njeri i thjeshtë në mes të popullit. Për të krijuar një ide tjetër mbi madhështinë e kësaj vepre muzikore, mjafton të sjellim në kujtesë korin e Skënderbeut, i cili “pushtoi” skenën me rreth 200 vetë, të veshur me kostume popullore kombëtare. Kështu, krahas korit të Operës u rreshtua edhe ai i Ushtrisë, i Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore dhe solistët amatorë të Kombinatit të Tekstileve në Tiranë, që shquheshin për harmoninë e zërave. Kompozimi i Prenk Jakovës solli në skenë edhe dhjetëra fëmijë të moshave të ndryshme, të cilët rrethuan Gjergj Kastriotin në një nga tablotë muzikore festive.

Por çfarë i “mungoi” kësaj shfaqjeje në mjedisin e saj madhështor? Do të thoshim me humor se i mungoi vetëm kali i Skënderbeut. Në fakt, një propozim që erdhi nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së asaj kohe, e ftonte Xhonin të përdorte kalin e tij në skenë, por për arsye teknike nuk u miratua. Për vënien në skenë të “Skënderbeut” u angazhuan personalitete artistike të vendit, duke filluar nga regjisori i mirënjohur Pirro Mani, dirigjenti Mustafa Krantja, piktori Hysen Devolli, mjeshtrja e korit Rozmari Jorganxhi etj. Mjaft artistë lirikë spikatën me vokalin e interpretimet e tyre, si Gaqo Çako në rolin e Lekë Dukagjinit, Gjenovefa Heba, Nina Mula e Irena Gjergo me Donikën, Kristaq Paspali me Damianin, Ramiz Kovaçi me Venedikasin, Hysen Pelingu e Koço Timko në rolin e Sulltanit apo Mentor Xhemali me Gjon Flamurajn.

Pa u mbyllur java e shfaqjeve të para me “Skënderbeun”, pjesëmarrësit e kësaj vepre muzikore u befasuan nga publikimi i papritur në gazetën qendrore partiake të vendit i një artikulli me dy firma. Ky sulm dashakeq, i ndërmarrë nga dy figura mjaft të njohura (njëri kompozitor dhe tjetri shkrimtar) kërkonte të sensibilizonte opinionin për t’iu kundërvënë Prenkës. Aq u desh që të rindizeshin diskutimet. Prenka nuk e meritonte një vlerësim të tillë pas asaj lodhjeje të jashtëzakonshme me veprën. Për të ndalur denigrimin e tij, jo të gjithë u ndodhën në kampin kundërshtar. Mjaft krijues e kritikë të artit i dolën në mbrojtje operës dhe vlerësuan anën profesionale të saj. Prenka, në përballjet e tij me kundërshtarët, u shpreh:

“Unë nuk e kam bërë Skënderbeun që të këndojë ariet e tij siç këndon Leka për dashurinë apo Damiani për humbjen e gruas. Unë e kam bërë Skënderbeun që kur të flasë, t’i bjerë grushtit…”. Në këto rrethana, shqetësimet e krijuara lanë gjurmë të thella në gjendjen shpirtërore të Prenkës, këtij mjeshtri të madh të muzikës, i cili disa vite më pas i dha fund jetës në mënyrë tragjike. Megjithatë, opera “Skënderbeu” u shfaq me sukses rreth 50 herë, ndërkohë që me një montazh skenash të përzgjedhura, u realizuan edhe 10 shfaqje të tjera jashtë kryeqytetit, pa lënë në harresë spektaklin madhështor në një nga stadiumet e qytetit të Krujës, i cili grumbulloi mijëra shikues, por që fatkeqësisht, nga mungesa e mjeteve teknike të kohës, nuk u filmua.

Vite më vonë, arie të veçanta të kësaj opere janë kënduar nga artistët tanë në koncerte të ndryshme si brenda vendit, ashtu edhe në trevat e Kosovës, por i fiksuar në kujtesën e të gjithëve është Skënderbeu i kënduar vetëm nga Xhoni Athanas. Epërsitë e tij vokale e interpretative, siguria dhe vetëbesimi në skenë, kanë sjellë përjetime emocionale gjatë gjithë shfaqjeve. Në mënyrë të natyrshme e pa as më të voglin sforcim, me një zë të përsosur e me një lojë në perfeksion, ai diti të shprehë të gjitha pikat kulminante të rolit, kontrastet dhe përmbajtjen ideore e dramaturgjike të kësaj opere madhore. Skënderbeu e ngriti Xhonin në piedestalin e arritjeve të tij artistike, pasi ai diti të krijojë një figurë të studiuar aq mirë prej tij, sa kur vinte përkrenaren, pelerinën dhe shpatën, dukej si një Skënderbe i vërtetë, si një hero madhështor. Madje, fotografitë e marra nga shfaqja janë përdorur edhe si ilustrime historike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura