‘Xhihadistët’, dëshmitari: Policia më vuri armën në kokë teksa flija në xhami. Mysliman më bëri Fadili

Jun 16, 2015 | 9:58
SHPËRNDAJE

Në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë ka vijuar procesi gjyqësor ndaj imamëve të akuzuar për rekrutime xhihadistësh për në Siri dhe nxitje të urrejtjes ndër fetare.

Imamët e akuzuar për rekrutime xhihadistësh

Në seancën e sotme ka dëshmuar njëri prej të shoqëruarve në operacionin e policisë në Xhaminë e Tiranës së Re. Besmir Duka, ka dëshmuar sot në gjykatë se njërin prej të pandehurve i ka patur fqinj, Fadil Muslimanin. Ai ka pranuar se ka qenë Muslimani që ka ndikuar te ai për të përqafuar fenë islame.

Gjithashtu, Duka theksoi se ai kurrë nuk ishte ftuar apo nxitur nga imamët që të merrte pjesë në luftimet në Siri. Dëshmitari rrëfen edhe momentin kur u shoqërua nga policia.

“Isha duke u fjetur në xhami kur ndjeva një tytë armë që më preku kokën. Policia kishte hyrë në xhami me kallashnikovë dhe pa hequr këpucët”, rrëfen ai.

Menjëherë pas dëshmisë së tij, është çuar të flasë Fadil Muslimani, i njohur për predikimet e tij fetare. Gjyqtari ia ka ndërprerë fjalën dhe i ka kërkuar të ulet. Mirëpo Muslimani ka vazhduar të flasë, madje nisi të predikonte sërish mbi fenë islame, duke cituar pasazhe nga Kurani. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura