Xhevdet Xhafa: Kam sjellë autobiografinë bardhezi të Kosovës. Porosia për djalin, Sislej

Sep 21, 2017 | 13:46
SHPËRNDAJE

Kush ka vizituar ekspozitën më të fundit në Galerinë Kombëtare të Arteve, nuk mund të mos ketë ndier erën e zhurrit të zjarrit, të ketë ndierë rrëqethjen dhe klithmën e luftës, fushëbetejat e braktisura, këpucët e shpërndara andej-këndej, shtretër të lënë bosh, histori familjare…xhafa

Xhevdet Xhafa erdhi nga Kosova me një ekspozitë-autobiografi, kuruar nga James Walmsley. Një autobiografi sa personale, aq edhe e Kosovës, e shqiptarëve. Nuk ka dashur të shkojë larg, por të mbetet aty, në tokën e tij, dhe të mbledhë një nga një historitë e fëmijërisë e gjithë sa sytë e një burri 83-vjeçar kanë parë. Vepra e tij është e veçantë, madje tronditëse.

Ajo përcjell historinë e një populli në telajo, të krijuara me veshje, rroba të hedhura, këpucë të braktisura… Të gjitha kryesisht në ngjyrat bardhë e zi, që ai thotë e përcjellin popullin tonë në shekuj. Janë ngjyra që më së shumti i gjejmë në folklor. Xhevdet Xhafa është po ashtu i ati i një prej artistëve bashkëkohorë më të njohur shqiptarë në botë, Sislej Xhafës. Kush e ka njohur veprën e Sislejt dhe atë vetë, duke folur me të atin, kupton fare mirë lidhjen mes të dyve, edhe pse Xhevdet Xhafa thotë se nuk ka dashur që i biri të bëhej artist, madje as “ngatërrohet” në punët e tij.

Në një rrëfim të sinqertë për gazetën “Panorama”, Xhevdet Xhafa na tregon autobiografinë e tij (jo në gjuhën standarde).

Më në fund, në Tiranë me një ekspozitë-autobiografi…

Ka qenë një dëshirë e kahershme, për me ekspozu në Tiranë. Pak vonë, por më në fund erdhi koha që të paraqitem edhe këtu. Nuk mund ta fsheh se ndiej kënaqësi.

Vonë, përse?

Ka ndiku pak politika. Megjithatë, mir. M’u dha tash mundësia me ekspozu autoportretin, autobiografinë time përmes pikturës. Me plot gojën e them se kjo asht edhe autobiografia e shqiptarëve, që ka një histori të gjatë dhe të rëndë. Janë vepra (unë i quaj të tilla, se i kam punuar me shumë ndjenjë dhe përkushtim. Në art duhet me qenë i sinqertë. Pikëpyetja në vlejnë a jo, varet prej aftësive mendore, inteligjencës) të afërta, të kuptueshme për ata që e duan artin bashkëkohor, por edhe për ata që e njohin më pak artin, por ndoshta ata duhet me lexu ca vepra ma parë.

Veprat tuaja i ngjajnë një palimsesti, që shtresë pas shtrese zbulojnë histori…

Asht e vërtetë që në to ka shumë histori, inspirimet e para unë i kam marrë nga prindërit. Më kujtohet nana. Ishte amvisë e mirë. Ishim në gjendje ekonomike e sociale të randë. Më kujtohet kur qepte e arnonte këmishat, pantollat, çorapt. Babën e kam pas këpucar, riparonte këpucë t’përdoruna. Ma parë kam qen rob i ngjyrës, mirëpo vendosa me dal prej ksaj robnije. Kisha mundësi me u shpreh ma mirë përmes sendeve që kisha përreth. I njihja ma mirë çka kisha afër dhe munda me i shpreh ma mirë dhe ma me andje përmes këtyne materialeve, ndjenjat e mia, shqetësimet e mia, në pëlhurë. Për shekuj me radhë shqiptarët kan jetuar nën nji gjendje politike, sociale, ekonomike të rand. Edhe këtu kam paraqit veshjet e nanës, të babës, të fmijve të mi. Dëshira ime ka qenë të shprehet drejtpërdrejt, me guxim, duke mos qenë akull. Vetëm ata që e duan artin e sotëm munden ta kuptojnë dhe ta analizojnë. Në çdo vepër ka një histori dhe jam përpjekur maksimalisht që me fuqinë time mendore të mund të shprehem.

Keni përdorur shumë ngjyrën e zezë, duket si zhurr, është kjo Kosova e djegur?

Asht Kosova e robëruar. Shqiptarët e Kosovës, por edhe Shqipëria e izolum ka qenë. Asht nji histori e randë e popullit shqiptar që ka zgjat me shekuj. E bardha dhe e zeza janë ngjyra të forta, bindëse, që kanë jetuar gjithnjë te shqiptarët. E gjejmë te folklori ynë, i pasun, i sinqertë, që asht përcjellë me shekuj. Këto dy ngjyra kanë qenë dominante, të forta, që japin fizionominë e popullit shqiptar. Jeta ime, jeta e shqiptarëve ka kaluar gjithnjë përmes një gjendjeje depresioni. Gjithnjë kemi qenë të lanun anash nga dikush, nga Europa. Ne jemi dikush, por okupimet, skamja na kanë lenë shumë mbrapa. Sepse ne jemi popull shumë inteligjent. Tash kemi fillu me ndryshu, pse deri me shpalljen e pavarësisë kemi qenë një popull që ka dominu analfabetizmi, sidomos në Kosovë.

Një nga veprat tuaja duket si një shesh beteje i braktisur, ku si shenjë disfate kanë mbetur vetëm këpucët…

Gjatë luftës këto këpucë i kanë përdorur ushtarët. I kanë gjuajt, i kanë hedhur. I kam mbledhun si kujtim dhe me to kam shpreh ndjesinë që ato përcjellin. Lufta asht e randë, e shoqëruar me ankthin: Je… nuk je… Gjurmët që ajo lë janë të thella. Ja, këtu asht nji varrezë e madhe e luftarëve. Gjatë luftës në Kosovë kufomat janë mbledh si mbeturina. Okupatori serb i ka marrë me kamionë dhe i ka hedhur nëpër gropa të përbashkëta.

Uillson-Klinton-Histori. Pse me germa të arta?

Këtu kam marrë dy njerëz të mëdhenj për ne, Klintoni dhe Uillsoni, që kanë bërë shumë për shqiptarët, për Shqipërinë etnike. Uillsoni ka mbrojt pavarësinë e Shqipërisë dhe me shkronja ari kanë hyrë në historinë shqiptare.

Po e doni fort Klintonin, i keni bërë edhe një shtatore, që s’është edhe fort estetike…

Hiç. Naive, e vorfun. Si ato çokollatat me letër të ndritshme, që kushtojnë 10 cent.

Vepra që përfaqëson ekspozitën tuaj është një kryq i krijuar me ato rrobat e nanës, si thatë ju, ç’përfaqëson simboli i kryqit për ju?

Asht nji shenjë e shenjtë, asht historia iliro-shqiptare. Ilirët në shekuj kanë qenë të përndjekur nga gjithkush. Ma vonë shqiptarët, me shekuj të okupum nga sllavët. Kanë qenë të mbrojtun nga askush. Mendimi im i prerë asht që ilirët kanë qenë dikush. Dhe ne jemi dikush.

Si nisi kjo mënyrë abstragimi në veprën tuaj?

Kam kryer shkollën e mesme të artit në Pejë e mandej Universitetin dhe studimet pasuniversitare në Ljubianë. Siç jua thashë, kam qenë rob i ngjyrës, por me kalimin e kohës, duke u informuar prej fjalëve të gjalla, prej historive të njerëzve, kam fillu të inspirohem dhe të përpunoj këto informacione dhe vendosa me i shpreh ma lehtë, me mjete gjithfarësh, që na rrethojnë, që i njohim fizionominë e tyre.

Mjaft interesante është edhe një performancë e juaja, e prezantuar përmes një videoje, ku ju digjni rrobat tuaja, çfarë ka ndodhur, ç’është ai vrap anës flakëve, si një rit pagan?

Ishte mllef. Një mllef i mbledhun për shkak të gjendjes social-politike në Kosovë, por edhe për shkak të një padrejtësie që më ishte bërë në Galerinë e Arteve në Prishtinë, ku ishte planifikuar të hapej një ekspozitë. Ekspozita dështoi dhe unë mendova të reagoj me këtë performancë, e cila mori përmasa edhe më të mëdha nga ç’e mendoja.

Pavarësisht se keni pasur probleme nën Jugosllavinë, artistët kosovarë kanë qenë më të lirë se ata të Shqipërisë…

Jugosllavia ka qenë demokraci dhe ka pasur lidhje me Perëndimin, ka pasur marrëdhënie të mira me botën e jashtme dhe ka pasur standarde të mira. Arti po ashtu ka qenë i lirë. Kam marrë pjesë në ekspozita të ndryshme në Muzeun e Beogradit, Zagrebit, Ljubianës, ku më kan ftu dhe më kanë vlerësu. Edhe pse bota e jashtme nuk ka pas ndonjë vlerësim të nalt për artin jugosllav, por kritika botërore i ka pas veçu si “kalues klase” disa artistë, mes të cilëve ka qenë edhe emri im.

Por tash duket sikur gjërat nuk po ecin aq shpejt?

Kadale! Më kujtohet kur vinin artistë të Shqipërisë në Kosovë. Ne kushtet i kishim ma t’mira dhe na thoshin: Pse mor ju, pse po e urreni Millosheviçin? Skamja asht e rand. Por tash duhet pas kujdes me këtë demokraci, pasi uri të mëdha na rrethojnë akoma. Ju mendoni se ka shenja të mira në art? Kanë fillu këta të rinjt me lëviz. Kanë mësu nga bota e jashtme, po i shprehin aftësitë e tyre mendore. Sala ka kriju emën, Paci, po ashtu. I kanë kalu kufijtë e një mendjeje të kufizuar. Arti edhe këtu ka fillu me ec në kohë.

Por para nuk kanë veçse…

Dëshira asht shumë e rëndësishme, por artisti duhet me pas kushte të mira për me kriju, për me e ndje mirë. Por shumë po nguten për me marr veç fjalë të mira, por po dështojnë ndonjëherë. Me rëndësi në art është sinqeriteti. Në një vepër lexohet inteligjenca, kultura. Personalisht tash po punoj për një lexues ma t’nalt se ai që s’asht i interesum për artin. Kam ende punë për të bërë, nxitohem, por frigohena se mos po m’lshon zemra. Unë i them gjërat troç dhe dua që nesër të lexohem mirë.

Vepra juaj është shumë e lidhur me familjen dhe fatmirësisht e keni një pasardhës, si Sislej Xhafa, sa keni ndikuar në zgjedhjen e tij?

Nuk kam dash me e çu të studiojë artin, pse unë e kam munduar vedin, sepse te ne shumë ekziston zilia mes njëri-tjetrit, mirëpo gruja ka insistu e mandej dhe unë u dorëzova. Qe tash, unë shprehem përmes këtyre materialeve që kam përreth, që kam jetu me to, me pak pare… Sislej asht shumë ma ndryshe, veprat e tij janë ma të kushtueshme për me u realizu. Ai ka jetu ma shumë në botën e jashtme, ka pa shumëçka, ka mësu, ka marrë atë që asht ma e vlerë, asht inspiru, por duke thënë diçka nga vedi. Edhe mirë, po e duan. Unë jam ma i sinqertë sa Sislej. Unë ndoshta nuk kam qen shpesh në botën e jashtme, kam qen rob i shtëpisë sime, vendit tim, rob i njeriut të kësaj treve.

I jepni këshilla për veprat? I bëni kritika?

Nuk ndërhyj. Por i them kujdes djalë!

ALMA MILE/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura