“Xhevdet Ferri, ti nuk e kishe mbyllur ende misionin tënd mes nesh”- Ministrja e Kulturës: Do të mbetet i paharruar

Jan 16, 2020 | 21:22
SHPËRNDAJE

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka shprehur ngushëllimet e saj për ndarjen e nga jeta të aktorit të njohur, Xhevdet Ferri.

Me një shënim në facebook, Margariti shkruan se do kishte dashur të ndante me fansat suksesin e tij të radhës, por fatkeqësisht i duhet të ndajë dhimbjen e largimit nga kjo jetë.

Elva MARGARITI

Ndërsa përmend disa nga filmat ku ka interpretuar aktori, ministrja shkruan se ai nuk e kishte mbyllur ende misionin e tij mes nesh.

Postimi i plotë:

Do kisha dashur të ndaja me ju suksesin e tij të radhës, rolin më të ri, projektin më të afërt, por fatkeqësisht do të duhet të ndaj dhimbjen e largimit nga kjo jetë e një prej aktorëve më të mirë shqiptarë, Xhevdet Ferri.

Ai ishte nga ata aktorë që rolin e sillte mes nesh të gjallë, të prekshëm, të vërtetë.

Me lojën e tij i ka dhënë më tepër ngjyra galerisë së karaktereve, në filmat shqiptarë dhe do të mbetet i paharruar përmes interpretimesh në filmat “Era e ngrohtë e thellësive”, “Dhe vjen një ditë”, “Hije që mbeten pas”, “Përrallë nga e kaluara”, “Treni niset në 7 pa 5”, “Dasma e Sakos” e shumë e shumë të tjerë, deri te “Delegacioni”, filmi që nisi nga miku i tij i ndjerë, Artan Minarolli e u çua drejt suksesesh nga regjisori Bujar Alimani.

Xhevdet Ferri, ti nuk e kishe mbyllur ende misionin tënd mes nesh, atë të kultivimit të shijes së mirë në publik e ndër studentë.

Qofsh i paharruar!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura