Xhevahir Spahiu boton poezitë e ndaluara në 70-vjetor (FOTO)

Mar 3, 2015 | 17:12
SHPËRNDAJE

“Jam ai që s’kam qenë/ do jem ai që nuk jam”. Kështu shkruante në vitin 1972 poeti Xhevahir Spahiu. Sepse fundja jeta e tillë është… Por nuk e mendonte kështu Partia.

Kopertina e botimit të dytë të veprës poetike “Udha”

Nota të forta ekzistencialiste shquheshin në vargjet e poetit të ri, pavarësisht se si do të thoshte edhe vetë ai, nuk kishte rënë kurrë më parë në kontakt me veprën e Sartrit. Fati i poezisë është i qartë. Por poezia “Jetë” nuk është e vetmja. Madje, vëllime të plota, si ai i titulluar “Zgjimi i thellësive” (1979), do ndalohej e nuk do të shihte dritën e botimit. Këto poezi, së bashku me dorëshkrime e fakte të reja për krijimtarinë e poetit Xhevahir Spahiu, vijnë për lexuesin shqiptar përmes përmbledhjes poetike në dy vëllime “Udha”.

Dorëshkrim i një prej poezive të Xhevahir Spahiut

I botuar 10 vjet më parë, ribotimi i kësaj përmbledhjeje përkon me 70- vjetorin e lindjes së poetit. Mbushi 70 vjeç e me këtë rast dje u organizuan disa aktivitete për nder të poetit. Si fillim ishte Akademia e Shkencave, kolegët dhe miqtë e tij më të ngushtë, që kishin organizuar një takim të ngushtë, pa shumë bujë e fjalime, po ku nuk munguan lulet, torta, shampanja, por edhe kënga e ditëlindjes. Bardhyl Londo, Limos Dizdari, Ali Aliu, Floresha Dado, Jorgo Bulo, Vaso Tole, Arjan Leka e shumë të tjerë u ndodhën aty për të ndarë së bashku këtë gëzim, pse jo edhe ca copëza kujtimesh nga udhëtime e bashkëpunime me Spahiun, shpesh edhe me nota humori. Ndërsa në mbrëmje, në skenën e Teatrit të Metropolit, “Poeteka” organizoi “Orën poetike” me lexime nga krijimtaria e poetit.

BOTIMI

Ngjarja më e madhe në këtë 70-vjetor ishte pa dyshim ribotimi i pasuruar i veprës së zgjedhur poetike, botim i “Poetekës”. Sipas redaktorit të veprës, poetit Arjan Leka, nëse “Udha” e 10 vjetëve më parë përcaktonte më së shumti gurët kilometrikë, rrugën përmes së cilës ka kaluar Xhevahir Spahiu, botimi i dytë nënvizon estetikën, atë që është jetëgjatë në krijimtarinë e tij. “Janë dy volume, të sistemuara nga ana kronologjike, që vijnë të plotësuara me shënime kritike, redaktoriale, me plotësime ndihmëse, për ata që do t’i referohen historisë së shkrimit shqip dhe rrugës së vetë autorit”, thotë Leka.

Dje në Akademinë e Shkencave në një ceremoni miqësore organizuar për poetin Xhevahir Spahiu

Vepra paraprihet nga një parathënie-studim e studiuesit dhe kritikut Ali Aliu, ndërsa vëllimi i dytë mbyllet me vështrime kritike të studiuesve shqiptarë, të kolegëve, të përkthyesve të veprës së tij jashtë shtetit dhe të atyre që kanë sistemuar deri më sot historinë e letërsisë shqipe. “Nga ana tjetër, veprat bëhen më interesante për shkak të disa artefakteve që sjellin. “Udha I” është konsideruar si një galeri arti, ku janë disa portrete të realizuara nga piktorë të njohur shqiptarë. Është si një koleksion grafikash, ndërsa i dyti si një koleksion dorëshkrimesh, në të cilin janë pasqyruar 7 dorëshkrime të panjohura, që për lexuesin vijnë për herë të parë”, thotë Leka. Dhe në të vërtetë, në vëllimin e parë gjejmë portrete të realizuara nga Skënder Kamberi, Dhimitër Shuteriqi, Jorgo Fotiu etj.

Ky ribotim është i rëndësishëm edhe sepse përmes fakteve të reja ai e shtyn në kohë me një 5-vjeçar fillimin e krijimtarisë së Spahiut. “Për ata që kanë studiuar krijimtarinë e Spahiut, dihet që viti kur ai shfaqet me një vepër, është 1970-a, por duke kërkuar kemi gjetur dhe kemi sjellë dy krijime, përkatësisht të vitit 1965, që i kanë të gjitha shenjat të atyre që Xhevahir Spahiu do të kishte si tematikë dhe si stilistikë më vonë. Vepra e tij karakterizohet nga ndjenja e ritmit, një vesh i temperuar, i lindur poetikomuzikor, rebelimi që e gjejmë që te poezia e parë që hap vëllimin “Brirët e demit”, si dhe ndjenja e kërkimit, jo e rimës së bukur, të përputhur, por asonancave, që është një tipar që ndjek krijimtarinë e Xhevahir Spahiut gjatë gjithë jetës”.

TË NDALUARAT

Pjesë e krijimtarisë së zgjedhur nuk mund të mos jenë edhe poezitë e ndaluara apo kritikuara gjatë periudhës së diktaturës. Poezi, nga të cilat poeti nuk ka hequr dorë dhe nuk ka ndërruar qëndrim. “Ndër to është ajo poezia e famshme, që më shumë është përfolur sesa është dëshmuar. Jo se nuk ka qenë e botuar, por lexuesi dhe ata që janë marrë me studimin e krijimtarisë së tij, nuk e kanë pasur në vë- mendjen maksimale. Është poezia që u akuzua si e ndikuar nga Sartri, “Jetë”. Është qortuar, është kritikuar shumë rëndë, jo nga nomenklatura e ulët, por ajo më e lartë, duke e cilësuar me emër dhe me varg, si e ndikuar nga ekzistencializmi sartrian, në një kohë që Spahiu është shprehur se nuk ka qenë në kontakt me këtë letërsi. Por, siç duket ka qenë fryma e kohës, e epokës, që në një mënyrë apo në një tjetër ka arritur në Shqipëri. Përzgjedhësit dhe përgatitësit e librit janë kujdesur që këtë poezi ta shoqërojnë edhe me një shënim sqarues. “Poezia “Jetë” u botua për herë të parë në revistën “Nëntori”. Më 9 janar 1973, kreu i atëhershëm i shtetit e kritikoi publikisht autorin e poezisë për ndikime nga filozofia ekzistencialiste e Sartrit. Kjo e detyroi autorin të tërheqë dorëshkrimin e librit “Bota ku eci”, i cili u botua pas 5 vjetësh pa poezinë në fjalë”, sqarohet nga redaktori (Arjan Leka). Pjesë e librit është edhe vëllimi poetik “Zgjimi i thellësive” (1979), të cilit iu ndalua shpërndarja, u hoq nga qarkullimi dhe u bë karton.

POETI

Prof. Ali Aliu është pa dyshim një nga njohësit më të mirë të krijimtarisë së poetit Xhevahir Spahiu dhe natyrshëm, realizuesit e këtij botimi të dytë, e kanë shoqëruar atë me një studim të realizuar prej tij. Aliu mund të flasë pa fund për veçantinë dhe karakteristikat e veprës së Xhevahir Spahiut, por për të shprehur vlerësimin që ai ka për poetin, thjesht u kthehet kujtimeve.

“Teksa vija në Tiranë, sillja në mendje kujtime të përjetuara me Xhevahirin, që nga vitet ’70. Kemi qenë shpesh bashkë në udhëtime, ka qenë mysafir i imi në Prespë… Një nga kujtimet lidhet me fillimin e viteve ’90, kur Xhevahiri u përkthye në maqedonisht. Ishte një kolanë e një shtëpie prestigjioze në Shkup, që udhëhiqej nga poeti më i madh që kishin maqedonasit, Ante Popovski, redaktor i antologjive të ballkanase”, tregon Aliu, teksa shton se pas përkthimit të poezive greke, bullgare, serbe etj., i kishte ardhur radha edhe antologjisë së poezisë shqipe dhe se ai ishte një prej përkthyesve.

“Ante Popovski ishte jo vetëm poeti më i madh, por edhe një njohës i mirë i letërsisë ballkanike dhe botërore, një estet i madh dhe unë kisha pak droje. Përkthimi im ishte besnik, që të mos humbiste asgjë, asnjë mesazh në përmbajtje dhe në figurë. Me një droje të madhe ia dorëzova Popovskit dhe prisja si në ethe.

Pas disa ditësh, qe befasuese për mua kur ai më tha “Unë kam zbuluar një poet të madh europian, mbi poetët bashkëkohorë bullgarë, grekë. Ka një origjinalitet dhe modernizëm europian, shumë origjinal, që nuk e kam përjetuar në asnjë poezi tjetër të Ballkanit. Për mua kjo ishte një kënaqësi shumë e madhe”, thotë studiuesi. “Kam pasur dhe vazhdoj të kem besim se Xhevahir Spahiu është një nga poetët më të mëdhenj të shek. XX të letërsisë shqipe, me një ndjeshmëri absolute. Nuk ka gjysmudhëtimesh në frymëzimet e tij dhe këtë e mbulon me talentin e madh, me një guxim të veçantë që ka pasur si intelektual dhe si qytetar. Dhe të tillë e kam njohur qysh në vitet ’70, kur e kam takuar për herë të parë dhe e kam ndjekur gjatë gjithë jetës së tij krijuese”, thotë ai.

Alma Mile 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura