Xhensila Pere: Jeta ime e re në Romë, kam plan të bëhem nënë së shpejti

Dec 22, 2015 | 14:16
SHPËRNDAJE

xhensila_5190

Ka hedhur pas krahëve lidhjen me Fatjon Hysenbelliun dhe po nis një jetë të re në Itali. Pas “Big Brother 8”, fati po i ndrin Xhensila Peres në botën e industrisë së modës. “Miss Albania 2014” dhe “Miss Exlusive 2015” ka bërë realitet ëndrrën e saj, duke sfiluar si modele në Romë. “Forwedding” ishte eventi më shik i botës së nuseve, në pasarelën e së cilës shkeli Xhensila. Pasi rrëfen pse nuk ka më kthim pas me Fatjon Hysenbelliun, ajo zbulon ofertat që i janë bërë dhe plani i afërt për të sjellë në jetë fëmijën e saj të parë. Ke deklaruar në një intervistë se iu përgjigje me “Jo” ofertave nga Turqia për marrë pjesë si aktore e telenovelave.

Ndonjë ofertë më e mirë në Itali ta ndryshoi mendjen?

Pas eksperiencës shumë të bukur në Romë, dhe duke parë profesionalizmin e italianëve në fushën e modës, më ka joshur më shumë bashkëpunimi me këta të fundit. Mund të them se kam projekte dhe kam marrë oferta në horizont. Po i shqyrtoj deri në një konkretizim, me ndonjë kontratë të mirë. Gjithsesi, synimi im është kinematografia dhe jam duke menduar të zhvendosem në Romë për të filluar një shkollë aktrimi atje, ndërkohë që merrem dhe me modën.

Po në Shqipëri, ke marrë ndonjë ofertë interesante?

Ah, Shqipëria! Jetojmë në një kohë ku ka më shumë VIP-a, sesa njerëz të thjeshtë. Jetojmë në një vend ku paguhet për të qenë diku dhe jo të të paguajnë. Jetojmë për t’u dukur dhe jo për atë që duam apo vlejmë. Bota e televizionit është e bukur, por shumë e egër. Është e bukur për t’u parë, por e vështirë kur je pjesë e saj. Asnjëherë nuk do të vlerësohet ajo që vlen, por ajo që jep.

Ndërkohë si modele në Itali sfilove me fustan nusërie. Ishte përjetim i bukur?

Nuk është hera e parë që e vesh fustanin e bardhë. Kam sfiluar dikur, në moshën 16- vjeçare, në sfilatat që organizonim në qytetin tim të lindjes. Por këtë herë ishte diçka më madhore, dhe me një rëndësi të posaçme. Nuk mund ta mohoj se në momentin kur e kam provuar, më lindi dëshira për ta veshur jo si modele, por si një nuse. Ndjesi e bukur dhe emocione të veçanta. Kur e vesh fustanin e bardhë 26 vjeçe, sa jam unë, ka tjetër kuptim dhe të zgjon disa mendime që ndoshta nuk i ke pasur më parë. Do të thosha që më largoi nga ideja e bashkëjetesës dhe më dërgoi në idenë e një dasme madhështore.

E veshe fustanin e nusërisë për punë, po në jetë e imagjinon veten të martuar?

Po. Kur e pashë veten në pasqyrë, mendova: “Do të jem më e bukur si nuse e vërtetë, sesa si modele. Dhe po imagjinoja një dasmë madhështore me shumë të ftuar. Shpesh në familjen time ngacmohem për këtë pjesë, duke më pyetur: “Ku do e organizosh dasmën me kaq shumë njerëz që duan të jenë në dasmën tënde?! Dhe përgjigjja ime është shkurt dhe e qartë: “Në stadium, dhe unë që do të vij e veshur nuse me helikopter”.

Një fëmijë është dëshirë e jotja për ta bërë realitet së shpejti?

Nuk e mohoj pjesën që kam filluar të ndiej dëshirën për t’u bërë nënë. E shoh veten një mami në karrierë. Besoj në aftësitë e mia, për të bërë karrierë dhe nënën në të njëjtën kohë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura