Xhensila e “Big Brother”: Jeta jashtë kamerave me Fatjonin

Jun 22, 2015 | 11:04
SHPËRNDAJE

“Nuk është e vërtetë që po bashkëjetojmë, e ardhmja ime në televizion dhe biznes”

Shumë menduan se lidhja e tyre ishte thjesht tërheqje fizike, por ata vetë na dëshmojnë të kundërtën. Pak ditë pasi loja ka mbaruar, Xhensila Pere dhe Fatjon Hysenbelliu flasin me letra të hapura për historinë e tyre. Dy moshatarët më të përfolur të “Big Brother 8”, të etiketuar si “aristokratja” dhe “i forti”, tregojnë jetën jashtë kamerave, dhe pse të gjithë banorët ishin kundër tyre. Në këtë intervistë të parë për gazetën “Panorama”, ish-miss-i tregon për marrëdhënien me Fatjonin jashtë shtëpisë, planet për të zyrtarizuar lidhjen dhe ambicien e saj për karrierë në televizion dhe biznes.
Përkundër skepticimit të shumicës, ju po na dëshmoni se dashuria juaj nuk ishte një lojë brenda katër mureve. Si po i jetoni këto ditë të para në liri dhe larg syve të publikut?
Shumë më bukur se brenda mureve të asaj shtëpie, ku rrethoheshim nga persona që nuk e besonin lidhjen tonë dhe nuk dëshironin të na shihnin bashkë.
Nuk vonoi shumë dhe u tha se Fatjoni e përjetësoi dashurinë për ty me një tatuazh. Do guxoje ta gdhendje emrin e tij në trupin tënd?
Tatuazhi në foton që është shpërndarë në internet nuk është i Fatjonit. Është i vëllait dhe të afërmit tim. Nuk dua që Fatjoni të bëjë diçka të tillë. Për mendimin tim, nuk është një tatuazh ai që përjetëson një lidhje, por ndjenja dhe dashuria që ai të fal.

Në lidhjen me Fatjonin ti demonstrove siguri, pavarësisht xhelozive të vogla që shfaqje. Çfarë të bën të ndihesh e sigurt me një djalë si ai, i etiketuar si “i forti”?
Fatjoni në sytë e mi nuk ka qenë kurrë ai i forti. Kështu është etiketuar nga banorët e tjerë. Unë në krahët e tij kam ndier siguri, atë që dëshiron çdo femër nga mashkulli që ka përkrah.
Në rrjetet sociale është shkruar se ai tashmë është shpërngulur në shtëpinë tënde. Të duket paksa e rrezikshme për lidhjen nisja e një bashkëjetese kaq shpejt?
Edhe kjo është thjesht një aludim nga të tjerët. Fatjoni nuk jeton në shtëpinë time. Por gjithsesi, nuk më frikëson aspak ideja e të jetuarit me dikë, me të cilin kam jetuar tre muaj 24 orë në 24.
I takoi Fatjoni prindërit për të kërkuar dorën tënde, ashtu siç të pohoi javën e fundit në shtëpi?
Planet për të ardhmen i ka çdo çift. Hapat përpara do të bëhen në kohën e duhur dhe me pjekurinë që u takon.
Ju jeni karaktere të njëjta apo të kundërta? Çfarë keni të përbashkët dhe çfarë ndryshe në tipat tuaj?
Unë dhe Fatjoni kemi një moshë, e njëjta shenjë zoodiakale dhe temperament të njëjtë. E përbashkëta më e madhe është ndjenja jonë.
Je tipi që lëndon apo lëndohesh në një lidhje? Të tremb kjo gjë?
Unë jam tipi që di të lëndoj, por edhe që lëndohem në momentin që vërtet ndiej për personin që kam pranë.
Jeni ju çifti “e bukura dhe bisha”? Çfarë bën në intimitetin jashtë kamerave një e bukur si ti dhe një “bishë” si Fatjoni?
E bukura di të falë ngrohtësinë që i mungon një bishe. Ndërsa bisha i jep sigurinë që i mungon të bukurës.
Deklarove në ekran se paratë s’të mungojnë, dhe në “BB” hyre për pushtet. Në ç’fushë do të të shohim të pushtetshme?
Në televizion dhe biznes. Bota e spektaklit më ka joshur gjithmonë, por veten e shoh si një businesswoman në të ardhmen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura