Xhelil Gjoni: Provokimi i Kadri Hazbiut ndaj Hysni Kapos, i dënuan nipin (Pjesa II)

Apr 7, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Në vijim të rrëfimit të tij për Hysni Kapon, ishsekretari i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe familjari i tij, Xhelil Gjoni, tregon për raportet shumë të kujdesshme në krye të udhëheqjes mes Hysni Kapos dhe Mehmet Shehut, si pasues të Enver Hoxhës.

Xhelil Gjoni
Xhelil Gjoni

Përmes detajeve në këto marrëdhënie, Gjoni tregon se secili e ka njohur mirë pozicionin e tij dhe nuk e ka konkurruar tjetrin.

(Vijon nga numri i djeshëm)

Çfarë ju ka bërë përshtypje te Hysni Kapo si drejtues i PPSH-së?

Hysni Kapo ishte njeri me një intuitë të shkëlqyer zgjuarsie, nuhatjeje, dhe ajo që ishte interesante ishte rreptësia për ligjin, por me dashamirësi për njerëzit. E vështirë kjo të përputhet në një njeri, ai gjente ekulibrin mes ligjit dhe njeriut. Ai e gjente këtë ekuilibër tek interpretimi i ligjit.

Një rast konkret ku e ka treguar këtë qasje të tij mes ligjit dhe anës njerëzore? Unë di një rast kur ka shpëtuar nga dënimi Agim Meron, madje e çoi deri edhe në kandidat partie në Laç. Agimi ishte pjesë e grupit të Todi Lubonjës, ku u dënuan edhe shumë të tjerë. E diferencuan nga grupi që u dënua, sigurisht dhe me aprovimin e Enverit. Hysniu ishte dashamirës, i ekuilibruar dhe besnikëria që ai kishte ndaj parimeve të partisë, e kishte pozicionuar atë të ishte shtyllë e partisë dhe udhëheqjes së saj. Unë kam qenë prezent në mbledhjet e Byrosë Politike, si gazetar i “Zërit të Popullit”, kur Mehmeti, për materiale të rëndësishme për miratim, pyeste nëse e kishte parë shoku Hysni ose jo. Nëse nuk i kishte parë Hysniu, Mehmeti i kthente mbrapsht dhe priste të merrte edhe aprovimin e tij. Madje, kur vdiq Hysniu, Mehmeti ka thënë që mua në parti më futi Hysni Kapo.

Hysni Kapo ishte përfshirë më shpejt në luftë?

Mehmeti ka ardhur më vonë, nga Spanja apo Franca nuk e di mirë, por erdhi me synimin për të luftuar e për t’u bërë pjesë e formacioneve luftarake partizane; Mallakastra ishte pjesë e qarkut të Vlorës. Unë kam parë një shënim në një nga blloqet e Hysniut ku shkruhej: “Duhet biseduar me shokun Enver për t’i tërhequr vëmendjen Mehmetit, sepse është shumë brutal me njerëzit, i lëndon dhe nuk lë hapësirë që t’u kërkojë falje. Të bëjë kujdes me kuadrin”.

Kjo tregon dhe një lloj hierarkie, që pas Enverit vinte Hysni Kapo?

Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo dhe Ramiz Alia
Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo dhe Ramiz Alia

Hysniu ishte sekretar, merrej më shumë me punët e partisë dhe njerëzit, ndërsa Mehmeti merrej me qeverinë, ekonominë etj. E dyta, “duhej bërë kujdes me njerëz të kritikuar, p.sh. duhej të bëjmë kujdes me Abedin Shehun nga Bicaj, sepse ka influencë në zonë dhe një trajtim më i ngrohtë dhe më i arësyeshëm vetëm anë pozitive sjell për partinë”. Këto dy shënime i kam lexuar me sytë e mi tani vonë në blloqet e Hysniut. Këto raste tregojnë vëmendjen dhe kujdesin e tij për drejtimin e punëve të partisë dhe të vendit.

Por nuk ka qenë e lehtë të mbaje ekuilibra kur çdo 4-5 vjet dilnin grupe armiqësore?

Po të tregoj një rast. Kur u dënua një nga nipërit e Hysniut, djali i motrës, i cili punonte në Sigurimin e Shtetit, kishte bërë një letër të hapur ku kritikonte Feçorr Shehun, duke thënë se është vagabond dhe se të gjitha bisedat e Sigurimit të Shtetit nuk i bën në zyrën e tij që e ka të siguruar, por i bën te Tregëtia e Jashtme, se atje u dënua një i Tregtisë së Jashtme si agjent. Nipit të Hysniut iu vërsulën të gjithë që nga Kadri Hazbiu e me radhë. Kadriu i bën një pusullë Hysniut duke e njohur për nipin dhe kërkonte mendim nga Hysniu, nga ku mesa duket priste që ai të kërkonte që kjo çështje të mbyllej. Këtë e kam të saktë, sepse ma ka kërkuar këtë shënim të Hysniut Ramiz Alia kur u dënua Kadri Hazbiu. Hysniu i thotë Kadriut: “Keni ardhur për djem të tjerë të më kërkoni mendim, apo pse është nipi im më kërkoni mendimin tim?! Si nip, ai është nipi më i mirë që kam, nëse pyet për punën e tij, këtë gjë e dini ju!”. Kjo ishte përgjigjja që Hysniu i dha Kadriut. Ishte i mprehtë dhe nuhatës i situatave.

Kishte një lloj konkurrence se cili do të ishte pasuesi i Enver Hoxhës në Partinë e Punës?

Kam përshtypjen se nuk ka pasur konkurrencë. Nga Hysniu jo. Ai kishte vendin e tij dhe nuk kishte kush ta konkurronte. Përderisa Mehmeti kërkonte aprovimin e Hysniut për shkresa të rëndësishme, tregon se ata ia njihnin meritat njëritjetrit. Mehmeti ka qenë njeri impulsiv, siç dihet, dhe u shkonte gjërave deri në fund. Kur mungonte Enveri në Byronë Politike, ka qenë një rast, kur ai ishte sëmurë me grip, ishte kohë epidemie gripi, mbledhjen e Byrosë e drejtonte Hysniu. I thotë Mehmeti – Hysniut: Dil atje shoku Hysni, ta drejtosh mbledhjen (që të ulej te vendi i Enverit). -Jo jo, i thotë Hysniu, -nuk është vendi im ai. Ndërsa Mehmeti i thotë: Për të drejtuar mbledhjen e kisha fjalën. “Pse, keni nevojë për drejtim ju, jeni të vegjël?!”, ia kthen Hysniu. Nuk vazhdoi më kjo bisedë dhe nisi mbledhja. Por gjatë mbledhjes bëhej dhe zhurmë, se kur ishte Enveri nuk pipëtinte njeri. I thotë Mehmeti: Shoku Hysni, vendos pak rregull! “Pse për në kopësht janë këta që t’u vendosim rregullin?!”. Kanë qenë të kujdesshëm me njëritjetrin dhe mbanin me kujdes pozicionet që kishin.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura