Xhelil Aliu zbardh bisedat me 34 aktorë të mëdhenj shqiptarë

Dec 11, 2015 | 20:41
SHPËRNDAJE

“Nuk ka rëndësi se çfarë them unë, rëndësi ka se çfarë thonë ata”. Kështu thotë regjisori Xhelil Aliu, një nga zërat ikonë të Radio Tiranës, i cili promovoi dje dy vëllime të librit “Këtu flasin të mëdhenjtë”.

Jo më kot kishte zgjedhur Universitetin e Arteve për të promovuar këtë libër, pasi përmes tij flasin 34 aktorë e regjisorë, ndër më të mirët që ka pasur ndonjëherë teatri dhe kinemaja shqiptare.

Xhelil Aliu

Janë 34 intervista apo mendime që kolegët kanë dhënë për artistët e mëdhenj, të cilat do të mund t’i shërbejnë si leksione çdo të riu që synon botën e aktrimit e të regjisë. Janë biseda të sinqerta, të realizuara në studiot e Radio Tiranës. Flitet për art, për punën e palodhur të artistëve, për rolet e tyre, për mënyrën se si e ndërtonin karakterin, për netët pa gjumë që kalonin për t’i realizuar ata…

Por Aliu ka ruajtur edhe profilin e tyre, mënyrën e të folurit, herë-herë edhe në dialekt. Edhe pse intervistat kufizoheshin në aspektin profesional, ato nuk mund të fshehin edhe aspektin njerëzor… Vuajtjen artistike të gjithsecilit, apo “hallin”, siç e quante Mihal Popi. Ndër 34 personazhe, vetëm dy janë ende gjallë. Të tjerët nuk jetojnë më dhe përmes këtij libri vijnë si një homazh, por edhe si një shkollë.

LEKSION PËR STUDENTËT

Për kritikun dhe studiuesin Josif Papagjoni, shqiptarët kanë nevojë të ndërtojnë kujtesën e tyre, dhe ky libër është një kontribut në këtë drejtim. Pasi ai arkivon pjesën elitare të kujtesës sonë artistike dhe kulturore, kujtesën e aktrimit shqiptar. Ai i konsideroi personazhet e këtij libri figura të adhuruara dhe referenca krenarie. Por ai nuk mund të mos vlerësonte edhe maturinë e treguar nga autori i këtyre intervistave, i cili i hedh tej komplimentet e mëdha dhe euforinë, duke i lënë ata vetë të flasin e të dëshmojnë për vlerat e tyre, përmes punës që ata kanë bërë në vite.

Ai e konsideroi një vepër me vlerë, sidomos për brezin e ri, i cili ka shumë për të mësuar prej gojëve të këtyre të mëdhenjve. Këtu u mbështet edhe dekani i fakultetit të Artit Skenik, Kastriot Çaushi, sipas të cilit ky libër transmeton brez pas brezi veprat e këtyre kolosëve të skenës shqiptare. Sipas tij, ky libër është i rëndësishëm edhe sepse na rrit vetëdijen se “edhe ne kemi njerëzit tanë të mëdhenj që kanë dhënë shumë për artin dhe emancipimin e shoqërisë shqiptare. Ata duhet të jenë modele për studentët tanë”.

AKTORËT SOT

Për regjisorin Ylli Pepo, “Këtu flasin të mëdhenjtë”, nuk është një libër për t’u lexuar. “Çdo intervistë është një leksion dhe një libërth më vete”, tha ai. Pepo u kthye pas në kohë, kur korridoret e Radio Tiranës gëlonin nga aktorët, që bënin radiodramatizime. “Sot aktori i radios ka vdekur”, tha ai, duke kujtuar atë traditë radiofonike, që lidhi dëgjuesin me teatrin. Së njëjtës periudhë iu rikthye edhe aktori e regjisori Alfred Bualioti, i cili kujtoi atë atmosferë dashamirëse mes aktorësh, bisedat në oborrin e teatrit apo në radio. “Fatkeqësisht, sot nuk bëhet teatër i vërtetë. Teatrin sot e bën vetëm politika dhe Parlamenti. Dua të shpresoj që do të rikthehet edhe një herë në skenë teatri i vërtetë”, tha Bualioti. Vetë autori i librit, Xhelil Aliu, nuk mund të mos ndihet i emocionuar.

Në këtë ditë u ishte falënderues të gjithë atyre që mbushnin sallën Black Box, por edhe më shumë atyre emrave të nderuar që ai ka pasur mundësi t’i intervistojë, por edhe shumë të tjerë që do të kishte dashur e nuk ka mundur. Xhelil Aliu, nuk mund të mos ndalej me keqardhje në vështirësitë që hasin sot regjisorët dhe aktorët shqiptarë, që siç do të thoshte edhe Papagjoni, para viteve ’90, gëzonin një tjetër status në shoqëri. “Këta artistë u bënë të mëdhenj falë punës së tyre, por edhe falë atmosferës së krijuar nga shteti. Ata nuk i bëri të mëdhenj politika, por puna dhe terreni i krijuar. Edhe sot ka shumë talente, të cilët kanë nevojë për terren për t’u zhvilluar. Sot artistët përpëliten të gjejnë ndonjë projekt, të venë në skenë ndonjë shfaqje me sa më pak aktorë, që mund të kursejnë ndonjë lek. Kjo është shumë e dhimbshme për artistët, të cilët kanë nevojë për më shumë përkrahje nga publiku. Pa këtë përkrahje, ai merr fund shumë shpejt”, tha Xhelil Aliu.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura