“Xhaxhai ishte në gjumë, plumbi e kapi në ballë, i doli në anën tjetër”, nipi tregon tmerrin

Sep 15, 2018 | 9:32
SHPËRNDAJE

MAJLINDA RAMA/ “Është e habitshme se si mundet që Policia të qëllojë në drejtim të njerëzve të pafajshëm. Askush nuk hapi zjarr dhe askush nuk qëlloi ndaj Policisë”. Kështu u shpreh dje Haziz Lika, nipi i të plagosurit në fshatin Remas të Lushnjës.

Haziz Lika, nipi i të plagosurit
Haziz Lika, nipi i të plagosurit

Sipas tij, xhaxhai i tij ndodhej në gjumë kur ka shkuar Policia dhe nuk është e vërtetë që ai ka dalë në dritare, aq më tepër i armatosur. Ai tregon se kishin dëgjuar të shtënat dhe kishin dalë të tmerruar jo vetëm familja e tij, por edhe plot banorë të tjerë të fshatit.

Aty ata u ndeshën me efektivët e RENEA-s, me skafandra në kokë, që kishin rrethuar banesën e xhaxhait të tij. Por, më pas, janë kontrolluar edhe mjaft banesa të tjera, në të cilat dyshohej se fshiheshin dy të kërkuar për vrasje.

“Nuk doli në dritare, siç thonë këta të Policisë. Xhaxhai ka qenë në gjumë dhe plumbi s’e dimë se si e ka prekur. Duket shumë e paqartë kjo rrethanë”, shprehet Haziz Lika, teksa rrëfen për “Panorama” gjithçka kishte ndodhur në fshatin e tyre.

Si ndodhi ngjarja ku mbeti i plagosur xhaxhai juaj?

Ishte rreth orës 04:00 të mëngjesit, orën fiks nuk e di, kur ne dëgjuam krisma arme. Dolëm me vrap jashtë për të parë se çfarë po ndodhte dhe aty pamë shumë efektivë të Policisë. Ata ishin të maskuar dhe pamë që kishin rrethuar shtëpinë e xhaxhait tim, Haxhi Lika. U afruam dhe morëm vesh se xhaxhai ishte plagosur me armë zjarri.

Dini ju se si qëndron e vërteta? Policia thotë se xhaxhai juaj ka dalë në dritare me armë dhe se nuk i është përgjigjur thirrjes…

Ai po flinte kur një plumb e kapi në ballë dhe doli në anën tjetër të kokës. Dy krisma u dëgjuan. Qëlloi Policia. Nuk doli në dritare, siç thonë këta të Policisë. Xhaxhai ka qenë në gjumë dhe plumbi s’e dimë se si e ka prekur. Duket shumë e paqartë kjo rrethanë.

Po kur dolët, ju ndaloi Policia të afroheshit, çfarë ndodhi?

Pamë shumë policë me maska. Ishin me skafandra dhe hynë në shtëpi shumë frikshëm. Aty nisën bastisjen. S’e dinim fare se çfarë po kërkonin. Gjatë kontrollit në banesë, gjetën vetëm një armë gjahu, çifte, që xhaxhai im e mbante me leje në shtëpi.

Çfarë ndodhi më tej?

Ata, pasi kontrolluan çfarë deshën, morën xhaxhanë e plagosur dhe e nisën për në spital. Gjithashtu, shoqëruan dy djemtë e xhaxhait në Polici, Arbenin dhe Martin Likën, 45 dhe 51 vjeç. Ata nuk kanë bërë asgjë, s’e dimë fare pse i shoqëruan. Thanë që do i merrnin në pyetje. Ata në një fabrikë polisteroli në Kolonjë të Lushnjës punojnë. Nuk janë njerëz problematikë. Janë njerëz të ndershëm dhe nuk kanë lidhje me krimin apo me kriminelët që kërkon Policia.

Pas gjithë kësaj që ndodhi, cili është apeli juaj?

E para, ne si familjarë, duam të dimë arsyen përse Policia qëlloi drejt banesës së xhaxhait tonë dhe e plagosi atë pa shkak. Familja e tij nuk ka bërë asnjëherë asgjë kundër ligjit. Është e habitshme se si mundet që Policia të qëllojë në drejtim të njerëzve të pafajshëm. Askush nuk hapi zjarr dhe askush nuk qëlloi ndaj Policisë. Duam që të zbardhet ngjarja, xhaxhai im u plagos nga Policia kot dhe po lufton me vdekjen pa pasur asnjë faj. Për këtë duam që shteti të mbajë përgjegjësi, se është shumë e frikshme.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura