Xhaka sherr me De Biazin? Ja e vërteta për Taulantin

Jun 20, 2016 | 19:30
SHPËRNDAJE

Zëvendësimi i Xhani De Biazit në ndeshjen kundër Zvicrës bëri që Taulant Xhaka të tregonte nervat në stol. Nëse ishim mësuar ta shihnim grintoz përballë kundërshtarëve në mesfushë, përballë helvetëve na serviri një përplasje të shishes së ujit kur po i drejtohej pankinës.

Xhaka ne momentin kur eshte zevendesuar ne ndeshjen me Zvicren
Xhaka ne momentin kur eshte zevendesuar ne ndeshjen me Zvicren

Taulant Xhaka ka qenë në tribunë në ndeshjen e fundit të Shqipërisë në grup. Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka nxjerrë asnjë njoftim rreth gjendjes së tij, mirëpo burime pranë Kombëtares kuqezi bëjnë me dije se trajneri nuk e ka pëlqyer atë shkelje të lojtarit dhe kjo ka sjellë një rebelim të mesfushorit edhe pas takimit.

Sjellje që duket se ka ndikuar në vendimin e trajnerit jo vetëm për 11-shen titullare, por edhe për të plotësuar numrin e lojtarëve që do të qëndrojnë në pankinë (qëndrojnë të gjithë të mbeturit nga lista e 23 lojtarëve të grumbulluar).

Taulant Xhaka e ka ndjekur ndeshjen për krah Burim Kukelit, i cili ka qenë i pezulluar në këtë sfidë për shkak të dy kartonëve të verdhë që ka marrë në secilën nga dy takimet e para.

Temperatura

Ditën përpara ndeshjes, në seancën e fundit stërvitore, Taulant Xhaka ka bërë vetëm nxehmjen me shokët e ekipit dhe më pas ka lënë përgatitjen. Mesfushori ka dalë nga fusha me arsyetimin se ishte me temperaturë të lartë. Burimet bëjnë të ditur se ai dy netët e fundit nuk ka ndarë dhomën me Shkëlzen Gashin, por ka fjetur në një dhomë më vete.

Pavarësisht se askush nga stafi nuk doli që ta thoshte diçka të tillë, u arsyetua në këtë mënyrë dalja e tij nga fusha. Megjithatë, zgjedhja e trajnerit që ai ta ndiqte ndeshjen nga tribuna, na rikthen edhe një herë pas në kohë tek ajo përplasje e shishes së ujit ndaj Zvicrës, si për të treguar se mes tij dhe De Biazit ka pasur “xixa” që kanë lindur nga ai veprim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura