Xhafaj nga Vlora: Nuk jemi të kënaqur me punën tuaj, do të ketë ndryshime të drejtuesve

Feb 11, 2018 | 11:05
SHPËRNDAJE

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu kanë zhvilluar një vizitë në Vlorë.

Ata kanë zhvilluar një takim me strukturat vedore në Vlorë.

xhafaj ne vlore

Fatmir Xhafaj është treguar i ashpër dhe i pakënaqur me punën e strukturave të Policisë së Vlorës dhe paralajmëroi ndryshime.

“Do të ketë një organizim të ri dhe të mirëpërcaktuar të policisë. Kemi hyrë në një fazë tjetër, atë të goditjes së grupeve të strukturuara kriminale. Nuk jemi shumë të kënaqur me punën e strukturave të Policisë së Vlorës”, deklaroi ai.

Fjala e plotë dhe konferenca me gazetarët

Siç mund ta keni ndjekur, ditën e sotme kemi marrë pjesë bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, z. Ardi Veliu në dy analiza vjetore në dy Drejtori Vendore të Policisë, të Fierit paradite dhe më pas këtu në Vlorë. Në përfundim të dy analizave, çmuam të arsyeshme që të takohemi me ju dhe të bashkëbisedojmë. Së pari që t’ju informojmë lidhur me këtë fakt.

Kemi pasur një diskutim të gjerë, një raportim nga ana e drejtorëve vendorë të dy qarqeve, të Fierit dhe të Vlorës mbi zhvillimet e kriminalitetit gjatë vitit 2017. Problematikat që janë ndeshur në punën e policisë. Nevojën që këto struktura kanë për një mbështetje akoma më të mirë si dhe detyrat e prioritetet që kanë për vitin 2018. Përgjithësisht dua të konstatoj faktin që ka një impenjim të strukturave vendore të policisë si në Fier, edhe në Vlorë, për të trajtuar me përgjegjshmëri çështje, që lidhen me kriminalitetin në përgjithësi dhe krimin e organizuar në veçanti.

Gjatë vitit 2017 në të dy drejtoritë vendore të Fierit edhe të Vlorës ka pasur një angazhim për t’u përballur me një sërë fenomenesh negative në fushën e kriminalitetit ku do të dëshiroja të theksoja veçanërisht angazhimin e strukturave vendore në këto dy qarqe lidhur me luftën kudër kultivimit të kanabisit.

Kam vlerësuar në këto të dy drejtori, punën e mirë të policisë në këtë aspekt, gjë që është reflektuar në një sërë rezultatesh konkrete, duke mbajtur në konsideratë se për vitin 2016 në të dy këto qarqe, por veçanërisht në Vlorë, ky fenomen ka qenë mjaft i përhapur. Viti 2017, në sajë edhe të seriozitetit, të angazhimit, të organizimit të strukturave vendore të policisë, por edhe impenjimit të strukturave të tjera mbështetëse, u bë i mundur që ky fenomen të mos ishte më i pranishëm. Diskutuam gjatë me strukturat vendore të dy qarqeve, për masat që duhen marrë që ky standard të mund të replikohet pa asnjë problem edhe gjatë vitit 2018, duke e konsideruar një çështje të mbyllur, çështjen e kultivimit të kanabisit, në Shqipëri, jo vetëm në Fier edhe në Vlorë në mënyrë të veçantë.

Gjithashtu trajtuam çështje që kanë të bëjnë me krimin në përgjithësi dhe krimin e organizuar në mënyrë të veçantë. Konstatoj me shqetësim se qoftë në Fier, dhe në mënyrë të veçantë në Vlorë, ka disa ngjarje që lidhen me humbjen e jetëve, me disa vrasje të rënda, të cilat për fat të keq janë ende pa autor. Gjë që tregon për përgjegjësinë e strukturave, që janë të angazhuara posaçërisht në luftën kundër krimit dhe posaçërisht për krimet e rënda.

Drejtuam prioritetet për vitin 2018 duke vendosur theksin fort në tre çështje të rëndësishme. Së pari në çështjen që ka të bëjë me forcimin e integritetit të Policisë së Shtetit, duke theksuar këtu faktin që gjatë këtij viti, strukturat e Policisë së Shtetit, sidomos nivelet menaxhuese edhe drejtuese do t’i nënshtrohen procesit të Vetting-ut. Një proces që pritet të nisë së shpejti. Siç jeni në dijeni, është miratuar në Këshillin e Ministrave, këtë javë shkon në parlament për t’u shqyrtuar dhe miratuar dhe për të nisur më pas procesi i Vetting-ut, i cili nga njëra anë synon pastrimin e radhëve të policisë nga elementët e korruptuar dhe të inkriminuar dhe nga ana tjetër synon që të forcojë më tej, pjesën e shëndetshme të policisë, për t’i dhënë më shumë mundësi dhe hapësirë karrierës së mbështetur në vlera dhe natyrisht në rezultate.

Vettingu është një mundësi shumë e mirë që do të forcojë më tej besimin në radhët e punonjësve të Policisë së Shtetit, brenda radhëve të tyre, brenda strukturave, por edhe besimin që do të duhen të kenë qytetarët te Policia e Shtetit.

Gjithashtu theksuam se një prioritet tjetër shumë i rëndësishëm është reforma që kemi nisur, lidhur me organizimin të strukturave të policisë nga Drejtoria e Përgjithshme në drejtoritë vendore dhe komisariate, e cila do të sjellë një riorganizim, një rishpërndarje të forcave të policisë në territor. Me krijimin e zonave policore, synohet që të ketë në të njëjtën hapësirë, edhe inspektorin e policisë së zonës, patrullën e përgjithshme dhe inspektorin e krimeve. Pra, të mund të mbledhim në të njëjtën zonë policore të gjitha këto funksione në mënyrë që të ketë një kontroll shumë më të mirë të territorit, por nga ana tjetër edhe një marrëdhënie të re, mes policisë dhe qytetarëve. Ajo që duam ne të bëjnë është që policët të njohin shumë mirë… policët që punojnë në këto zona policore dhe që janë të angazhuar drejtpërdrejt me praninë e tyre fizike në territor, të kenë mundësi që të njohin shumë më mirë njerëzit që banojnë në atë territor, familjet, personat që banojnë në atë territor dhe nga ana tjetër, kjo do të jetë me shumë interes edhe për vetë banorët, vetë familjarët që të njohin se cilët janë oficerët e policisë që iu shërbejnë atyre. Kjo është e ndërsjelltë. Është me interes të dyanshëm. Për policinë do të jetë më shumë përgjegjësi, sepse do ta lidhin fatin e tyre, karrierën e tyre edhe me vlerësimin që bëjnë qytetarët, banorët e një zone të caktuar për ta. Dhe nga ana tjetër është me shumë rëndësi për vetë banorët, sepse ata do të kenë kontakt të drejtpërdrejtë me oficerët e policisë, qoftë me ata që janë inspektorë të zonave, qoftë për ata që janë të krimeve dhe qoftë edhe për patrullën e përgjithshme për çështje të rendit dhe sigurisë. Dhe do të kenë më shumë mundësi për të adresuar shqetësimet dhe problematikat e tyre.

Ky organizim do të na ndihmojë që krahas fokusit të goditjes së veprimtarisë kriminale të përqendrohemi shumë më tepër te parandalimi, sidomos në çështjet që janë të ndjeshme si dhuna në familje dhe në mënyrë të veçantë pastaj te disa kategori të caktuara ku fokusi është për moshat e reja, për adoleshentët.

Natyrisht e gjithë kjo do të ndihmojë që të kemi një kontroll edhe më të mirë të territorit për çështje që lidhen me paligjshmërinë në territor dhe në mënyrë të veçantë për veprat penale që kanë të bëjnë me fushën e mjedisit. Me sigurinë shëndetësore, me sigurinë ushqimore si dhe padyshim me aspekte të tjera që janë ndërtimet paleje, dëmtimi i territorit, i pyjeve, i lumenjve dhe me radhë. Kjo mënyrë riorganizimi ne gjykojmë dhe vlerësojmë se është shumë herë më efiçente për një kontroll më të mirë të territorit dhe për një marrëdhënie më të drejtpërdrejt, ndërmjet policisë në territor dhe qytetarëve, banorëve të atij territori, në mënyrë që të mos ketë pjesë të territorit, pa praninë fizike dhe komunikimin e drejtpërdrejtë të policisë me qytetarët. Ky është një prioritet tjetër i rëndësishëm që besoj se do të nisë të implementohet. Ne kemi bërë projektin e parë pilot në Elbasan dhe pas Elbasanit do të fillojë të implementohet edhe në këto dy qarqe, pra edhe në Fier edhe në Vlorë.

Shumë shpejt do të ketë një riorganizim të ri duke i dhënë sipas propozimit që ka bërë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë lidhur me strukturën e re të Policisë së Shtetit, të cilën javën që vjen shpresoj që me detyrimin që më jep ligji, unë ta firmos. Kjo parashikon një rol shumë më të mirë-përcaktuar të Drejtorisë së Përgjithshme në funksionet e saj drejtuese, monitoruese dhe kontrolluese. Një rol menaxhimi, koordinimi të Drejtorisë Vendore dhe një peshë më të madhe të përgjegjësisë të Komisariateve.

Krahas këtij prioriteti të rëndësishëm, një prioritet tjetër dhe ndoshta më themelori për ne, është çështja e luftës kundër krimit të organizuar dhe posaçërisht grupeve të strukturuara kriminale. Siç jeni në dijeni, qeveria ka miratuar një plan veprimi për luftën ndaj krimit të organizuar, operacionin: “Forca e Ligjit”, i cili parakupton një analizë të plotë të të gjitha grupeve kriminale. Evidentim të qartë dhe të saktë të përbërjes së tyre. Të veprimtarisë së këtyre grupeve kriminale, por edhe të fuqisë dhe potencialit financiar të krijuar, për shkak të kësaj veprimtarie kriminale. Dhe duke ndërtuar struktura të posaçme që janë të dedikuara posaçërisht për luftën kundër krimit të organizuar dhe grupeve të strukturuara kriminale me rrezikshmëri të veçantë shoqërore. Posaçërisht struktura që janë në nivel qendror që është Task Forca Speciale Qendrore që është pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, e cila tashmë ka filluar punë, si dhe Task Forcat Speciale Rajonale, pranë Drejtorive Vendore të Policisë dhe që janë fokusuar kryesisht në drejtoritë që kanë më shumë problematika në këtë aspekt siç është Tirana, Shkodra, Durrësi, Vlora, Fieri, Elbasani të cilat kanë një numër të përcaktuar grupesh të evidentuara dhe që janë në proces vlerësimi dhe në proces hetimi nga ana e strukturave policore në bashkëpunim edhe me Prokurorinë, e cila padyshim ka përgjegjësinë dhe ka rolin kyç në këtë proces, për shkak se ata kanë përgjegjësinë e drejtimit dhe kontrollit të hetimit.

Ky përbën një prioritet thelbësor për punën e Policisë së Shtetit dhe ne jemi të angazhuar në këtë aspekt. Disa rezultate të para kanë qenë prezent gjatë këtyre ditëve edhe në disa nga qarqet e vendit. Kemi kërkuar që me të njëjtin impenjim të jenë të fokusuara dhe të angazhuara strukturat që janë duke punuar në qarkun e Vlorës edhe të Fierit. Dua të them që këto ishin analizat e para edhe për Drejtorin e ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, por edhe për mua për këtë vit, në të cilat besoj se kemi shkëmbyer goxha mendime dhe me interes edhe për ne sipas përgjegjësive përkatëse që kemi, por edhe për strukturat vendore të policisë.

Nuk hezitoj të them që nuk jemi fort të kënaqur me punën e strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë së Vlorës, qoftë në nivelin e sektorëve, seksioneve në Drejtorinë Vendore dhe të Komisariateve dhe unë besoj që brenda kompetencës së tij, Drejtori i Përgjithshëm do të shikojë me shumë kujdes, do të bëjë analizat përkatëse dhe besoj se do të marrë shumë shpejt edhe vendimet e duhura për shëndoshjen e punëve në këto struktura, për shkak se nuk është gjë pozitive fakti që ka disa vrasje në këtë qytet që ende mbeten të pazbuluara.

Ndërkohë që një situatë e tillë nuk gjendet në qarqet e tjera. Probleme të kësaj natyre janë përballuar shumë mirë nga strukturat vendore të policisë përkatëse. Natyrisht duke thënë këtë dua t’i jap vlerësimet Drejtorit të Policisë së Vlorës i cili ka pasur impenjimin maksimal gjatë kësaj periudhe të shkurtër kohe që është duke drejtuar në qarkun e Vlorës. Natyrisht do të dojë kohën e vete, do të duhet të ketë edhe një ekip më të mirë bashkëpunëtorësh për të dhënë rezultatet e duhura edhe në këtë qark i cili është tepër i ndjeshëm për çështjet e krimit, e kriminalitetit në tërësi dhe krimit të organizuar në veçanti. Dhe ne presim e shpresojmë të kemi rezultate pozitive ashtu sikundër edhe në disa qarqe të tjera të vendit, edhe në qarkun e Fierit, në mënyrë të veçantë edhe në qarkun e Vlorës.

Shpesh herë është folur për Policinë e Vlorës vitet e kaluara se ka qenë e implikuar me kanabisin. A do të ketë një hetim më të shtrënguar nëse do ta quajmë kështu se sa në qytete e tjera? Vitet e kaluara është folur shumë se disa nga këta efektivë më shumë e kanë kaluar kohën në Lumin e Vlorës se sa në pozicionet e tyre. Do të ketë masa për këta efektiv?

Ministri Xhafaj: Së pari duhet të bëj një nënvizim të nevojshëm të vlerësimit tim. Brenda radhëve të Policisë së Vlorës, ashtu sikundër edhe në drejtoritë e tjera vendore të policisë, ka punonjësi policie, burra dhe gra, djem dhe vajza që në vlerësimin tim, por më shumë, të drejtuesve të tyre, janë njerëz me integritet, njerëz të aftë dhe po aq të shqetësuar sa ju edhe ne, për disa fenomene negative, por të cilët kërkojnë më shumë mbështetje, e kërkojnë gjithashtu një promovim më të mirë, që të mund të japin maksimumin në këtë përgjegjësi të veçantë që ata kanë në radhë të parë në raport me ligjin e në raport me qytetarët e Vlorës.

Por po aq i vërtetë është edhe fakti që disa kolegë të tyre, që nuk përbëjnë shumicën, për fat të mirë, kanë qenë të implikuar në çështjen e kultivimit të kanabisit. Ky është një proces që ne po e trajtojmë hap pas hapi, sepse tjetër gjë është perceptimi, tjetër dyshimi, tjetër është dokumentimi i një përgjegjësie të caktuar, qoftë administrative, qoftë edhe penale.

Ky është një proces që po e bën Drejtoria e Përgjithshme e Policisë. Do të duhej ta kishte bërë shumë më mirë se deri tani, po e bën SHÇBA, por njëkohësisht po bashkëpunojmë edhe me prokurorinë për t’i trajtuar këto fenomene brenda radhëve të policisë. Pra edhe implikimin e drejtuesve të policisë.

Gjithsesi, çështja e masave është një çështje që nuk më përket mua, por është një çështje që i përket Drejtorit të Përgjithshëm dhe drejtori mund ta trajtojë vetë.

Drejtori Veliu: Aktualisht Drejtoria e Standardeve Profesionale është duke ndjekur me përparësi të gjitha këto raste. Janë duke u analizuar dhe në përfundim do të merret vendimi i duhur.

Ne përgëzojmë punën e policisë, pasi për ne mediat në vitet e kaluara ishte e pamundur të shkoje në Lumin e Vlorës, në disa fshatra.

Ministri Xhafaj: Keni një gjë që merreni me të djeshmen e nuk merreni me të sotmen… Faleminderit për pyetje, edhe unë dëshiroj t’ju përgëzoj juve për transparencën por do t’ju lutesha vetëm për një gjë: -shikojeni nganjëherë edhe gjysmën e gotës plot, jo vetëm gjysmën e gotës bosh! Ka edhe gjëra të mira policia.

Do të ketë goditje të grupeve kriminale në Vlorë, nisur edhe nga operacionet e fundit që janë bërë në Elbasan?

Ministri Xhafaj: Unë jam ministri nuk jam Drejtori i Policisë. Unë jam shpresëplotë me atë që më takon mua si ministër, çfarë i takon qeverisë, për aq sa na takon ne të bëjmë që t’i orientojmë, t’i mbështesim dhe t’i koordinojmë strukturat e policisë, do të japë efektin pozitiv në punën që ato janë duke bërë në luftën kundër krimit të organizuar, në mënyrë të posaçme ndaj grupeve të strukturuara kriminale me rrezikshmëri të veçantë, një pjesë e të cilave gjenden edhe në këtë zonë, pra në këto dy drejtori vendore dhe jo rastësisht ne ishim edhe në Fier dhe në Vlorë, sepse, siç ju thashë kjo përbën edhe shqetësimin kryesor, prioritetin kryesor që kemi, me fokus të veçantë edhe në këto dy drejtori.Gjithsesi i takon Drejtorit të Përgjithshëm, Drejtorit të Vlorës të përgjigjet.

Ardi Veliu: Edhe Policia e Vlorës, edhe Policia e Fierit, janë duke evidentuar këto grupe kriminale, janë duke investuar në hetimin dhe përbërjen e këtyre grupeve kriminale, dhe në bashkëpunim me prokurorinë, jemi duke i identifikuar dhe patjetër, ashtu siç u implementua Task Forca Speciale në Drejtorinë e Përgjithshme, ashtu edhe Task Forca në Drejtorinë e Fierit, edhe në Drejtorinë e Vlorës do të jenë posaçërisht për goditjen e këtyre grupeve kriminale. Çështje kohe pastaj, por do të jenë të fokusuar dhe do të kenë prioritet goditjen e grupeve kriminale, e kanë një nga detyrat parësore.

Prokurorja e Përgjitshme dje ka thënë se grupet kriminale favorizohen nga drejtuesit e pushtetit vendor, këtu kemi parasysh zonat në njësitë administrative ku mbillen këto lëndë. Çfarë mund të bëjë Policia e Shtetit në këto raste?

Ministri Xhafaj: Ndoshta duhet të kemi një kuptim të qartë për atë çfarë ka thënë Prokurorja e Përgjithshme, është fjala për kultivimin dhe ne nuk e përjashtojmë që natyrisht kanë një rol edhe organet e qeverisjes vendore, administratorët, të cilët duhet të jenë bashkëpunues me policinë në evidentimin dhe në sinjalizimin e forcave të policisë për të bërë detyrën e tyre. Ata natyrisht nuk kanë funksione policore, kanë funksione administrative, por brenda funksionit të tyre administrativ, ato kanë përgjegjësi që ua parasheh edhe ligji.

Konteksti si e kam kuptuar unë zonjën Prokurore të Përgjithshme është pikërisht që jo vetëm prokuroria, jo vetëm policia por edhe organet e tjera, të qeverisjes vendore apo organet e tjera të shoqërisë edhe vetë qytetarët, duhet të jenë shumë më aktivë, shumë më të angazhuar në këtë proces që nuk mund të jetë thjesht dhe vetëm një proces policor.

Duket që ka një moskoordinim të punës, ose më saktë një mosbashkëpunim.

Ministri Xhafaj: Është e kundërta… e tha pak edhe Drejtori e ndoshta mund ta shtjellojë. Ajo që ne konstatojmë sot si një gjë shumë pozitive është marrëdhënia shumë e mirë që kemi ndërmjet prokurorëve dhe oficerëve të policisë.

Reforma në drejtësi u ka dhënë një hapësirë vetë prokurorëve. Prokurorët sot janë zot të çështjes dhe kanë gjithë autonominë dhe përgjegjësinë kushtetuese dhe ligjore për ta filluar dhe përfunduar vetë çështjen pa ndërhyrje të askujt tjetër mbi ta.

Kjo liri ligjore, kushtetuese, kjo kompetencë, u ka dhënë më shumë pushtet, u ka dhënë më shumë kompetenca prokurorëve të cilët janë duke e administruar, në vlerësimin tonë, në shumë qarqe, me shumë përgjegjësi gjë që u konstatua dhe u konfirmua edhe sot me prezencën të Vlorës. Fierit, Sarandës, që ishin të pranishëm në analizat përkatëse, edhe me bashkëpunimin e mirë, të ndërtuar ndërmjet të dy institucioneve.
Ne shpresojmë që kjo marrëdhënie bashkëpunimin natyrisht duke qenë secili në funksionet e veta që njeh kushtetuta dhe ligji, asnjëherë nuk duhet të harrojmë që përgjegjësinë e hetimit, drejtimin dhe kontrollin e ka prokurori dhe ai është zot i hetimit, policia është në funksion dhe në shërbim të hetimit brenda kompetencave të veta, – pra e gjithë kjo marrëdhënie e re shumë shpejt do ta japë efektin, siç e ka dhënë në një sërë çështjesh konkrete.

Ardi Veliu: Ju falënderoj për pyetjen, për faktin se ne jemi në ditët e para ose në fillim të plan-veprimit për goditjen e fenomenit të kultivimit të kanabisit. Siç e dini, në strategjinë e qeverisë shqiptare nuk është vetëm policia përgjegjëse për të parandaluar këtë aksion por janë edhe aktorët e tjerë siç është qeverisje vendore, ose siç janë aktorë të tjerë si Ministria e Bujqësisë dhe ministritë e tjera, por në rastin konkret kemi të bëjmë me qeverisjen vendore e cila është përgjegjëse për pyjet dhe kullotat të cilat ka në administrim, apo për ndjekjen e kulturave bujqësore të cilat trajtohen apo mbillen në këto sipërfaqe. Dhe ata kanë detyrimin që të na informojnë, koordinojnë dhe bashkëpunojnë me specialistët e policisë së rendit që janë përgjegjës nëpër këto zona, ashtu si edhe të raportojnë çdo muaj.

Kështu që në rast se kishim një ulje drastike, falë punës së policisë dhe të koordinimit edhe me strukturat e tjera, unë ju garantoj që këtë vit ky fenomen do të vijë drejt zeros, ose për të thënë zero absolute.

Duke dalë pikërisht tek ajo që Kryeprokurorja Arta Marku zhvilloj dje në Vlorë, në analizën e prokurorisë, ajo theksoj se duhet mos ngutje në operacionet e policisë në rastin e goditjes së grupeve kriminale të lëndëve narkotike, pasi ngutja e operacioneve ka çuar në arrestimin e korrierëve apo sekuestrimin e mjeteve të transportit dhe jo në arrestimin e personave përgjegjës?

Ministri Xhafaj: Dua të them një gjë, që nuk arreston policia. Këtë gjë besoj edhe ju si gazetarë e keni parasysh. Policia referon çështjen edhe mund të propozojë edhe masën e sigurisë por drejtimin e hetimeve e ka vetë prokuroria. Natyrisht mendoj që ka qenë një orientim i drejtë nga ana e zonjës Prokurore të Përgjithshme për vartësit e vet që të jenë gjithashtu të kujdesshëm, ashtu sikundër besoj që kjo është shumë e drejtë edhe në këtë bashkëpunim të përbashkët në mënyrë që nga faza kur në ishim të detyruar të merreshim me kultivuesit, kemi kaluar në një fazë tjetër që do të merremi me grupet e strukturuara kriminale, do të merremi jo thjesht me ushtarët e tyre, por do të merremi me anëtarët dhe drejtuesit e këtyre grupeve kriminale.

Dhe nuk është e lehtë, për ta ndërtuar një proces të tillë, shpeshherë edhe nga ngutja ose dhe nga dëshira për t’i vënë individë të caktuar përpara përgjegjësisë penale, ka pasur dhe raste që dhe strukturat tona kanë vrapuar me qëllim të mirë për të pasur dhe rezultatin dhe pa dyshim kjo i ka bërë drejtuesit e këtyre grupeve kriminale që të jenë më të kujdesshëm e shpeshherë ndoshta edhe më të manovrueshëm në veprimet e tyre. Kjo na ka bërë ne që të jemi gjithashtu, pra edhe policia të jetë akoma më e vëmendshme. Kjo ishte arsyeja, por gjë që nuk mund të realizohet nëse policia punon më vete dhe prokuroria punon më vete, pra jo secila në ngastrën e vet, por të gjithë bashkë në funksion të një qëllimi. Dhe kjo ishte arsyeja që u ndërtuan Task Forca-t. Sepse task-forcat në vetvete, çfarë janë? Janë bashkimi i energjisë, i burimeve njerëzore, i kapaciteteve njerëzore, kapaciteteve teknike të të gjitha agjencive ligjzbatuese në vend. Ne jemi një vend i vogël, nuk mund të pretendosh që të ketë teknologji edhe policia, edhe prokuroria, edhe SHISH-i, edhe doganat, edhe tatimet, të jenë të kompletuara. Por nëse i mbledhim të gjitha këto kapacitete që kemi profesionale, njerëzore, kapacitete teknike, këto përvoja, të gjithë bashkë, mund të bëjmë një fuqi të konsiderueshme për t’u përballur me krimin e organizuar që sa vjen edhe është më i sofistikuar.

Natyrisht ne po flasim këtu për disa grupe kriminale që janë tejet të organizuara dhe shumë të sofistikuara. Dhe gjithë ky proces nuk mund të bëhet as brenda një dite, as brenda një nate. Por gjatë kësaj periudhe, policia ka mundur të realizojë disa operacione të suksesshme të cilat nga pikëpamja e aftësisë profesionale mund të jenë të krahasueshme edhe me organizata policore të vendeve me përvojë të konsoliduar në hetimin penal.

Kështu që u duhet njohur kjo meritë njerëzve dhe strukturave të policisë, ashtu sikundër iu duhet theksuar edhe problematikat që kanë pasur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura