Vizita/ Xhafaj takim në SHBA, pse e kërkoi ndërhyrjen e FBI dhe DEA-s

Mar 24, 2018 | 12:02
SHPËRNDAJE

Ministri i Brendshem, Fatmir Xhafaj ka zhvilluar takim te rendesishem në Departamentin e Drejtësisë. Ministria e Brendshme ben me dije se Xhafaj ka takuar shefin e Departamentit te Drejtësisë, Bruce Swartz, zëvendës ndihmës Prokurorin e Përgjithshëm, i shoqëruar nga disa prej drejtorëve dhe drejtuesve të projekteve ndërkombëtare.

xhafaj1

Swartz shprehu falënderim për bashkëpunimin e shkëlqyer me Qeverinë shqiptare, duke e bërë Shqipërinë “vendin model në rajon sa i takon bashkëpunimit për çështjet penale”.

Njoftimi i MB 

“Ajo çfarë kemi realizuar së bashku deri tani, është shumë e rëndësishme për sigurinë e të dy vendeve, – tha zoti Swartz duke shtuar se – përfshirja personale e z.Xhafaj ka qenë shumë e rëndësishme në ndërtimin e një marrëdhënie të qëndrueshme mes dy palëve. Rezultatet e fundit të Policisë, janë tregues i kapaciteteve në rritje të saj në luftën kundër grupeve kriminale. Procesi i Vetting-ut që ju keni ndërmarrë është unik në rajon, duke e bërë Shqipërinë model për vendet e tjera të Ballkanit e më gjerë dhe ka ndikuar së tepërmi në ndërtimin e një marrëdhënie të mrekullueshme mes nesh”.

xhafaj2

“Ne do të prezantojmë progresin që ju keni bërë në takimin e radhës ShBA-BE për çështjet e drejtësisë, i cili do të mbahet në Sofje, me fokus kryesor krimin e organizuar transnacional. Kjo do të jetë një mundësi shumë e mirë për ne, për të dhënë një mesazh tjetër mbështetje për procesin e reformave që ka ndërmarrë Shqipëria dhe domosdoshmërinë e hapjes së negociatave, pasi Shqipëria e ka merituar një vlerësim të tillë”, theksoj z.Swartz.

Ministri Xhafaj solli një retrospektivë të punës së bërë lidhur me reformën në drejtësi. “Kjo reformë do të ketë një impakt të madh edhe mbi pushtetet e tjera, të cilat po ashtu kanë po aq probleme sa drejtësia. Ajo do të pastrojë jo vetëm sistemin, por do t’i japë atij instrumentat e duhura për të vepruar në mënyrë proaktive”, pohoi ai.

Ministri informoi gjithashtu se “procesi i Vetting-ut po jep rezultatet e para domethënëse. Tashmë është momenti të fokusohemi te procesi për ngritjen e institucioneve të reja të sistemit, veçanërisht ato të drejtësisë penale, të dedikuara në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit (BKH e SPAK)”.

Në këtë kontekst, ministri Xhafaj kërkoi që asistenca e SHBA të fokusohet në ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë. Ai vlerësoi punën e OPDAT duke shtuar se i gjithë investimi amerikan në këtë proces, ka rezultuar shumë i suksesshëm.

Duke shprehur vlerësimet për lidershipin e z.Xhafaj në procesin e reformës në drejtësi z.Swartz u shpreh se “ne jemi krenarë që kemi punuar me ju gjatë reformës në drejtësi dhe dëshirojmë të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë edhe në procesin e reformave të ndërmarra prej jush, në fushën e rendit dhe sigurisë”.

Nga ana e tij, ministri i informoi bashkëbiseduesit mbi prioritetet kryesore të MB, duke u ndalur vecanërisht tek operacioni “Forca e Ligjit” dhe Vetting-u në Policinë e Shtetit – dy ndër reformat kyçe të ndërmarrë nga Qeveria shqiptare në fushën e rendit dhe sigurisë dhe forcimin e zbatimit të ligjit. Për realizimin e këtyre prioriteteve, ai kërkoi mbështetjen e palës amerikane, kryesisht në rishikimin e asistencës së dhënë përmes ICITAP, e cila duhet të orientohet sipas prioriteteve tona duke u zhvendosur nga ato tradicionale, për të qenë më eficente në të ardhmen. Gjithashtu ai kërkoi që ICITAP të mbështetet me financime shtesë për të mundësuar asistencë teknike në përmbushje të prioriteteve kyçe të përcaktuara.

Ministri Xhafaj kërkoi një prezencë dhe bashkëpunim më intensiv me FBI dhe DEA, duke riprezantuar kërkesën për një prezencë më të madhe te tyre në Shqipëri. Strukturat e reja që janë ngritur në kuadrin e operacionit “Forca e Ligjit” si dhe procesi për ngritjen e SPAK dhe BKH kanë nevojë jo vetëm për mbështetje e asistencë teknike, por edhe për motivim në përmbushjen e misionit të tyre.

Z.Swartz u shpreh se sa i takon asistencës së FBI dhe DEA do të inkurajojë lidershipin e këtyre dy Agjensive, për të plotësuar kërkesat. Ai ndau të njëjtin mendim me ministrin, se puna e ICITAP duhet të orientohet drejt prioriteteve kyçe të MB-së, duke synuar rritjen e kapaciteteve profesionale dhe operacionale.

“Kemi gjithë vullnetin e duhur për t’i shtyrë këto çështje përpara, për të bërë të mundur realizimin e këtyre prioriteteve madhore”, përfundoi ai.

 

Takimi/ Ndihma që Xhafaj i kërkoi SHBA-së: Është e domosdoshme që…

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ne vijim te vizites se tij ne SHBA ka zhvilluar nje takim me Ndihmës Sekretarin e Shtetit James A. Walsh.

xhafaj

Në ditën e tretë të vizitës në Uashington, ministri Xhafaj u prit në Departmentin e Shtetit nga Ndihmës Sekretari i Shtetit dhe përgjegjës për Narkotikët dhe Çështjet e Zbatimit të Ligjit, James A. Walsh.

Ministri Xhafaj e falënderoi për mbështetjen që SHBA ka dhënë për reformën në drejtësi, përmes Ambasadës amerikane në Tiranë dhe programit OPDAT të asistencës.

“Konstatoj me kënaqësi – u shpreh ministri, – se investimi juaj për këtë reformë ishte me një vlerë të veçantë. Ndërkohë që kjo reformë ka filluar tashmë të japë rezultatet e para në kuadrin e procesit të Vetting-ut, sfidë mbetet krijimi i organeve të reja të parashikuara nga kjo reformë”.

Në këtë kuadër, ai theksoi se është shumë e domosdoshme që mbështetja dhe asistenca e SHBA të vazhdojë të jetë prezente, veçanërisht përgjatë kësaj faze delikate të procesit.

Në vijim, Xhafaj e njohu bashkëbiseduesin me vizionin e tij në drejtimin e MB, duke u ndalur në rolin e rëndësishëm të Policisë në mirëfunksionimin e trekëndëshit: Polici – Prokurori – Gjykatë.

Ai e njohu zotin Walsh me punën e nisur në funksion të reformimit të hetimit në Policinë e Shtetit, Planin e Veprimit të miratuar nga qeveria për operacionin “Forca e Ligjit”, Vetting-un në Polici, luftën kundër kultivimit të kanabisit, Policimin në Komunitet, prioritete madhore këto për Ministrinë e Brendshme.

Një sfidë tjetër, në të cilën u ndal ministri, ishte ajo që ka të bëjë me luftën kundër radikalizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit. Më tej, ai u ndal në rezultatet e para të operacionit “Forca e Ligjit” si dhe nevojën për asistencë më të kualifikuar për Task Forcën Speciale, ngritur për këtë qëllim.

Në këtë kontekst, ministri Xhafaj kërkoi që asistenca amerikane në vijim të zgjerohet dhe njëherësh të orientohet edhe më mirë drejt realizimit të prioriteteteve të mësipërme.

Z.Walsh vlerësoi shumë pozitivisht progresin e bërë në procesin e reformave në Shqipëri, angazhimin e fortë të qeverisë aktuale duke theksuar se “angazhimi i SHBA nuk ka ndryshuar dhe do të vazhdojë të jetë intensiv edhe në të ardhmen”.

“Reformat e ndërmarra nga Qeveria shqiptare, strategjitë e prezantuara, partneriteti me agjencitë ligj zbatuese amerikane, janë shumë të rëndësishme për ne”, u shpreh ai. SHBA do të vazhdojnë të mbështesin institucionet e reja të ngritura në kuadër të reformës në drejtësi.

Ai mbështeti vizionin e ministrit Xhafaj lidhur me reformimin e drejtësisë penale, duke shtuar se në këtë proces, duhet të përfshihet edhe sistemi i burgjeve.

“Ju keni një strategji dhe qasje të shkëlqyer sa i takon luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, integritetit të Policisë dhe Policimit në Komunitet”, u shpreh zoti Walsh.

Ai vlerësoi së tepërmi ngritjen e TFS-së dhe qasjen ndër-institucionale në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e një koordinimi më efikas midis Policisë dhe shërbimeve të inteligjencës.

Ndihmës Sekretari i Shtetit ndër të tjera theksoj se “SHBA do të punojnë nga afër me Shqipërinë në këtë proces jetik për vendin. Lufta efikase ndaj grupeve kriminale është esenciale, veçanërisht sa i takon qëndrueshmërise së rezultateve në luftën kundër kuktivimit të kanabisit për vitin në vijim. Ju do të keni gjithë mbështetjen e SHBA në përpjekjet tuaja serioze në luftën kundër krimit ndërnacional, korrupsionit, pastrimit të parave, ashtu si edhe në procesin e ngritjes së BKH dhe SPAK”.

“SHBA do të vazhdojë me vendosmëri të mbështesë Shqipërinë në rrugën drejt BE. Departmenti i Shtetit do t’ju mbështesë duke zgjeruar dhe riorientuar ndihmën e tij teknike dhe financiare, me qëllim që t’ju përgjigjet realizimit të prioriteteve tuaja me shumë rëndësi për forcimin e zbatimit të ligjit”, nënvizoi zyrtari amerikan.

Ministri Xhafaj vlerësoi së tepërmi atmosferën miqësore në të cilën u zhvillua takimi, duke shtuar “se po përballemi me sfida të mëdha ndaj edhe mbështetja e SHBA është sa e domosdoshme në procesin e zbatimit të reformave aq edhe motivuese për të ecur përpara”.

Ministri Xhafaj e ftoi zotin Walsh të vizitojë Tiranën si një mundësi për të parë nga afë progresin e bërë dhe për të diskutuar për programet e asistencës në vijim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura