Xhafaj në Departamentin Amerikan të Shtetit, i bëhet e qartë pritshmëria e SHBA për reformën në drejtësi

Mar 23, 2018 | 17:32
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Në Departamentin Amerikan të Shtetit, Ministri Fatmir Xhafaj u prit nga Matthew Palmer, i ngarkuar me detyrën e zëvendësndihmësit të Sekretarit të Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë.

Palmer vlerësoi progresin e jashtëzakonshëm sa i takon reformës në drejtësi, rezulatet e para të së cilës, ai i konsideroi vërtet inkurajuese, duke shtuar se “rezultatet konkrete në drejtim të nxjerrjes përpara drejtësisë të personave të dyshuar për korrupsion, krim të organizuar dhe trafiqe të paligjshme, janë prova konkrete për të ecur përpara me zbatimin e kësaj reforme”. Kjo sipas tij, është edhe pritshmëria e SHBA-ve dhe BE-së.

Ministri Xhafaj theksoi se reforma në drejtësi ishte projekti më ambicioz i ndërmarrë në Shqipëri. Ai e njohu z.Palmer me rezultatet e kësaj reforme, si dhe perspektivën e ngritjes së organeve të reja të parashikuara prej saj.

Ministri i Brendshëm theksoi se reforma në drejtësi është ngushtësisht e lidhur me reformat e ndërmarra në fushën e sigurisë. Në këtë kontekst, z.Xhafaj i prezantoi zyrtari të DASH-it, prioritetet dhe objektivat e Ministrisë së Brendshme, duke u ndalur veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar, kultivimit të kanabisit, korrupsionit dhe trafiqeve të paligjshme, operacionit “Forca e Ligjit”, me fokus goditjen e grupeve kriminale dhe aseteve të tyre, që ka filluar të japë rezultate konkrete.

Gjithashtu, Ministri Xhafaj informoi mbi procesin e ristrukturimit në Policinë e Shtetit, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me Vetting-un dhe Policimin në Komunitet.

Z.Palmer, vlerësoi aritjet e deritanishme të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, duke shtuar se është shumë e rëndësishme që ky proces reformash, për të cilat Ministria e Brendshme ka një rol kyç, duhet ta çojë vendin drejt hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian.

Ai shprehu besimin se reformat kurajoze të ndërmarra në fushën e drejtësisë dhe sigurisë dhe progresi konkret në zbatimin e tyre, janë ndër faktorët kyç që do të shërbejnë si garanci për vendimmarrjen e Komisionit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë gjatë muajve në vijim. Qëllimi ynë shtoi zoti Plamer, është “ta shohim Shqipërinë, të avancojë drejt BE”.

Pastrimi i parave jashtë Shqipërisë dhe zyrtarët e inkriminuar, Xhafaj kërkon ndihmën e DEA-s në SHBA

Në ditën e dytë të vizitës në Uashington, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, zhvilloi një takim me zëvendësdrejtorin e DEA (Agjencia për luftën kundër drogës), Anthony Williams dhe ekipin e tij të Drejtorisë Operacionale.

Ministri Xhafaj bëri një ekspoze të arritjeve në luftën kundër kultivimit të kanabisit duke u ndalur në masat dhe rezultatet e vitit 2017, të cilat bënë të mundur nxjerrjen e vendit nga harta e vendeve, që kultivojnë kanabis. Ai prezantoi disa nga masat kyçe të programuara për të garantuar këtë standard edhe gjatë vitit 2018.

XHAFA NE DEA SHBA

Ministri u ndal veçanërisht në punën e madhe të bërë nga strukturat e qeverisë dhe veçanërisht Policia e Shtetit, për të sensibilizuar fermerët dhe shoqërinë në tërësi, për pasojat negative që vijnë nga kultivimi i kanabisit.

Në vijim, ministri Xhafaj falënderoi DEA-n për bashkëpunimin dhe kërkoi një intensifikim të këtij bashkëpunimi në të ardhmen, i cili duhet të fokusohet në shkëmbimin më të shpejtë të informacionit, ndërmjet Policisë shqiptare dhe Zyrës Rajonale të DEA-s, në Athinë. Ministri kërkoi të rritet kapaciteti i kësaj zyre, duke patur një oficer të dedikuar për Shqipërinë, apo përmes intensifikimit të takimeve dhe operacioneve të përbashkëta, mes Policisë shqiptare dhe Zyrës Rajonale të DEA-s në Greqi.

Më tej, drejtuesve të Agjencisë amerikane iu paraqit një përmbledhje e punës së bërë në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, identifikimit dhe analizës së grupeve kriminale në fushën e trafikut të drogës, hetimeve ndaj veprimtarisë dhe aseteve të tyre kriminale.

Zëvendësdrejtori i DEA-s dhe Drejtori i Operacioneve, z.Williams u shpreh se “Plani i Veprimit dhe vetë operacioni “Forca e Ligjit”, është plani më i mirë i prezantuar ndonjëherë nga partnerët tanë të përbashkët, në luftën ndaj trafikut të drogës”.

Ai vlerësoi maksimalisht angazhimin e qeverisë dhe të Ministrisë së Brendshme shqiptare në luftën ndaj kultivimit dhe trafikimit të drogës, duke shtuar se “jemi të gatshëm të rrisim më tej bashkëpunimin mes agjencisë sonë dhe agjencive ligj-zbatuese në Shqipëri”.

Zoti Williams gjithashtu përgëzoi policinë shqiptare për rezultatet mbresëlënëse të këtij viti lidhur me sekuestrimin e kokainës dhe heroinës në territorin shqiptar, duke i konsideruar ato një sukses të merituar të organeve ligj-zbatuese shqiptare. Ai theksoi se “serioziteti i qeverisë dhe juaji personalisht si Ministër i Brendshëm në luftën kundër drogës dhe rezultatet e arritura, janë shumë të vlerësuara prej nesh”.

Përfaqësues të DEA-s në nivel drejtues operacional, u shprehën të gatshëm për të gjetur mënyrat e duhura për një bashkëpunim më të efektshëm dhe të shpejtë në këtë nivel, sa u përket hetimeve të përbashkëta të trafikut të drogës dhe aseteve kriminale të përftuara nga ky aktivitet, mbështetjen me teknika të zhvilluara për ndjekjen dhe dokumentimin e veprimtarisë kriminale në këtë fushë.

Gjithashtu u diskutua lidhur me mbështetjen që DEA mund të ofrojë për identifikimin e rrugëve të pastrimit të parave jashtë territorit të Shqipërisë dhe sigurimin e provave, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit për të zhvilluar hetime rreth transaksioneve financiare të këtyre grupeve kriminale, apo të personave zyrtarë të lidhur me ta.

Trajnimi i specialistëve të Policisë së Shtetit ishte pjesë e diskutimeve. Të dy palët shprehën vullnetin për të intensifikuar bashkëpunimin, si një mesazh i qartë i përpjekjeve për rezultate konkrete dhe të prekshme në vijim.

Në përfundim, u zhvillua një takim pune i ekipit të Policisë së Shtetit, drejtuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe drejtuesve të Drejtorisë Operacionale dhe Zyrës Rajonale në Athinë, ku u diskutua rreth operacioneve të përbashkëta që janë në proces, ndërmjet dy agjencive, si dhe u prezantuan disa operacione të reja për të cilat u kërkua bashkëpunimi me DEA-n.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura