Xhafaj ka të drejtë, ka klientelizëm, mungesë paanësie, paragjykime dhe dy standarde në KED!?

SHPËRNDAJE

petritvasili

Nga Petrit Vasili

Fatmir Xhafaj në një interviste të tij të fundit flet qartë, duke pohuar integritetin e tronditur të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Në vendimet e KED-se ka spikatur klientelizmi, vendimet e paragjykuara, mungesa e përgjegjshmërisë, mungesa e paanësisë dhe më e keqja fare dy standardet siç pohon me kurajo edhe Xhafaj.

Them me kurajo sepse kori i reformës në drejtësi, i prirë nga injoranca e kapja e Edi Ramës dhe i ca të huajve si ai, kanë mohuar egërsisht çdo vërejtje e shqetësim lidhur me reformën në drejtësi dhe funksionimin e organeve të reja të qeverisjes së drejtësisë.

Xhafaj ka drejtuar Komisionin Parlamentar të Reformës në Drejtësi.

Në atë komision fjalët integritet dhe paanshmëri si dhe refuzimi total i klientelizmit, koorporatizmit dhe i dy standardeve ishin refren i pafund gjatë gjithë funksionimit të tij.

Reforma kishte shtysë madhore të saj pikërisht betejën pa kompromis për arritjen e integritetit dhe moralit të ri të institucioneve të drejtësisë, cilësi të cilat institucionet e vjetra nuk i zotëronin.

Por sot kur Xhafaj përshkruan me objektivitet KED-në si institucion, ku morali dhe logjika e vjetër rrënuese është aty mu brenda saj, a mund të flitet për integritet të saj?

Ndërkohë që KED ka përgjegjësinë shumë të madhe kushtetuese që të bëjë përzgjedhjen rreptësisht objektive dhe ligjore të të gjithë kandidatëve, që do të jenë pjesë e institucioneve kyç të drejtësisë në nivelin më të lartë të saj.

Çfarë drejtësie e re mund të linde nga një KED që vuan nga klientelizmi, paragjykimet dhe dy standardet?

Sigurisht do të lindë një drejtësi dhe institucione që riciklojnë drejtësinë e vjetër.

Si të tilla cilësia e vetme e këtyre institucioneve, gjoja të reja të drejtësisë, është se janë institucione të kapura nga rilindja.

Ndaj konstatimet e Xhafajt janë të mjaftueshme që shkollëpaku Edi Rama të mos flasë më për drejtësinë e re.

Për fat të keq shumë pak ka mbetur nga reforma e 21-22 korrikut.

Puritanizmit ekstrem të predikuar të saj ja ka zënë vendin një akraballëk dëshpërues.

Shpresoj sinqerisht që Xhafa të ndjejë një keqardhje të vërtetë për shpërbërjen e reformës dhe të atij produkti, të cilit i kanë rënë në tokë të gjitha afatet kushtetuese e bashkë me to edhe morali, pasi mbretërimi i dy standardeve është edhe përjashtimi i reformimit dhe ringjallja e drejtësisë së vjetër me fytyre të re.

E nisur me kredon për të fiksuar gjithçka në ligj e kushtetutë dhe për të evituar interpretimet subjektive, përkundrazi reforma aktualisht është katandisur në një tërësi arnash e mballomash interpretimesh antikushtetuese afatesh, procedurash e figurash që “kryeveprën” e arriti me shpikjen e prokurorit të përgjithshëm të përkohshëm.

Një kurajo të tillë të marrë për të shkelur ligjin nuk e pati kurrë as drejtësia e vjetër.

Implementimi kaq mjeran dhe propagandistik i reformës në drejtësi ka bërë, që ajo të humbasë tërësisht besimin e publikut, i cili i sheh me indiferencë dhe me dëshpërimin e shuarjes së një iluzioni të bukur dhe riinstalimit të një drejtësie me moral dhe integritet më të ulët se ajo që u tentua të lihej pas.

Shumë qytetarë për fat të keq përballë kapjes dhe kaosit në drejtësi po thonë “ishte më e mirë kur ishte më keq”.

Megjithatë sinqeriteti i Xhafajt mbase është një demonstrim i ndrojtur reflektimi që edhe si i tillë mbetet i dobishëm.

Lexoni përgjigjen e Xhafajt në intervistën e tij:

PYETJE:

“Keni ju besim te KED aktuale”?
PËRGJIGJE Xhafaj:

“Në vlerësimin tim, nga çfarë kam konstatuar për aq sa është bërë publike, disa anëtarë të KED nuk kanë dëshmuar përgjegjshmëri dhe paanësi në qëndrimet dhe vendimmarrjet përkatëse lidhur me procesin e vlerësimit të kandidaturave për Gjykatën Kushtetuese dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë. Përjashtimet nga gara për disa kandidatë, duhet thënë se s’kanë qenë bindëse dhe me vendimmarrje shumë të diskutueshme. Në disa nga vlerësimet e bëra prej tyre, konstatoj qëndrime klienteliste dhe të paragjykuara për shkak të raporteve personale dhe në ndonjë rast edhe qëndrime me dy standarde.”

Te lidhura


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.