Xhafaj flet për urdhërarrestin ndërkombëtar të vëllait: Çfarë më rezulton nga të dhënat që kam

May 16, 2018 | 19:19
SHPËRNDAJE

UPDATE/Pas akuzave të shumta nga opozita dhe zhvillime të fundit politike Xhafaj ka dal sot një deklaratë për mediat, ku ka sqaruar opinionin publik.

Në këtë konferencë ai ka sqaruar akuzat dhe ka folur në ka pasur ndonjë herë urdhër arresti ndërkombëtar, për vëllain e tij.

Pyetja dhe përgjigja

A ka qenë në kërkim ndërkombëtar dhe pse nuk ka pasur një hetim për këtë çështje?

Sipas të dhënave që kam nuk ka pasur kurrë një kërkim ndërkombëtar, nga pala italiane. Për sa i përket hetimit nuk jam pjesë e çështjen.

agron xhafaj fatmir xhafaj

Xhafaj flet për familjen dhe nënën: Sot Agroni do të vuajë një dënim

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka dal sot një konferencë urgjente për shtyp.

Në konferencën e tij, ai ka folur për akuzat që i janë bërë nga opozita dhe ka sqaruar opinion publik, për ato që ai i quajti sulme dhe shantazhe.

Xhafaj tha se  nuk ka pasur dëshirë që të merrej me opozitën, por ka qenë i detyruar në këtë dalje për mediat që të sqarojë opinion publik.

xxx

Pjesë nga deklarata

Shumë kanë folur këto ditë në emër të ligjit dhe të moralit, në lidhje me pozicionin tim si Ministër i Brendshëm, në raport me një vendim penal të drejtësisë italiane për vëllain tim Agron Xhafaj, si dhe kundrejt një bisede të tij me një “bashkëpunëtor X” për trafik droge.

Nëse do të ishte për një pjesë të atyre (për të mirën e përbashkët janë të pakët në numër) të cilët këto ditë, në kohë të ndryshme, në vende të ndryshme dhe në mënyra të ndryshme, në lidhje me këtë raport të sipërcituar, janë rrekur të më tregojnë ligjin dhe të më vendosin përballë pasqyrës së moralit, unë sot, sot e gjithherë, nuk do të denjoja të shpenzoja kohë, energji, të paktën kështu si po e bëjë tani.

Sharlatanët politik dhe të çdo lloji tjetër, shpifësit dhe spekulantët politik dhe të çdo lloji tjetër, shantazhuesit politik dhe ata të çdo lloji tjetër, intrigantët politik dhe të çdo lloji tjetër dhe shkelësit e ligjit, të gjithë së bashku, për asnjë shkak dhe për asnjë arsye morale, apo më shumë akoma për arsye ligjore, nuk e meritojnë asnjëherë t’u respektosh kërkesën për shpjegime kundrejt tyre. Bërë kështu edhe kur je funksionar publik dhe i mveshur me detyrimin për shpjegime.

Disa prej kategorive më sipër, meritojnë injorim dhe përbuzje dhe të tjerët ballafaqim të plotë me ligjin dhe përballje me pasojat që prodhon veprimi dhe forca e ligjit kundrejt tyre, për çfarë ata në shkelje të ligjit kanë bërë.

Si funksionar i lartë publik, si përfaqësues politik i interesave publike e qytetare, po e vendos sot veten time në pozicionin natyror të llogaridhënësit, vetëm në respekt të plotë të së drejtës legjitime që kanë qytetarët e ndershëm të këtij vendi, për t’i kërkuar shpjegime çdo zyrtari publik.

Si Ministër i brendshëm i akuzuar si “i lidhur përmes vëllait tim me trafikun ndërkombëtar të drogës”, obligimi im për sqarime dhe shpjegime kundrejt opinionit publik, bashkëpunëtorëve të ndryshëm vendas dhe të huaj, bëhet edhe më detyrues.

Ndaj qytetarët e këtij vendi kanë gjithë të drejtën që fort të kërkojnë të dinë kush është Ministri i tyre i Brendshëm? Si qëndron e vërteta për akuzat që bëhen për të?

Serioziteti dhe përgjegjësia institucionale e ligjore që i mvesh vetes sa herë që mbaj një zyrë publike, më detyrojnë që këtë shpjegim ta bëja në mënyrë profesionale bazuar në fakte dhe prova. Vetëm pasi ndërmora të gjitha iniciativat përkatëse ligjore dhe personale dhe përfundova marrjen e çdo informacioni të nevojshëm për këtë shpjegim, i paraqitem sot opinionit publik për sqarime, sa më poshtë vijon :

Lidhur me çështjen e dënimit të vëllait tim Agron Xhafaj.

Sic është e njohur vëllai im ka marrë një dënim penal në Itali. I përgjegjshëm përballë qytetarëve dhe zgjedhësve të mi disa herë kam bërë deklarime publike në lidhje me këtë çështje. Kushdo që dëshiron të verifikoj vërtetësinë dhe koherëncën e tyre në vite mund ta bëj lehtësisht.

Në interes të momentit, por e ri-sjell publikisht këtë çështje.

Ngjarja ka ndodhur në vitet 2002. Vëllai im ka qenë rreth 25 vjeç në atë kohë. Autoritet italiane e kanë ndaluar për rreth 1 muaj dhe e kanë liruar duke urdhëruar largimin e tij nga Italia.

Në atë kohë, unë kam qenë ministër i turizmit në qeverinë me Kryeministër z. Pandeli Majko. I pa detyruar nga ndonjë normë kushtetuese, apo ligjore, në respekt të moralit, i kam kërkuar kryeministrit të kohës dorëheqjen.

Duke vlerësuar qëndrimin tim dhe pozitën time, në lidhje me këtë ngjarje, si dhe pasi u shqyrtuan rrethanat dhe shkalla e implikimit të vëllait tim në këtë ngjarje, përfshi dhe konsultimin me autoritetet përkatëse italiane, Kryeministri Majko nuk e pranoi dhe e refuzoi dorëheqjen time.

Ju garantoj dhe për këtë janë të gjitha faktet, se vëllai im jo vetëm për asnjë çast nuk ju fsheh hetimit dhe gjykimit, por në mënyrë të vazhdueshme, ka kërkuar të marri pjesë në gjykimin e kësaj çështje në të gjitha nivelet e gjykimit.

Edhe pse vendimi përfundimtar ka vite që është në fuqi, vëllai im asnjëherë nuk ju fshehë autoriteteve. Asnjë veprim imi, jo vetëm sot si ministër, por edhe më parë nuk ka krijuar imunitet, apo favor kundrejt ekzekutimit të vendimit.

Unë asnjëherë si funksionar publik dhe më shumë akoma si Ministër i Brendshëm, nuk kam bërë kompromis me faktin se vëllai im nuk do të duhej të vuante dënimin e dhënë.
Edhe pse ajo çfarë ai bëri shumë vite të shkuara qëndron në një shpërpjesëtim të madh me dënimin e dhënë dhe me gjendjen e sjelljen e tij të re në jetë.

Si një vëlla i përgjegjshëm unë kam bërë gjithë çfarë kam patur në dorë, që im vëlla të kthehej në personin që është i denjë për vlerat e familjes tonë. Vlera për të cilat, unë jam krenar dhe më kanë ndriçuar mua në rrugën time të jetës dhe atë të politikanit. Dhe im vëlla shumë shpejt ju rikthye normalitetit. Mbaroi arsimin e lartë, krijoi familje dhe ndërtoi jetën e vetë bazuar në mund dhe djersën e tij.

Ai as kërkoi, dhe asnjëherë vëllai i tij, politikani Fatmir Xhafaj, nuk i krijoi favore, apo privilegje në shkelje të ligjit. ASNJË !

Sot unë dhe gjithë familja ime jemi të goditur shumë fort shpirtërisht. Dhe vuajtja shpirtërisht peshon më shumë për faktin se dënimin po shkon ta vuajë një Agron që nuk ka asnjë lloj lidhje me Agronin e 16 viteve të shkuara.

Ne do të gjejmë forcë dhe kurajo për ta përballuar këtë situatë të pazakontë familjare, për tja bërë sa më të lehtë e sa më të përballueshme nënës, bashkëshortes dhe sidomos dy fëmijëve të tij në moshë të vogël, përkatësisht 15 dhe 11 vjec. Faleminderit të gjithë familjarëve dhe miqve tanë të shumë që ju janë gjendur atyre pranë në këto momente të vështira !

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura