Xhafaj flet për të shkuarën: Kam qenë gjyqtar dhe hetues. Fotoja me Enverin më argëton

Sep 18, 2017 | 21:23
SHPËRNDAJE

Ministri i ri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka folur ditën e sotme në “Tonight” për të shkuarën e tij në sistemin komunist.

Xhafaj ka thënë se ai ka qenë vetëm 30 vjeç kur ra sistemi dhe se ai ka qenë hetues në kohën kur hetuesia ishte pjesë e sistemit të drejtësisë dhe jo të Ministrisë së Brendshme.

Gjithashtu,. Xhafaj ka thënë se ai argëtohet kur sheh foton e tij me Enver Hoxhën dhe se gjithmonë mendon se sa i ri ka qenë në atë kohë.

“Kur është ndryshuar sistemi unë kam qenë vetëm 30 vjeç. Kam mbaruar Juridikun në 82-shin. Kam punuar pak si jurist dhe gjyqtar.

Kam qenë edhe hetues, por jo në Ministrinë e Brendshme, por hetues pranë Prokurorisë, pra kur ishte pjesë e sistemit të Drejtësisë.

E di që ka pasur akuza për hetime politike, unë ju them që në mënyrë kategorike nuk kam hetuar apo gjykuar çështje politike.

Për këtë jam shumë i qetë dhe koha ka qenë shumë e shkurtër. Si shumë njerëz mund të kem bërë gabime në jetë, por nuk kam asgjë për të cilën të ndihem keq në jetë”, ka thënë Xhafaj.

Intervista e plotë pjesa 1

Ilva Tare: Mirëmbrëma Ministër Xhafaj, mirë se keni ardhur?

Fatmir Xhafaj: Mirëmbrëma dhe mirë se ju gjeta.

Ilva Tare: Ju vura re sot që ju dorëzuat rrjeteve sociale dhe hapët një llogari në Tëitter?

Fatmir Xhafaj: Po, e vërtetë është. Nuk kam pasur kurrë llogari të kësaj natyre – qoftë në Twitter, qoftë në Facebook. Por me sa pashë nuk rezistoja dot më. Dhe jam i detyruar që për efekt dhe të komunikimit, transparencës me publikun, ta bëja këtë hap.

Ilva Tare: Dhe si ishte ekperienca?

Fatmir Xhafaj: Ishte një impresion interesant. Sa të mësohem.

Ilva Tare: Do ju shohim më shumë prezent në Tëitter apo në media? Keni bërë një zgjedhje të strategjisë së komunikimit si Ministër i Brendshëm?

Fatmir Xhafaj: Jo. Do të vazhdoj të qëndroj pak në media por shumë në komunikim me publikun. Kështu që Tëitter do jetë një mundësi për të bërë një transparencë shumë më të shpejtë në raport me publikun por dhe me partnerët. Dhe kjo është shumë e rëndësishme gjithashtu. Sepse pata rastin, me një homologun tim gjatë verës, të bisedoja për çështje që kishin të bënin me funksionin, detyrën, përgjegjësinë e Ministrit të Brendshëm. Dhe një nga gjërat që pyeti ishte nëse kisha apo jo komunikim përmes Tëitter apo Facebook-ut. Dhe një nga këshillat që më dha ishte pikërisht domosdoshmëria për ta pasur. Por dua të qëndroj deri këtu, jo më shumë.

Ilva Tare: Do ju mjaftojnë 140 gërma për të përcjellë mesazhin që keni për punën e Policisë?

Fatmir Xhafaj: Po besoj se nuk është e vetmja mënyrë për të komunikuar me qytetarët, e më pas edhe me struktura dhe me partnerët. Ka shumë mënyra për ta bërë këtë gjë, nëse dëshiron të jesh sa më transparent. Sepse transparenca natyrisht është një element në dobi të efikasitetit dhe rezultatit, mendoj unë.

Ilva Tare: Ministri Xhafaj, kam shumë pyetje dhe nuk do ndalem gjatë tek Tëitter-i. Pyetja e fundit lidhur me të. Ishte një përgjigje dhe për akuzat e Opozitës sot ky reagimi në Tëitter, apo nuk ishte aq? Ngaqë i falenderuat “të gjithë për mbështetjen, po nisim një punë frytdhënëse në zbatim të ligjit”. Mos ishte një mënyrë elegante për t’iu përgjigjur dhe opozitës?

Fatmir Xhafaj: Jo. Opozita të them të drejtën (ose disa individë prej saj) më kanë bërë reklamë falas. Që të jem i sinqertë. Unë nuk kam marrë kurrë kaq shumë mesazhe. Dhe ka një përkim të çuditshëm. Edhe gjatë kohës që ishte reforma në drejtësi, edhe në mars, edhe tani, në momentet që më kanë sulmuar më shumë, unë marr më shumë telefonata dhe mesazhe se asnjëherë tjetër. Nuk e di pse ndodh kjo – dhe do t’i kërkoj dikujt ta studiojë sinqerisht. Por është momenti kur kam mesazhe dhe telefonata pa fund.

Ilva Tare: Po çfarë ju thonë?

Fatmir Xhafaj: Janë mesazhe mbështetëse. Sidomos kur ka qenë reforma në drejtësi, kanë qenë të jashtëzakonshme. Madje shpeshherë iu kam thënë kolegëve të mi që sikur t’i mblidhja të gjithë mesazhet që kam ruajtur nga njerëzit e të bëja një libër, do ishte shumë interesante. I kam ruajtur këto të njerëzve të thjeshtë. Janë shumë interesante, mbresëlënëse, por mund të nxjerrësh dhe shumë mësime.

Ilva Tare: Megjithatë besoj është ende herët për të folur për kujtime tuaja. Keni 4 vite mandat përpara.

Fatmir Xhafaj: Pa dyshim. As nuk jam viktimë e kujtimeve. Por për sa i përket të qenit korrekt për Reformën në Drejtësi, po mendoj diçka. E kam gati diçka. E kam një lloj detyrimi për ta botuar. Jo më shumë ndaj vetes, se sa ndaj atyre njerëzve që kanë kontribuar dhe kanë lënë shenjë në këtë proces. Në mënyrë të veçantë grupit të bashkëpunëtorëve, njerëzve në shoqërinë civile, media dhe patrnerëve

Ilva Tare: Do jetë një rrëfim personal si e keni përjetuar ju atë betejë të Reformës në Drejtësi, apo një përmbledhje e të gjithë punës?

Fatmir Xhafaj: Do jetë diçka mikse. Dhe dikush që kam pasur mundësinë t’ua tregoj – më saktë pjesëtarëve të familjes dhe dy-tre bashkëpunëtorëve të mi – e kanë konsideruar një gjetje interesante. Nuk e di a do kem kohë për ta përfunduar apo jo, ky është realisht problem.

Ilva Tare: Katër muaj shkëputje nga Ministria e Brendshme. Ndiheni sikur kanë lëvizur pak gjërat, ju kanë dalë nga kontrolli, apo është gjithçka e rimarrë shpejt?

Fatmir Xhafaj: Jo. Sepse nuk e shoh si çështje kontrolli. E shikoj si çështje drejtimi, udhëheqjeje dhe ushtrimi të përgjegjësisë. Për aq kohë sa unë e kisha atë detyrë, ushtrova përgjegjësinë politike, kushtetuese dhe institucionale. Në kohën që nuk e kisha thjesht më mbetej për ta vëzhguar nga larg dhe natyrisht sot jam rikthyer me të gjithë përgjegjësitë e mia për ta përmbushur më së miri.

Ilva Tare: MInistër Xhafaj, a keni një objektiv madhor kryesor gjatë këtij mandati si Ministër i Brendshëm?

Ministri Xhafaj: … Një objektiv… natyrisht, nëse do ta përmblidhja në një fjali, do ta fokusoja te një moto, zbatim i fortë i ligjit dhe shërbim ndaj qytetarit. Kurse përtej kësaj më duhet të them se kam punuar gjatë gjithë kësaj kohe me bashkëpunëtorët e mi, edhe me shumë ekspertë për përgatitjen e një dokumenti politik në të cilin janë mirëpërcaktuar qartë 10 prioritete kyçe ku do të fokusohet drejtimi i punës sime në udhëheqje të Ministrisë së Brendshme në ushtrim të përgjegjësive të mia kushtetuese dhe ligjore.

Ilva Tare: Ka qenë një dokument politik, thatë?

Ministri Xhafaj : Dokument politikash lidhur me prioritetet, objektivat dhe masat ku do të fokusohet puna në vazhdim. Për të shkuar deri te ky dokument i cili sot mund të konsideroj që është një draft që është formësuar qartë, është i konturuar mirë, por është ende në proces për t’u bashkëshoqëruar me një plan-veprimi që do të përcaktojë masat dhe veprimet konkrete, indikatorët matës të rezultatit, përgjegjësitë, afatet kohore dhe pritshmëritë rreth tyre.

Në funksion të saj, nuk ka qenë një punë e lehtë, dua të them diçka që nuk ka qenë shumë publike, kam punuar shumë jashtë vëmendjes së kamerave, kontakteve me median. Kemi pasur shumë takime, disa takime, me prokurorë, të cilët i kam ftuar që të japin përshtypjet, komentet, vlerësimet e tyre, propozimet, sugjerimet ku ata mendojnë se duhet të përmirësohet puna e policisë; me punonjës të policisë të strukturave dhe niveleve të ndryshme, të eksperiencave të ndryshme, të moshave të ndryshme; me aktorë të shoqërisë civile që janë të fokusuar në veprimtarinë e organizatave të tyre në çështje të rendit dhe sigurisë; me gazetarë të kronikës dhe gazetarë investigativë dhe pa dyshim, me partnerët. Kemi punuar ngushtësisht me partnerët. Jam shumë i lumtur për faktin se kam marrë prej tyre kontribute të drejtpërdrejta për dokumentin dhe e shoqëruar kjo edhe me mbështetje konkrete për mënyrën se si do t’i qasemi bashkarisht disa çështjeve themelore që ka ky dokument.

Ilva Tare: Kur do të bëhet publike?
Ministri Xhafaj: Dokumenti siç thashë, do të bëj një rikalim gjatë kësaj jave dhe javës që vjen përsëri te partnerët, për shkak se ka një gjë shumë pozitive që jo vetëm përfaqësuesit e tyre këtu në Tiranë, por ata kanë kërkuar që edhe zyrat qëndrore të tyre, nga ata vijnë, të shprehen rreth këtij dokumenti pasi e konsiderojnë një gjë vërtet të dobishme, edhe në kuadrin e bashkëpunimit dypalësh apo shumëpalësh dhe besoj që brenda harkut të 2 javëve do të jetë një dokument që do të prezantohet në publik dhe ndoshta do të shënojë fillimin e një sërë veprimesh konkrete të rëndësishme në detyrën time si ministër, por edhe të ekipit që do të punojë me mua gjatë kësaj kohe.

Ilva Tare: A do t’i prekim disa nga këto prioritete besoj sot, apo janë ekskluzive e janë sekrete ende deri sa të bëhen publike?

Ministri Xhafaj: Për aq sa do të mundem, patjetër…

Ilva Tare: MInistër Xhafaj, ju thatë që keni marrë mbështetje sidomos kur ju ka sulmuar opozita. Por në fakt ju dhe miku juaj Gramoz Ruçi keni qenë më të sulmuarit nga opozita veçanërisht gjatë debatit që u bë për miratimin e qeverisë? A keni një shpjegim, pse ky sulm kundër jush?

Ministri Xhafaj: Jo nuk është hera e parë, kështu sulmet më të mëdha realisht kanë qenë realisht në periudhën kur filloi të formësohet reforma në drejtësi, ato kanë qenë sulmet më të egra, të dukshme dhe të padukshme. Ka qenë një bashkim i disa grupeve e interesave politike, njerëzve që vinin nga sistemi dhe njerëz të biznesit të cilët janë bashkuar bashkë për të sulmuar politikisht, por edhe për të ushtruar një lloj presioni në të gjithë atë ndërmarrje të jashtëzakonshme.

Ilva Tare: I keni kategorizuar si sulme politike dhe nuk ndiheni i prekur nga to, ne lidhje me të shkuarën tuaj politike?

Ministri Xhafaj: Absolutisht, absolutisht nuk kam asnjë gjë që të më provokoj. Natyrisht kur ndeshesh me qëndrime apo reagime të kësaj natyre, janë më shumë të karakterit personal sesa të nevojës për të debatuar apo për t’u ballafaquar apo për t’u përplasur. Pikëpamje të ndryshme; nuk ndjehesh mirë, por në fund të fundit ky është një realitet i hidhur i shoqërisë shqiptare, në mënyrë të veçantë i politikës shqiptare, akoma në mënyrë më specifike i disa njerëzve që e kanë ndërtuar gjithë karrierën e tyre mbi prodhimin, hedhjen dhe shpërndarjen e baltës për cilindo dhe ngado.

Ilva Tare: A mund ta ndani me teleshikuesit e kësaj studioje se cila ka qenë e shkuara juaj në periudhën e komunizmit? E di që janë shumë, por nëse mund ta përmblidhni.

Ministri Xhafaj: Jo. Jo.

Ilva Tare: Është me interes publik.

Ministri Xhafaj: Nuk ka ndonjë gjë të veçantë. Të kuptohemi, kur është ndryshuar sistemi unë kam qenë vetëm 30 vjeç. Kam mbaruar Juridikun në vitin `82.

Kam punuar për disa kohë jurist, ndihmës-këshilltar ligjor, gjyqtar. Dhe pastaj kam punuar, për pak kohë, gati një vit e pak hetues, por jo hetues në Ministrinë e Brendshme, siç mundohen ta paraqesin. Kur në momentin, – për të gjithë ata që nuk e njohin, -që hetuesia ka qenë pjesë e sistemit të drejtësisë, pra pranë Prokurorisë. Ashtu siç do të konsiderohen sot, e thënë në terminologji, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, që do të jenë pranë SPAK-ut. E di që ka pasur disa akuza lidhur me, nëse kam marrë pjesë, kam hetuar apo gjykuar çështje të karakterit politik. E kam dhënë një përgjigje publike. ju zakonisht i kërkoni këto për herë të dytë, për herë të tretë. Por meqë më pyetët, po them në mënyrë kategorike, në mënyrë kategorike, në asnjë rast nuk kam hetuar apo gjykuar një çështje të karakterit, të natyrës politike. Në mënyrë kategorike.

Për këtë jam shumë, shumë, shumë i qetë dhe i qartë. Edhe vetë koha ka qenë shumë e shkurtër, edhe si gjyqtar, edhe si prokuror, edhe për detyrën e hetimit.. Por jam sot edhe i vetëdijshëm përse ka ndodhur gjithë kjo histori e sajuar. Ajo që është më e keqja është një histori e sajuar. Janë tentuar të korruptohen apo të shfrytëzojnë njerëz të caktuar thjesht dhe vetëm për të më sulmuar politikisht. Është shumë e turpshme, është shumë banale. Disa prej tyre më kanë shkruar. Janë ndjerë keq. Kanë shkruar drejtpërsëdrejti, por që janë përdoruar ata ose të afërmit e tyre. E di shumë mirë edhe nga ka ardhur gjithë kjo dhe kush është angazhuar për këtë gjë dhe çfarë kanë premtuar për ta bërë këtë gjë. Por kjo është shumë e parëndësishme. Është farë e parëndësishme.

Dua të them që unë si shumë njerëz, mund të ketë gjëra që kam bërë gabime në jetë, me gjithë këtë jetë të gjatë dhe jo pak të gjatë, por nuk ka asnjë gjë për të cilën të ndjehem keq. Përkundrazi nuk ka asnjë gjë që të më bëjë sot që të ndjehem keq. Jo thjesht dhe vetëm përpara qytetarëve, por edhe individit vetë. Se përsa i përket veprimeve politike…, këto budallallëqe që s’meritojnë më shumë se kaq.

Ilva Tare: Po kur shikoni foton tuaj afër ish-diktatorit Hoxha që publikohet herë pa here, ua riciklojnë edhe atë. Si ndjeheni?

Ministri Xhafaj: Është thjesht një kujtim i së shkuarës.

Ilva Tare: Ju bezdis fakti që e publikojnë? Ju nuk jeni i vetmi, në fakt, që është aktualisht aktiv në politikë që ka foto me Enver Hoxhën.

Ministri Xhafaj: Jo, jo fare. Bëjnë pjesë në arkivin e jetës time. Kaq, asgjë më shumë. Argëtohem ndonjëherë, rri dhe shikoj veten si kam qenë.

Ilva Tare: Nuk është e vetmja akuzë lidhja, angazhimi juaj në kohën e komunizmit. Edhe akuza personale ju kanë ardhur nga opozita që gjithashtu ju janë rikthyer shpesh herë në vëmendje, sidomos me vëllain tuaj. A keni ndonjë shpjegim pse rikthehen këto akuza dhe a keni menduar ndonjëherë ta çoni në organet e drejtësisë për t’i dhënë përfundimisht një përgjigje.

Ministri Xhafaj: Kam 15 vite që merrem me këtë histori. Kam 15 vite që më mbajnë të njëjtin avaz. Është çështje e tyre, nuk është çështja ime. Unë kurrë në jetën time nuk jam marrë me familjarët e kurrkujt dhe as nuk kam ndërmend të merrem ta bëjë një gjë të tillë. Unë nuk jam këtu në politikë për tu marrë me familjarët e kundërshtarëve të mijë politikë. Unë jam këtu për të bërë detyrën time, për të shfaqur përgjegjësitë e mia dhe ata i shikoj si konkurrent dhe jo si armiq. Të jem i sinqertë, e kam thënë dhe nuk merrem më me këtë histori se është thjesht një histori përbaltje. Natyrisht kam një lloj keq ardhje për të sepse, kur shikoj nënën, kunatat, nipërit mbesat që cenohen nga e gjithë kjo që për shkak të qenies time në politikë apo për shkak rolit tim aktiv në politik, detyrohen që të mbajnë mbi vete disa sulme të tilla të egra të kësaj natyre që ja vështirësojnë jetën dhe ja bëjnë të pakuptimtë. Por gjithsesi është një kosto që duhet ta paguaj sa kohë që bashkëjetoj me këtë lloj politike që bëhet sot në Parlamentin shqiptar dhe në përgjithësi nga kundërshtarët politik. Natyrisht është edhe pak hipokrite e gjithë kjo histori, kur e shikoj këtë që sulmohem për të kaluarën time politike nga disa njerëz që kanë njolla të errëta pikërisht në të djeshmen e tyre dhe për më tepër kur shikoj sot që flasin për familjarët e mi, njerëz që do të duhet të flasin për përgjegjësitë e tyre, për krimet që kanë… për abuzimet që kanë bërë në raport me qytetarët e këtij vendi.

Ilva Tare: Ata mbase nuk kanë pse flasin. Duhet të flasin institucionet e shtetit shqiptar.

Ministri Xhafaj: Kjo do të duhej të ishte logjika dhe ajo që do të duhet të….. Shiko, Ministër i Brendshëm apo deputet jam bërë unë, nuk janë bërë familjarët e mi. Ajo që nuk arrijë të kuptojë ndonjëherë është, ku jam unë këtu? Që do të thotë: Do të duhej që ata të më vlerësonin mua për atë që bëj unë, për atë që shfaq unë, për përgjegjësitë e mia në raport me detyrën dhe ligjet e shtetit. Në fakt ndodh e kundërta. Nuk merren me mua, por merren me familjarët e mi. Nuk merren me mua dhe jam i bindur pse nuk merren me mua. Se nuk kanë çfarë të merren me mua. Dhe për këtë gjë jam shumë krenar në jetën time. Unë jam qenë disa herë funksionar i lartë zyrtar. Kam qenë Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Kam qenë Ministër i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit. Kam qenë Ministër i Drejtësisë, jam aktualisht Ministër i Brendshëm dhe nuk ka një dritë hije në gjithë karrierën time në raport me përgjegjësitë e mia, politike kushtetuese dhe ligjore. Nuk gjendet qoftë një rast i vetëm që ta kem ngritur karrierën time apo të kem ushtruar detyrën time në shkelje të ligjit apo në çfarë do lloj abuzimi sa do të vogël, dhe për këtë gjë unë jam shumë krenar.

Ilva Tare: Pyetja e fundit për këtë pjesë, sepse dua të hyjë në çështjet e Ministrisë së Brendshme. Kur u dekretuat për herë të parë Ministër i Brendshëm, Presidenti i Republikës në atë kohë Bujar Nishani foli në konferencë dhe tha se të ishte për të nuk do të ishte dekretuar, por nuk ja lejonte kushtetuta ta bënte këtë. Si e vlerësoni këtë qëndrim?
Ministri Xhafaj: Meqenëse më pyetët, unë dua të them që unë kam respekt për institucionet sepse jam vetë zyrtarë. E respektojë vetë detyrën dhe kam respekt për institucioni e Presidentit edhe kur në atë funksion ulen njerëz që nuk e meritojnë. Në atë rast, nuk besoj se ka folur Presidenti i Republikës, por ka folur ushtari politik Bujari. Mua nuk më intereson Bujari, më intereson Presidenti.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura