Xhafaj flet për shantazh nga PD, i bën thirrje Prokurorisë: Hetoni sa më shpejt mbi…

Sep 21, 2018 | 8:17
SHPËRNDAJE

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i kërkoi Prokurorisë së Përgjithshme të angazhohet seriozisht me akuzat e opozitës, duke kujtuar se çdo ditë nga foltorja e PDsë shantazhohet ministri i Brendshëm dhe Kryeministri i vendit.

xhafaj

 

Qëndrimi i ministrit të Brendshëm erdhi pas akuzave të vazhdueshme të opozitës për lidhje të kompanive të basteve me familjarë të Ramës dhe Xhafës.

“Kam gjithë të drejtën institucionale, por edhe atë personale që t’i bëj publikisht thirrje ndërgjegjes profesionale të përfaqësuesve të organit të Prokurorisë së Republikës, që në këtë situatë të angazhohen seriozisht për të marrë të gjithë përgjegjësitë që ligji iu ngarkon dhe të ushtrojnë kompetencat ligjore përkatëse për të hetuar sa më shpejt mbi këto deklarime. Ne nuk mundet të vazhdojmë më me këtë situatë, ku pa mbajtur asnjë lloj përgjegjësie ligjore, çdokush mundet të mashtrojë publikisht, të shpifë si të dojë dhe për çfarë të dojë, apo akoma më keq të shantazhojë çdo njeri të thjeshtë dhe më shumë akoma një funksionar të lartë publik sikurse është ministri i Brendshëm apo Kryeministri i vendit”, tha Xhafaj.

AKUZAT

Ministri i Brendshëm mohoi në mënyrë kategorike përfshirje të familjarëve të tij në biznesin e lojërave të fatit, akuza në të cilat sipas Xhafajt është përfshirë edhe Kryeministri Rama.

“Në mënyrën më të pacipë, këta përfaqësues shpifin dhe mashtrojnë hapur kur thonë se familjarë të mi janë pronarë direkt apo indirekt të një apo disa kompanive të lojërave të fatit, kompani këto të lidhura apo pronë e krimit të organizuar, pa dhënë asnjë fakt të vetëm konkret se ku e qysh provohet një gjë e tillë direkt apo edhe indirekt. Dhe si gjithmonë, për ta bërë edhe më të trashë mashtrimin, se edhe në këtë rast janë komplet pa fantazi dhe qesharakë, përfshijnë në këtë lloj afere edhe familjarë të Kryeministrit. Me përgjegjësi ligjore dhe politike personale, deklaroj se çfarë këta mashtrues recidivistë kanë deklaruar për mua dhe familjen time në lidhje me pronësinë direkte apo indirekte në këto kompani dhe/ose favorizim apo përfitime të mundshme prej meje, direkte apo indirekte qofshin, nga aktiviteti i tyre është, në rastin më të mirë, paaftësi për të luajtur rolin e një opozite serioze parlamentare në një vend demokratik”, u shpreh ministri i Brendshëm.

VETINGU

Qëllimi kryesor i vetingut në politikë që kërkon opozita, sipas ministrit Xhafaj është sabotimi i Reformës në Drejtësi. Për Xhafajn, kjo iniciativë është kaotike. “I ashtuquajturi veting i politikës, i prezantuar me pompozitet nga drejtuesi i opozitës dhe ca më keq nga disa individë përfaqësues të saj të njohur për qëndrimet e tyre militante dhe si kundërshtarë publikë të Reformës në Drejtësi, jo vetëm që është një ide kaotike dhe qartazi propagandistike, por ajo synon, me dashje apo pa dashje, sabotimin e Reformës në Drejtësi”, tha Xhafaj

Fjala e plote e Xhafajt 

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim notash që përditëson marrëveshjen, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Zyrës së Policisë Europiane (EUROPOL), për bashkëpunimin strategjik dhe operacional, ratifikuar me ligjin nr.28/2014” ka një rëndësi të veçantë në momentin aktual. Nëpërmjet saj, Republika e Shqipërisë dhe EUROPOL-i, bashkë-partnerë tradicionalë dhe të suksesshëm tashmë, bien dakord për një intensifikim domethënës të bashkëpunimit mes tyre. Konkretisht, kjo risi do të shënohet nga dërgimi i oficerëve të kontaktit të EUROPOL-it në vendit tonë; përvojë kjo, e cila, ashtu si dhe në raste të tjera, ka sjellë rezultate cilësore për punën operacionale të Policisë së Shtetit.
Ka qenë, që në krye të herës, vullnet i vendosur i kësaj Qeverie që luftën ndaj krimit të organizuar ta udhëheqë përmes një rrjeti të mirë-përgatitur bashkëpunimesh ndërkombëtare. Në këtë kuptim, kjo marrëveshje me EUROPOL-in është një hap i madh përpara për reputacionin dhe rezultatet e pritshme të veprimtarisë së Policisë së Shtetit. Mbetemi të bindur se çdo përpjekje në vazhdën e shumë problematikave të lidhura me kriminalitetin, kanë nevojë absolute për t’u trajtuar në një rrafsh sa më mirëkuptues dhe bashkëpunues me partnerët tanë ndërkombëtarë.

Është thënë dhe është përsëritur disa herë, në Kuvend dhe në takime të ndryshme me përfaqësuesit ndërkombëtarë të akredituar në Tiranë se realiteti i luftës ndaj krimit imponon taktika dhe kundërpërgjigje të reja. Sot gjendemi përballë dinamikash të përgjithshme të zhvillimit të fenomenit kriminal, të cilat, deri disa vite më parë, ishin të papraktikueshme apo thjesht të paimagjinueshme.
Në ditët që jetojmë, për arsye nga më të ndryshmet, tipologjitë e shumëllojshme të kriminalitetit brenda vendit, kanë mësuar jo vetëm të bashkëpunojnë mes tyre, por dhe të gjejnë bashkëpunim e shtrirje aktivitetesh edhe jashtë kufijve shtetërorë. Ne jemi të ndërgjegjshëm se për një fenomen me shtrirje kontinentale është e nevojshme që praktika e bashkëpunimit mes agjencive ligj-zbatuese të vendeve të ndryshme, të përmirësohet dhe të shkojë drejt rritjes.

Në këtë kuptim, jemi të prirë të ndjekim shembuj, të cilët kanë pasur bindshëm suksese. Vetëm gjatë periudhës qershor-gusht 2018 janë realizuar 33 operacione policore në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë si: INTERPOL, EUROPOL, SELEC, DEA, INTERFORZE, BKA etj. Prej tyre, 9 operacione janë kryer në drejtim të narkotikëve, trafiqeve, krimit ekonomik, ndërsa 24 për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar me qëllim ekstradimi (zbatim i urdhër arresteve).
Gjithashtu për periudhën qershor-gusht 2018 janë forcuar bashkëpunimet me partnerët ndërkombëtarë edhe në drejtim të zhvillimit të takimeve operacionale në kuadër të procedimeve penale në ndjekje në fushën e narkotikëve, vrasjes, krimit ekonomik e financiar, si me ata gjermanë, malazezë, italianë, turq, të Republikës së Kosovës, etj. Vetëm një javë më parë, nënshkruam në Vjenë, marrëveshjen e ngjashme me kuadrin PRYM të BE-së, mes vendeve anëtare të Konventës së Bashkëpunimit Policor për Europën Juglindore, mes të cilave Austria, Hungaria dhe vendet e rajonit. Nënshkrimi i marrëveshjes për shkëmbimin e të dhënave të ADN-së, atyre daktiloskopike dhe të dhënave të regjistrimit të automjeteve, si dhe shtrirja e zbatimit të këtij kuadri, thekson dëshirën e Shqipërisë, për të zbatuar standardet më të larta të sigurisë, bashkëpunimit dhe shkëmbimit të të dhënave.

Veprimtaria e kohëve të fundit e Policisë së Shtetit është e karakterizuar krahas të tjerash nga një bashkëpunim i thellë dhe i gjithanshëm me partnerët ndërkombëtarë. Si asnjë herë tjetër më parë. Tashmë besimi i këtyre partnerëve tek Policia e Shtetit është i plotë dhe rezultativ. Sot Policia e Shtetit konsiderohet një ndër partnerët më të besueshëm në rajon për agjencitë ligjzbatuese amerikane dhe europiane, që operojnë në fushën e luftës kundër krimit të organizuar. Këtë e dëshmojnë shkëmbimet shumta të informacionit, bashkëpunimi i shtuar dhe operacionet e përbashkëta në rritje midis nesh brenda e jashtë territorit të Shqipërisë. E pohoj me shumë krenari, në cilësinë e ministrit të Brendshëm, por pohohet në mënyrë publike dhe të përsëritur nga partnerët ndërkombëtarë ky fakt. Do të keni shumë shpejt rast ta dëgjoni këtë konsideratë përsëri nga partnerë të rëndësishëm që do të vizitojnë Tiranën. Ky fakt meriton të shënohet nga kushdo.

Ndërkaq, ajo që lipset të mbahet në vëmendje, është situata e përgjithshme e sigurisë dhe rendit publik në vend, ku përpjekjet e përbashkëta me partnerët janë vetëm një pjesë e tyre. Nëse shohim në tërësi të dhënat mbi evidentimin dhe zbulueshmërinë e veprave penale dhe në përgjithësi treguesit bazë të kriminalitetit, duket qartë se situata e rendit publik në vend ka përmirësime të ndjeshme krahasuar më së paku me vendet e tjera të rajonit. Ka rënë shkalla e kriminalitetit dhe njëherësh është rritur ndjeshëm shkalla e evidentimit të tyre, si dhe zbulueshmëria e veprave penale.

Profesionalizmi i rritur dhe integriteti i Policisë së shtetit kanë bërë që të kemi një evidentim më të madh të veprave penale të kryera, ndërkohë që rezulton që ka më pak vepra penale të kryera, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Konkretisht vetëm për sezonin e verës (periudhën qershor – gusht) janë evidentuar 314 vepra penale më pak se sa një vit më parë; kemi 9 vepra penale kundër personit më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar; 6 plagosje me dashje më pak; 5 vepra penale kundër pronës më pak, 17 vepra penale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike më pak se një vit më parë në të njëjtën periudhë; 34 raste më pak të vjedhjes së automjeteve, 24 raste më pak të vjedhjes së energjisë elektrike, 449 raste më pak të ndërtimeve pa leje, 91 raste më pak të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe janë 111 aksidente rrugore më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Thënë kjo, nuk kam si e le mënjanë habinë – indinjatën po se po ! – gjithë herët që dikush rreket të përbaltë, në mënyrën më barbare të mundshme, punën e Policisë së Shtetit.
Kur kjo e fundit shënohet nga suksese të pamohueshme, përbaltja kthehet në operacion të mirëfilltë politik, makijazhin e të cilit nuk ngurrojnë ta marrin përsipër zotërinjtë e opozitës. Përveçse një turp, i cili përpiqet të godasë një veprimtari të lëvdueshme të zyrtarëve të Shtetit, një orvatje e tillë mbetet tregues domethënës në sytë e qytetarëve.

Në thelb, kjo retorikë tregon si qëllimin dashakeqës demotivues që të tillë individë kanë kundrejt kujt zbaton ligjin dhe shërben për qytetarët, ashtu dhe pusin dëshpërues se ku ata kanë rënë.

Nëse iu ka ngelur sadopak arsye në ndërmarrjen e tyre politike, e cila ka kohë që nuk gëzon shëndet të mirë, do duhej të vërenin të dhënat e besueshmërisë që Policia e Shtetit ka ndër qytetarët shqiptarë.
Duke nisur nga viti 2016 jua kemi përsëritur disa herë vlerësimin në rritje që kanë qytetarët për figurën e punonjësit të policisë dhe vetë Policinë e Shtetit. Në bazë të sondazheve “IPSOS” sondazhit më të fundit – seriozitetin e të cilit, pavarësisht se nuk duan ta pranojnë, të gjithë e njohin fare mirë – 78% e qytetarëve besojnë se Policia e Shtetit është kontribuesi kryesor për sigurinë në vend.

Nga viti në vit, luhatjet në besueshmëri nuk e kanë prekur assesi institucionin e Policisë së Shtetit, e cila sot renditet në vendin e parë për sa i përket marrëdhënies së saj korrekte me qytetarët e Republikës së Shqipërisë.

E vërteta është kjo tipologji e ngathët dhe foshnjore sulmi, me gjithë këmbënguljen, s’ua ka shtuar baltosësve asnjë pikë në favor të tyre – dhe çka po them është më se e dukshme, brenda dhe jashtë kësaj salle.

Ky përfundim del akoma më shumë në dritë kur nga ndonjë foltore e Partisë Demokratike nxjerrin kokën jo më për të ulur figurën e policit si funksionar i shtetit, por për të goditur e shantazhuar drejtpërdrejt ministrin e Brendshëm.

Gjatë 4-5 ditëve të fundit përfaqësues të SHQUP-it, të njohur për apologjinë mashtruese të tyre, kanë bërë përçartjen publike të radhës. Në mënyrën më të pacipë këta përfaqësues shpifin dhe mashtrojnë hapur kur thonë se familjarë të mi janë pronarë direkt, apo indirekt të një apo disa kompanive të lojërave të fatit, kompani këto të lidhura apo pronë e krimit të organizuar, pa dhënë asnjë fakt të vetëm konkret se ku e qysh provohet një gjë e tillë direkt apo edhe indirekt.

Dhe si gjithmonë për ta bërë edhe më të trashë mashtrimin, se edhe në këtë rast janë komplet pa fantazi dhe qesharakë, përfshijnë në këtë lloj afere edhe familjarë të Kryeministrit.

Me përgjegjësi ligjore dhe politike personale, deklaroj se çfarë këta mashtrues recidivistë kanë deklaruar për mua dhe familjen time në lidhje me pronësinë direkte apo indirekte në këto kompani dhe/ose favorizim apo përfitime të mundshme prej meje, direkte apo indirekte qofshin, nga aktiviteti i tyre është, në rastin më të mirë, paaftësi për të luajtur rolin e një opozite serioze parlamentare në një vend demokratik.

Në rastin më të keq, ajo çka kanë deklaruar zotërinjtë që nuk dinë më ç’të sajojnë për të mos humbur edhe më mbështetjen tek qytetarët, është një mashtrim. Madje nga ata të llojit më të dobët.

Mënyra e paraqitjes së këtyre deklarimeve dhe koha kur këta individ politik po i bëjnë ato, të cilat janë lehtësisht të verifikueshme si mashtrime, i klasifikon këta deklarues si shantazhues politik, apo edhe akoma më shumë si shërbëtorë direkt apo indirekt të krimit të organizuar.

Megjithatë, në këtë absurditet nuk dua të ndalem shumë, pasi vërtetë rrezikoj ta marr seriozisht budallallëkun me brirë që udhëheq këta njerëz. Dhe për më shumë akoma jam i bindur se njerëzit e kanë të qartë se të gjitha këto deklarime përfaqësojnë sulme për qëllime politike të ulëta.

Por kam gjithë të drejtën institucionale, por edhe atë personale që ti bëjë publikisht thirrje ndërgjegjes profesionale të përfaqësuesve të organit të Prokurorisë së Republikës që në këtë situatë të angazhohen seriozisht për të marrë të gjithë përgjegjësitë që ligji iu ngarkon dhe të ushtrojnë kompetencat ligjore përkatëse për të hetuar sa më shpejt mbi këto deklarime.

Ne nuk mundet të vazhdojmë më me këtë situatë, ku pa mbajtur asnjë lloj përgjegjësie ligjore, çdo kush mundet të mashtrojë publikisht, të shpifë si të dojë dhe për çfarë të dojë, apo akoma më keq të shantazhojë çdo njeri të thjeshtë dhe më shumë akoma një funksionar të lartë publik sikurse është Ministri i Brendshëm, apo Kryeministri i vendit.

Në tërë këtë zullum artificial, të denjë vetëm për ata që në të janë rritur politikisht dhe po në të janë mësuar të mbijetojnë, ka mbirë së fundmi dhe nisma më pak origjinale për t’u marrë parasysh.

E kam fjalën për atë reklamën e dobët që disa zëdhënës të Partisë Demokratike kanë marrë përsipër t’i bëjnë paaftësisë së tyre për të prodhuar alternativa serioze për qeverisjen e vendit, atë mishmash deklaratash të pakoordinuara në rrafshin politik dhe ligjor që po tentojnë t’i emërtojnë si Vetting mbi politikën.
Më korrektë, për aq sa është prezantuar, do të kishte qenë një tjetër emër i këtij projekti : duhet t’ia vendosin Vettingu i “baltës”. Sepse kjo nismë, më shumë sesa të japë një kontribut real për pastrimin e institucioneve shqiptare, e këtij parlamenti në radhë të parë, synon më tepër të institucionalizojë baltën brenda klasës politike. Dhe duke qenë se kjo e fundit është tashmë një mjet i parapëlqyer dhe i vetmi që opozita aktuale ka përzgjedhur, dëshirojnë ta ngrenë në piedestalin e ligjit.

Ligj i cili, më shumë se të vërtetën, do ta kishte hallin vetëm tek vazhdimësia e mënyrës jo-korrekte që ju keni për të bërë politikë. Politikë nga e cila çdo njeri i përgjegjshëm duhet të qëndroj larg. Ashtu siç larg duhet të qëndrojë çdo krahasim me atë ndërmarrje ligjore kushtetuese – të votuar dhe nga vet opozita në këtë sallë edhe që ishte Reforma në Drejtësi.

Nuk ka asnjë model në botë sipas të cilit pastrimin e politikës përfshi edhe lidhjet me krimin, ta bëjnë vetë politikanët. As qytetari më indiferent dhe më pak i informuar, apo edhe ai me dije më minimale nga politika e më gjerë, nuk mundet të bindet nga arsyetimi se vetë politikanët do bëjnë Vettingun e njëri-tjetrit. Pra ne politikanët do ti themi njeri-tjetrit ti e meriton të kandidosh dhe ti tjetri jo. Ti je i lidhur me kriminel dhe ti tjetri jo. Ti je i korruptuar dhe ti tjetri jo. Komplet qesharake si ide dhe shumë infantile.

Dhe nëse ideja opozitare, e cila të paktën për aq sa është prezantuar deri më tani është komplet propagandë politike, nuk konsiston në Vettingun e politikës nga vetë politikanët, por bërjen e tij nga struktura jashtë politikës, me individ të emëruar nga vet politika, atëherë ky projekt bëhet edhe më shumë qesharake, për të mosthënë qëllimkeq.

Reforma në drejtësi ka si synim final të saj pikërisht pastrimin sa më shumë të jetë e mundur të shoqërisë nga krimi, korrupsioni dhe padrejtësia në tërësi. Dhe në këtë sipërmarrje të saj vjen vetiu si prioritet pastrimi i politikës nga politikanë të lidhur me krimin dhe ose të korruptuar. Krijimi i një korpusi gjyqtarësh dhe prokurorësh të aftë profesionalisht dhe të ndershëm dhe me integritet nuk është qëllim në vetvete. Ai është mjeti institucional, si kudo në botën e përparuar demokratike, për të siguruar një shoqëri sa më të begatë dhe në këtë kuadër edhe një klasë politike të përgjegjshme dhe të ndershme në angazhimet e saj në raport me qytetarin.

Ndaj ka vetëm një mënyrë që politika të pastrohet. Ndërtimi sa më shpejtë i institucioneve të drejtësisë së re. Për këtë arsye ne duhet të shtyjmë fortë përpara reformën në drejtësi.

Vettingu në drejtësi është një nga reformat institucionale më të rëndësishme të kryera në këtë vend. Nuk ka asnjë lidhje baza dhe qëllimi nga u nis dhe për çfarë u ideua me nismën për vetting në drejtësi me projektin e Lulit për Vettingun e politikanëve.

Krahasimet t’i lemë aty ku ato kanë kuptim. Vettingu në drejtësi, i cili ndoqi një skemë të gjatë dhe të ngjeshur parapërgatitore, nisej nga ndërgjegjja e një gjendjeje të vështirë në të cilën ndodhej pushteti gjyqësor i një vendi që ende përçapej në tranzicion.

I gjithë propozimi për reformë, ndryshe nga ky që hedhin zotërinjtë e opozitës në merkaton mediatike, nuk ishte një shpikje e çastit.

Reforma në drejtësi nuk ishte një sipërmarrje taktike politike për të shpëtuar interesat politike të shumicës së kohës. Përkundrazi përgjegjshmëria politike e Partisë Socialiste me nismën për reformimin e sistemit të drejtësisë reflektoi kërkesën mbarë popullore për këtë çështje. Dhe më tej procesi ndoqi një rrjedhë logjike të reformave të tilla.

Mbështetja e plotë e qytetarëve, e verifikuar kjo direkt dhe indirekt, për reformën në drejtësi, kontributi real si asnjëherë tjetër më parë i partnerëve tanë ndërkombëtar në këtë proces e legjitimuan atë dhe i dhanë kredibilitetin e duhur.

Ne shkuam në miratim të saj pas një procesi të gjatë analizash dhe konsultimesh nga më të gjerat të bëra ndonjëherë për ndonjë reformë kushtetuese e ligjore në historinë politike të këtij vendi.

Nuk ngeli jashtë këtij proces asnjë faktor politik, institucional, apo individ që në një mënyrë ose në një tjetër lidhej me sistemin e drejtësisë, që nuk u bë pjesë e analizave, debateve dhe përfundimeve në këtë reformë.

Ky proces i dha besimin e plotë kësaj reforme dhe sot pak kush ka mospëlqime me të dhe shumë pak janë sot ata që janë të pakënaqur me rezultatet e para të kësaj reforme.

E në kundërshtim me sa më sipër, e ashtuquajtuara Vetting i politikës i prezantuar me pompozitet nga drejtuesi i opozitës dhe ca më keq nga disa individ përfaqësues të saj të njohur për qëndrimet e tyre militante dhe si kundërshtar publik të reformës në drejtësi, jo vetëm që është një ide kaotike dhe qartazi propagandistike, por ajo synon, me dashje apo pa dashje sabotimin e reformës në drejtësi.

Unë besoj fort se një proces i përshpejtuar brenda kuadrit e procedurave aktuale ligjore, për miratimin e KLGJ dhe KLP dhe në vazhdim, ngritja e menjëhershme e SPAK dhe BKH do t’i japi një dimension të ri reformës në drejtësi, pritshmërinë më të lartë që kanë ndaj saj qytetarët dhe partnerët tanë ndërkombëtar, për ti dhënë një goditje të fortë krimit të organizuar dhe veçanërisht fenomenit të kalçifikuar të pandëshkueshmërisë së korrupsionit në zyrtarët e lartë të këtij vendi në vite.

Çdo mbështetje ndaj këtij procesi është shërbimi më i mirë në interes të qytetarëve, kontribut real në konsolidimin e shtetit të së drejtës.

Faleminderit!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura