“Vuçiç po e shton agresivitetin ndaj Kosovës”- Albin Kurti: Ka ardhur koha që SHBA e BE t’i tregojnë përfundimisht Beogradit…

May 14, 2022 | 7:14
SHPËRNDAJE

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, po bëhet më agresiv ndaj Kosovës për shkak se s’po i pëlqen përparimi i Kosovës dhe se s’po mund të shkëputet nga Kremlini.

kurti

“Presidenti i Serbisë është duke e shtuar agresivitetin ndaj Kosovës dhe besoj që kjo në njërën anë ka të bëjë me suksesin e shtetit të Kosovës sepse ne po përparojmë në të gjitha fushat dhe kjo i pengon atij dhe në anën tjetër ka të bëjë edhe me situatën në Ukrainë pas invazionit rus ku Beogradi s’po arrin të shkëputet nga Kremlini, përkundrazi edhe më tej po mban anën e agresionit ushtarak duke mos e dënuar atë dhe duke mos vendosur sanksione”.

Kurti, në një intervistë për televizionin publik, tha se ka ardhur koha që SHBA-ja dhe BE-ja t’i tregojnë Beogradit se nuk mund të vazhdojë me këtë avaz.

“Unë jam optimist për Kosovën, Republikën tonë, ekonominë tonë, por në anën tjetër besoj që BE-ja dhe ShBA-ja janë duke e kuptuar se kush është problem për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë, sigurinë rajonale dhe prosperitetin e të gjithëve. Adresa është në Beograd, ne e bëjmë punën tonë, por do të duhej që edhe kancelaritë perëndimore përfundimisht t’i tregojnë Beogradit që nuk mund të vazhdohet kësisoj”.

Shefi i qeverisë tha se Kosova është gati që të bëhet pjesë e KiE-së, e beson se edhe i ka votat e mjaftueshme për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare.

“Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, rritja ekonomike është bërë dyshifrore dhe sa i përket lirisë së medieve, luftimit të korrupsionit dhe sundimit të ligjit jemi të parët në rajon, andaj ne gjithsesi jemi të gatshëm. Gatishmëria jonë duhet të hasë në gatishmërinë e vendeve të cilat I përkasin Këshillit të Evropës. Më shumë se 2/3-at e tyre janë vende njohëse, por besoj se do të ketë parlamentarë edhe nga vendet mosnjohëse që do ta shprehin solidaritetin dhe drejtësinë me votën për anëtarësimin e Kosovës në KE”, deklaroi ai nga Ajova e SHBA-së./rtklive

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura