Vuçiç: Perëndimi me “kuadër të ri” të bisedimeve me Kosovën! Kanë shtuar presionin ndaj Serbisë për…

Sep 10, 2022 | 15:04
SHPËRNDAJE

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha të shtunën se diplomatët perëndimorë kanë propozuar një “kuadër të ri” të bisedimeve me Kosovën dhe kanë shtuar trysninë ndaj Serbisë për qasjen e saj ndaj agresionit rus në Ukrainë.

vucic

Presidenti serb mblodhi të shtunën në mëngjes Këshillin e Sigurisë Kombëtare pas takimit të së premtes në mbrëmje me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe këshilltarët e sapoemëruar të Gjermanisë dhe Francës për këto bisedime, Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune.

Sipas tyre, bisedimet duhet të çojnë në zgjidhje të menjëhershme dhe përfundimtare, siç thonë ata, të problemeve, me të cilat po përballemi dhe të të gjitha çështjeve të pazgjidhura”, tha presidenti serb, sipas të cilit “marrëveshja do të nënkuptonte – nuk mund të them njohje të Kosovës – mirëpo do të ishte njohje të gjithçkaje që ata mendojnë se është realitet“.

Presidenti serb tha se fuqitë perëndimore dhe Turqia besojnë se zgjidhja e mundshme e çështjes së Kosovës, do t’i jepte përgjigje edhe presidentit rus, Vladimir Putin në lidhje me Krimenë. Diplomatët evropianë, tha ai, theksuan se presidenti Putin “e ka ngritur perden dhe se vendet duhet të deklarohen se në cilën anë do të qëndrojnë“.

Serbia është i vetmi vend në Ballkan që nuk i ka vënë sanksione Rusisë, për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Presidenti serb tha se, përfaqësuesit evropianë e kanë bërë të qatë se Evropa nuk ka nevojë për konflikte të reja, ndërsa ritheksoi qëndrimin se Serbia nuk do ta njohë Kosovën, por se është e gatshme për zgjidhje kompromisi, por pa dhënë asnjë hollësi se çfarë nënkupton një zgjidhje e tillë.

Tre diplomatët evropianë qëndruan të premten fillimisht në Prishtinë e pastaj në Beograd në një përpjekje për të nxitur përparim në procesin e bisedimeve. I dërguari evropian Miroslav Lajcak i cilësoi të “thella dhe të rëndësishme” bisedimet në të dy kryeqytetet dhe paralajmëroi se “procesi do të vazhdojë ditët në vazhdim”.

Me 27 gusht Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për lëvizjen e lirë të qytetarëve, pas tensioneve që pasuan vendimin e qeverisë qendrore në Prishtinë që dokumentet e identifikimit dhe targat e makinave të lëshuara nga Serbia, të mos vlejnë në territorin e Kosovës. Një masë e tillë është zbatuar nga Beogradi për qytetarët e Kosovës që udhëtojnë nëpër Serbi gjatë 11 viteve të fundit.

Më një shtator ka filluar të rrjedh afati dy muajsh për konvertimin e targave të makinave për qytetarët serbë që përdorin targa të lëshuara nga Serbia. Me vendimin e qeverisë përdoruesit e këtyre targave duhet t’i kthejnë në ato të Republikës së Kosovës RKS, por kjo kundërshtohet nga Beogradi.

Tensionet e fundit nxitën një reagim më të ngjeshur diplomatik ndërsa forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja thanë se janë të gatshme të ndëhyjnë nëse “rrezikohet qëndrueshmëria”.

Të shtunën forcat e KFOR-it thanë se nga 27 shtatori deri më 2 nëntor “do të zhvillojë një stërvitje rutinë për një nga njësitë e saj rezervë. Kjo do të çojë në një rritje të përkohshme të numrit të trupave në terren”.

Në një njoftim të KFOR-it thuhet se “një kontingjent ushtarak nga Mbretëria e Bashkuar do të mbërrijë në Kosovë më 11 shtator” dhe njësitë do të kryejnë veprimtari stërvitore për të ruajtur shkallën e lartë të gatishmërisë dhe për të kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë”.

Bashkimi Evropian shpreson që palët do të arrijnë një pajtim rreth targave të makinave sipas marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet në Bruksel, të cilat synojnë të sigurojnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, që është kusht për integrimet evropiane.

Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe shumicës se vendeve perëndimore, por kundërshtohet nga Serbia e cila deri përpiqet të mbajë një qëndrim asnjanës ndërmjet perëndimit dhe Rusisë./VOA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura