Vuçiç flet pas takimit me diplomatët e BE-së: Njohje të Kosovës nuk do të ketë

Sep 9, 2022 | 21:08
SHPËRNDAJE

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se vendi i tij nuk do ta njohë Kosovën.

vucic

Vuçiç i bëri këto komente përmes një postimi në Instagram, ku po ashtu tha se është i gatshëm për një zgjidhje kompromisi me Kosovën, në përputhje me Kushtetutën e Serbisë.

Në preambulën e Kushtetutën e Serbisë, Kosova përkufizohet si pjesë e këtij vendi.

Vuçiç u taku mbrëmjen e së premtes me të dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe këshilltarët e sapoemëruar të Gjermanisë dhe Francës për këtë dialog, Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune.

Diplomatët evropianë qëndruan të premten edhe në Kosovë, ku u takuan kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Ishte një diskutim i thellë dhe i rëndësishëm. Besoj e kuptoni se nuk mund të japim detaje, sepse do të kemi diskutim të njëjtë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç”, tha Lajçak pas takimit me Kurtin.

Siç është thënë më herët për Radion Evropa e Lirë, qëllimi i vizitës së diplomatëve evropianë është shqyrtimi i opsioneve për përparim në dialogun për normalizimin e raporteve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Më 4 shtator, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, emëruan këshilltarët që të ndihmojnë në dialogun që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Në një letër dërguar Kurtit dhe Vuçiçit, Macron dhe Scholz thanë se normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor.

Macron dhe Scholz, po ashtu, u bënë thirrje liderëve të Kosovës dhe Serbisë që të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të ndërmarrë vendime të vështira, të cilat, siç thanë ata, çojnë drejt përparimit të dialogut..REL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura