Vrau përdhunuesin, Nazime Visha kërkon sërish ulje dënimi

Feb 21, 2016 | 20:39
SHPËRNDAJE

Nazime Visha, e dënuara me 10 vjet burg për “vrasje me paramendim” të kryer në moshën 18-vjeçare kërkon ulje dënimi.

Nazime Visha ne gjyq
Nazime Visha ne gjyq

Visha po vuan dënimin për vrasjen e Fiqiri Muçës më 13 gusht 2012 në Kërrabë, Tiranë, nga i cili pretendonte se ishte abuzuar seksualisht për katër vite me radhë.

Kërkesa e saj për ulje të masës së dënimit është depozituar në Gjykatën e Tiranës më 19 janar të këtij viti, ku pritet të shqyrtohet nga gjyqtari Lazër Sallaku.

Përmes kësaj kërkesë, Visha kërkon të përfitojë nga e drejta e çdo të burgosuri me një vendim të formës së prerë për të përfituar uljen deri në 90 ditë në vit nga dënimi për shkak të sjelljes së mirë në institucionin e vuajtjes së dënimit.

Paralelisht me këtë kërkesë në Gjykatën e Tiranës pritet të shqyrtojë edhe një kërkesë tjetër, ku në rolin e kërkuesit është e dënuara Nazime Visha. Bëhet fjalë për një kërkesë të saj për përfitim nga amnistia e fundvitit 2015.

Kjo kërkesë do të shqyrtohet nga gjyqtari Sokol Tona. Përmes saj, ajo do të kërkojë të drejtën e uljes së një viti 1 vit e 6 muaj dënim, ulje që përfitohej prej amnistisë nga të dënuarat femra me një vendim të formës së prerë. Herën e fundit që Visha ka përfituar një ulje dënimi ka qenë në nëntor të vitit 2014.

Më 19 nëntor të këtij viti, ajo përfitoi 3 muaj ulje dënimi. Referuar raportit të burgut 325, të cituar në vendimin e gjykatës, e dënuara Visha nuk ishte ndëshkuar me masa disiplinore, mbante marrëdhënie korrekte me të dënuarat e tjera dhe respektonte rregulloren e burgut.

Nazime Visha u shpall fajtore nga Gjykata e Tiranës dhe u dënua me 10 vjet heqje lirie në 8 maj të vitit 2013 për akuzën e “vrasjes me paramendim” dhe për “mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve”, edhe pse në kërkesën përfundimtare të prokurorisë ajo u cilësua si “autore krimi, por jo kriminele”.

Ky vendim u la në fuqi edhe në Gjykatën e Apelit, ndërsa Gjykata e Lartë nuk pranoi rekursin e bërë për këtë vendim. Dy vjet më parë, Presidenti i Republikës refuzoi një kërkesë për faljen e saj, kërkesë të nënshkruar nga gjashtë personalitete të mirënjohur të letërsisë, muzikës dhe artit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura