Vrau para vilës biznesmenin në Dibër, si e zbuloi policia autorin. Pistat që po hetohen

Mar 22, 2018 | 9:02
SHPËRNDAJE

Elsi Kosiqi u vra në oborrin e shtëpisë në orët e vona të së hënës. Pasi e thirrën në emër, ishin tri të shtëna me armën e zjarrit që i morën jetën 32-vjeçarit.

Vrasja në Maqellarë të Dibrës ka ngjallur frikë dhe panik në këtë zonë, ndërsa autori është identifikuar pas disa orësh mbajtje nën mbikëqyrje nga Policia.

elsi-3

Prej orëve të para të mëngjesit të djeshëm, forca të shumta ngritën postblloqe në Mat, Bulqizë e Dibër. Zyrtarë të Policisë bëjnë të ditur se autori i dyshuar është Mehmut Gega, 24 vjeç, banues në fshatin Okshatinë.

Shkak për vrasjen e 32-vjeçarit besohet se kanë qenë konfliktet e vazhdueshme mes tyre, por ende nuk dihet arsyeja, po ashtu as bashkëpunëtorët e tij. Për zbardhjen e plotë të ngjarjes, mësohet se hetimet janë shtrirë dhe në vendin fqinj, Maqedoni, pasi viktima ka dalë dhe hyrë në pikën kufitare të Bllatës, i shoqëruar me persona të tjerë mesnatën e së hënës.

“Oficerë të Policisë Gjyqësore Dibër kanë udhëtuar që në orët e para të ditës së djeshme drejt Maqedonisë”, tha një drejtues lokal i Policisë. “Në Pikën e Kalimit Kufitar Bllatë janë siguruar të dhëna për lëvizjet e Kosiqit. Nuk mund të themi detaje, por 32-vjeçari ka hyrë dhe ka dalë në kufi me persona të tjerë. Ne po hetojmë gjithashtu ku ka qenë Kosiqi një natë para vrasjes, nën shoqërinë e kujt ka qenë dhe çfarë kanë bërë matanë kufirit”, thanë të njëjtat burime.

Ngjarja ka ndodhur në orën 01:30. Vila e familjes Kosiqi ndodhet në qendër të Maqellarës, në anë të rrugës nacionale Bulqizë-Peshkopi. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë në Doganën e Bllatës dhe ato të bizneseve të Maqellarës dhe po shihet me kujdes lëvizja e çdo automjeti apo personi gjatë një natë më parë. Ndërkohë, grupi hetimor pret dhe fakte të reja nga Maqedonia që mund të çojnë në zbardhjen e plotë të vrasjes.

Pak pas ngjarjes, Policia e Dibrës shoqëroi pesë persona, mes së cilëve ishte dhe autori i dyshuar Mehmut Gega. 24- vjeçari, pas marrjes në pyetje, është mbajtur nën mbikëqyrje nga forcat e Policisë, gjë e cila çoi dhe në zbulimin se ishte pikërisht ai autori i krimit. Lidhur me shkakun e krimit, zyrtarisht Policia thotë se bëhet fjalë për konflikt për motive të dobëta.

Përgjimi i telefonatave të disa personave ka hedhur dyshimet e para për motivet e krimit që ka të bëjë me një vajzë. Ndërkohë, Policia ka ngritur dhe pista të tjera, për të cilat po hetohet. Një nga pistat është ajo e ndonjë lidhjeje të fshehtë dashurie e 32-vjeçarit, zbulimi i së cilës mund të ketë çuar në vrasjen e tij.

Familja Kosiqi ka një biznes në Peshkopi. Ekzekutimi i 32-vjeçarit nuk ka lidhje me aktivitetin privat, me llixhat në Peshkopi. Po ashtu, familja Kosiqi dhe vetë Elsi nuk kanë pasur konflikte me persona të tjerë. Personat e shoqëruar dhe të tjerë që janë nën hetim, pritet të japin informacion për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në Maqellarë të Dibrës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura